Edhe pak i mbush 84 vjet, por preferon të thotë se i ka 83. Me biçikletë, gjakovari që pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Pejë, i bie për midis Çarshisë së Madhe të kësaj të fundit. Ndalet te dyqani i tij, në një vizitë të paparalajmëruar djalit të tij të tretë.
Xhafer Lleshi është zanatli jorganpunues. Babai i tij Shaban Lleshi ka qenë gjakovari i parë që ka shkuar në Pejë për të punuar këtë zeje, dikur pas Luftës së Dytë Botërore, shkruan sot Koha Ditore.
Thotë se me jorganët e tij ka shëtitur tregjet e Jugosllavisë. Flet me nostalgji për fitimin dhe punën e dikurshme, e me mllef për të sotmen, ndonëse vetë ka kohë që nuk ka prekur gjilpërë me dorë.
Në dyqan është edhe djali i tij, Bujari, i vetmi që punon në këtë zeje, nga pesë djemtë e tij sa dinë ta bëjnë këtë punë. E ky ndal makinën për të vazhduar bisedën, në të cilën, pa diskutim, përparësi i jep rrëfimit të të atit.
Nostalgji për kohën e artë
Teksa e kthen kohën pas, Lleshi i vjetër e rimendon veten në moshën 14 -vjeçare. Ka qenë djali i vetëm i Shaban Lleshit, me të cilin kishte ardhur nga Gjakova në Pejë për të prodhuar aty jorganët.
“Ne jemi gjakovarë. Babai im ka qenë tregtar. Në Pejë kemi ardhur në vitin 1950. Në vitin 1948 na i patën mbyllur dyqanet private, e ai mbeti pa punë. Erdhi këtu”, thotë Lleshi.
Ai i kujton me nostalgji fillimet e para të biznesit në Pejë, ndonëse ka qenë 14-vjeçar....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)