Vjen si shfaqje e thurur me fijet e traditës, mosmarrëveshjeve familjare dhe një eksplorim që nxit çështje të barazisë gjinore. Me regji të Robert Nuhës, kjo vepër teatrale, e sjellë në jetë nga ansambli i “Artpolisit” – Labinot Raci, Edlir Gashi dhe Mikel Markaj – shpalos një rrëfim që kapërcen kufijtë e skenës. Lëkundja midis realitetit dhe projeksionit pasqyron dikotominë me të cilën ballafaqohen personazhet derisa përballen me normat dhe traditat e rrënjosura
Në ndriçimin e zbehtë të njërës nga sallat e vogla në teatrin “Dodona” perdet u ngritën për të zbuluar premierën e “Tre 1 t’eti”, shfaqje teatrale nën regji të Robert Nuhës. Nis që në hyrje të sallës. Publiku mirëpritet me përshëndetje unike shqiptare – tre burra, me duar në zemër. Shtrojnë rrugë për narrativën e thurur me traditë, mosmarrëveshje familjare dhe një eksplorim të thellë të pabarazisë gjinore.
Historia shpaloset me njoftimin për vdekjen e babait të tyre, duke i futur personazhet në një betejë të trazuar për trashëgiminë që ai ka lënë pas. Binjakët shtatlartë, luajtur nga Labinot Raci dhe Mikel Markaj, përfshihen në luftë me njëri-tjetrin. Është më shumë luftë fjalësh. Binjakët hyjnë në një lloj gare se kush e merr kontrollin mbi tokën e babait të tyre. Mes kaosit, vëllai i tyre më i vogël, rolin e të cilit e luan Edlir Gashi, mbron me përkushtim vendin e merituar të motrës së tyre në trashëgimi, duke sfiduar normat e rrënjosura të maskulinitetit.
Ajo që intrigon te “Tre 1 t’eti” është elementi simbolik i prezantuar përmes testamentit të babait – një unazë e varrosur bashkë me të. Derisa djemtë kërkojnë unazën, ndodh një kthesë e papritur. Duket se kalojnë në një tjetër dimension të ilustruar me pamje psikodelike që përshkojnë muret e sallës dhe krijojnë ndjenjën se personazhet po qëndrojnë pezull mbi tokë. Kur e gjejnë unazën, konflikti konkretizohet. I përmbledh të tre vëllezërit dhe shpejt kthehet në një lloj loje mes tyre. Sa herë ndonjëri nga djemtë e vendos unazën në gisht, ndërron atmosfera e shfaqet një spektakël surreal. Për një moment në lojë e fusin edhe publikun. Ia vendosin unazën në gisht dikujt nga audienca dhe ashtu siç pritej, me ndihmën e ndriçimit, ndërron skena. Shndërrohet në një udhëtim të gjallë, me tre projektorë që tjetërsojnë mjedisin në një shkrirje midis realitetit dhe iluzionit. Aktorët e gjejnë veten të mbështjellë në një rrëfim vizual, të ngjashëm me figurat në një ekran televiziv.
Regjisori Nuha ka theksuar se shfaqja ka ardhur si rezultat i pyetjeve të ngritura mbi fenomene negative që e kanë përcjellë shoqërinë shqiptare me shekuj të tërë.

“Konceptimi i temës ka ardhur shumë natyrshëm, duke i parë ndodhitë e fundit në vendin tonë e edhe në rajon e botë, sepse gjithkund ekziston pabarazia. Ka ardhur si kërkim për të ngritur pyetje mbi disa çështje të caktuara, siç është raporti ndërmjet gruas dhe burrit në kuptimin e plotë të fjalës, por edhe me fokus të veçantë në të drejtën e pronës e cila është një e drejtë e garantuar me ligj por në mentalitetin tonë akoma nuk është pranuar”, ka thënë Nuha.
Efektet vizuale shërbejnë edhe si një metaforë e fuqishme, duke nënvizuar ndikimin e përhapur të pritshmërive të shoqërisë nga individët. Lëkundja midis realitetit dhe projeksionit pasqyron dikotominë me të cilën ballafaqohen personazhet derisa përballen me normat dhe traditat e rrënjosura.
Labinot Raci, Edlir Gashi dhe Mikel Markaj, pjesë e ansamblit artistik të “Artpolis”, u japin jetë roleve të tyre. Binjakët, Raci dhe Gashi, sjellin intensitet dhe konflikt në skenë, loja fizike e tyre mishëron luftën për dominim. Markaj, avokati i barazisë gjinore, i shton narrativës një shtresë tjetër, duke sfiduar pabarazinë me bindje të palëkundur.
Raci është shprehur i kënaqur me rezultatin, marrë parasysh tërë kompleksitetin e shfaqjes.
“Kemi punuar shumë kohëve të fundit në mënyrë që të shkojë sa më saktë, sepse shfaqja është paksa e komplikuar. Është shumë strikte duke marrë parasysh që ka shumë projektorë, ndriçim të veçantë dhe është hapësirë e ngushtë e ne jemi tre aktorë dhe për këtë është dashur të përgatitemi që të jemi striktë dhe shumë mirë ka shkuar edhe ne jemi befasuar”, ka thënë Raci.
Teksti i shfaqjes vjen si orkestrim i një përzierjeje të pandërprerë dialogu, koreografie, simbolizmi dhe spektakli pamor. Zgjedhja e qëllimshme për të trajtuar temat e barazisë gjinore, normave shqiptare dhe manifestimeve toksike të burrërisë i ofron audiencës një përvojë që hap shumë çështje.
Në thelb, “Tre 1 t'eti” vjen si pasqyrë e reflektimit të shoqërisë për vetveten. Rrëfimi i kapërcen kufijtë e skenës, duke nxitur dyshim mbi normat e vendosura dhe thelbin e vërtetë të të qenit burrë. Derisa personazhet luftojnë për trashëgiminë e babait të tyre, publiku detyrohet të përballet me paragjykimet e veta.
Aktori Edlir Gashi ka treguar se krejt çfarë publiku ka parë në premierën e “Tre 1 t’eti” ka nisur në ditën e parë të provave.
“Ne i kemi filluar provat para tre muajve. Realisht ideja e shfaqjes kërkon gjashtë muaj prova. Para tre muajve ne kemi filluar dhe gjithçka ka buruar nga aty. Nuk kemi pasur as tekst, as skenografi, as kostume e të tjera. Gjithçka ka rrjedhë nga ekipi. Çdo gjë nga zeroja, krijimtari hap pas hapi dhe kemi mbërritur te tema, dhe kjo kemi menduar që është më e mira dhe e kemi vendosur shfaqjen”, ka thënë Gashi.
“Tre 1 t’eti” vjen jo thjesht si një shfaqje teatrale, por si një eksplorim i thellë i konstrukteve shoqërore. Regjia e Nuhës, së bashku me interpretimet bindëse të Racit, Gashit dhe Markajt, e kthen këtë prodhim në një koment bindës mbi traditën, konfliktin dhe kërkimin e maskulinitetit të vërtetë. Kombinimi i efekteve vizuale me teknikat tradicionale, realen dhe abstrakten i afron me njëra-tjetrën.
E Robert Nuha është shprehur i kënaqur me rezultatin e disa muajve prova.
“Jashtëzakonisht mirë. Sot e kam shijuar pas tërë atyre provave. Shkoi gjithçka mirë, pavarësisht disa momenteve teknike, sepse shfaqja në vetvete ka shumë projeksione dhe është goxha komplekse dhe unë jam jashtëzakonisht i kënaqur me lojën e djemve dhe bashkëpunëtorëve dhe me prezencën e audiencës”, ka thënë Nuha.
“Tre 1 t’eti” është produksion i qendrës për art dhe komunitet “Artpolis” dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.