Udhëtimi me kuaj drejt Shqipërisë i një grupi burrash, me rastin e 101-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, do të kishte një efekt te një adoleshent. Sulltan Latifi atëkohë ishte 13 vjeç. Axha i tij Agroni, tashmë i ndjerë, do ta merrte pranë vetes, teksa do të bënte riparime të shalave të kuajve, që i kishin prodhuar së paku dy breza para tij. E kjo do të shtonte kërshërinë e të riut që mos t’i ndahet xhaxhait të tij edhe në punë të tjera të zejes së saraçit.
Sulltani, në fakt është brezi i pestë i familjes Latifi, që në Mitrovicë e ushtrojnë këtë zeje. Tash është 22-vjeçar, e barra më e madhe ka rënë mbi të. Ai thotë se shumë punë të “takëmit të kalit” nuk i di, por është i bindur se shpejt do të mund t’i mësonte sikur për to të kishte treg, shkruan KOHA. Por punët e tjera që lidhen me lëkurën ai i bën pa problem. Nga zanati thotë se nuk do të heqë dorë, por synimin e ka që këtë profesion ta ushtrojë diku jashtë vendit, me dëshirë në Gjermani.
Zanati i trashëguar prej mjeshtërve
Ndonëse ka rreth 3 vjet që pothuajse vazhdimisht ka ndihmuar xhaxhanë e tij në dyqan, në zonën e zejtarëve në Mitrovicë, Sulltan Latifit vetëm këta dy muajt e fundit i ka rënë gati tërësisht mbi supe barra e punës në këtë zanat. Xhaxhai i tij vdiq në moshë të re.
Punëve që lidhen me riparimin e lëkurës, por edhe të këpucëve, ai nuk u thotë jo. Mbetet i pasigurt nëse di që të punojë nga fillimi deri në fund një hallkë a shalë kali, por edhe ashtu thotë se për to tash për tash nuk ka treg.
E megjithëse ka edhe rreth dy orë kohë që nga afati që i dha klientit për riparimin e një palë atleteve, ai nuk e çon kohën dëm. Punon derisa shpalos historinë qindravjeçare të familjes.
“Rreth një metër, një metër e gjysmë pe, shkon për qepjen e njërës patike”, thotë Latifi, teksa pa e shikuar fare vazhdon punën.
Me shkas kthehet prapa në histori.
“Prej më shumë se 100 vjet e kemi pasur traditë rregullimin e hallkave të kuajve. Jemi kanë të përmendur jo vetëm në Mitrovicë, por edhe më gjerë”, thotë Latifi. “Kanë punuar me Dukagjin, me Pejë për shembull, me Drenicë, e zona të tjera”, thotë ai më tej.
I di emrat e katër brezave para tij, që punuan në zejen e saraçit.