Kulturë

Trashëgimia socialiste në Kosovë – e pashmangshme në rrëfimet për qytete

Prishtinë, 3 prill – Me disa fotografi të Mitrovicës në sfond, ku shpalosen zhvillimi dhe dallimet në mes pjesëve të ndryshme të qytetit, e diskutim për ato ndryshime, është prezantuar libri i Pieter Troch dhe Thomas Janssens, “Layers of Time in the Urban Landscape: Visions of Socialist Urbanity in Mitrovica”.

Me t’u njoftuar me idenë e librit, në Modelariumin e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës është mbajtur debati publik me temën “Trashëgimia e urbanizmit socialist në Kosovë”, udhëhequr nga Vjollca Krasniqi, profesoreshë në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ndërsa në panel ishin të ftuar Korab Krasniqi, menaxher i projekteve në Forumin ZFD, dhe Florina Jerliu, profesoreshë në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në UP.

Korab Krasniqi nga ZFD-ja ka thënë se trashëgimia e arkitekturës socialiste është tregues i historisë së njerëzve dhe shtresave dhe jo vetëm një transformim urban, por edhe shoqëror dhe politik. Sipas Krasniqit, studimi i kësaj fushe është në interes të përbashkët të shoqërisë. Prandaj ka thënë se ai personalisht dhe Forumi ZFD janë përqendruar në kërkimet për shenjat e trashëgimisë socialiste.

“Ekzistojnë prova që epoka socialiste dhe trashëgimia kulturore e saj nuk janë shqyrtuar edhe aq mirë. Në ambientin urban dhe në hapësirat kolektive nuk janë edhe aq mirë të theksuara. Libri i Pieter dhe Thomas është një përmbledhje shumë e mirë në këtë fushë”, ka thënë ai.

Pieter Troch, nga Instituti Lindor dhe Juglindor i Studimeve Evropiane në Leibnitz të Gjermanisë, bashkautor i librit, ka thënë se “Layers of Time in the Urban Landscape: Visions of Socialist Urbanity in Mitrovica” (Shtresëzimet kohore në peizazhin urban: vizionet e urbanizmit socialist në Mitrovicë) është prezantim i punës dyvjeçare dhe ka ardhur si rezultat i një projekti hulumtues të mbështetur nga Komisioni Evropian. Përmes librit ka thënë se janë munduar të vënë në pah ndikimin shoqëror që ka pasur urbanizmi socialist në Kosovë, veçanërisht në qytetin e Mitrovicës.

Në debatin që zgjati rreth dy orë, profesoresha e arkitekturës, Florina Jerliu, ka thënë se ajo çka i ka interesuar të analizojë ka qenë se a ka prapa ndërtimit socialist ndonjë agjendë specifike, që, sipas saj, është një princip i përgjithshëm i qyteteve socialiste.

Jerliu ka theksuar se është e rëndësishme të punohet për të pasur të paktën një histori të shkruar për zhvillimin e qytetit, duke iu referuar atij urban dhe shoqëror.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")