Në ditën e dytë të “Javës së Albanologjisë” studiues të etnologjisë e letërsisë kanë sjellë prurjet e tyre më të reja nga fushat përkatëse. “Ritet, ritualet dhe ceremonitë dikur dhe sot – besimet dhe praktikat” ka qenë tema e sesionit të etnologjisë, përderisa ai i letërsisë ka pasur për temë “Poezinë shqipe (1945-1990)”
Tridhjetë vjetët e transicionit shqiptar kanë qenë edhe kronikë e “pushtimit” të tokës. E shkoqitur në një përmasë tjetër, ndryshe nga ajo tradicionale, zaptimi i tokave e shënjimi i tyre si pronë e dikujt është shndërruar në një ritual negocimi rolesh e funksionesh mes individit e shtetit. Dhe pyetja sipas këndvështrimit të një antropologu bëhet nëse këto ceremoni e rituale janë një hallkë që e lidhin shoqërinë me rendin apo sfera ku negociohet autoriteti i shtetit në favor të flukseve partiake?
Me një shtjellim të thukët mbi praktikat e transicionit shqiptar dhe mënyrat se si dy partitë kryesore në Shqipëri, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, i janë qasur problemit të legalizimit të pronave të “pushtuara”, antropologu Nebi Bardhoshi ka shpalosur këtë dukuri gjithnjë e në evoluim.
Kumtesa e tij “Ritualet e legalizimit të tokës së pushtuar” ka qenë e para nga prurjet e shpalosura në seancën e dytë të etnologjisë në kuadër të “Javës së Albanologjisë”, që po mbahet në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Bardhoshi: “Shumica e zonave urbane jetojnë në informalitet”
Në fillim të kumtesës Bardhoshi ka vënë në dukje se jashtë kuptimit juridik tri kanë qenë praktikat e rregullimit shtetëror pas rënies së komunizmit: kthimi te pronari i ligjshëm, ndarja e tokës pa e njohur pronën e përbashkët dhe kërkesa e njerëzve që kanë uzurpuar toka që t’u legalizohet nga shteti.
“Shumica e zonave urbane jetojnë në informalitet, por kjo nuk duhet konsideruar si një tabu”, ka thënë Bardhoshi teksa ka shpjeguar se si është e nevojshme të propozohet një etnografi mbi “pushtimin” e tokës.
Duke shpalosur edhe praktika nga pushtetet në Shqipëri dhe qasjen e PD-së e PS-së karshi problemit të legalizimeve, ai ka vënë re se si lidershipi me rastin e legalizimeve e “shndërron veten në dhurues që pret në këmbim kthimin e mirënjohjes politike”.
Dhe pyetja e Bardhoshit gjatë leximit të kumtesës ka qenë nëse këto rituale po i shërbejnë shtetit apo kulturës etatiste.
“A janë këto ceremoni e rituale një hallkë që e lidhin shoqërinë me rendin apo sfera ku negociohet autoriteti i shtetit në favor të flukseve partiake?”, ka thënë Bardhoshi, i cili është drejtor i Instituti të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Funksionet e kafshëve në ceremonitë familjare
Kau, dashi dhe gjeli në përditshmërinë e jetës shqiptare nuk kanë qenë vetëm kafshë të zakonta. Atyre u janë mveshur edhe kuptime, domethënie e simbole në ritualet e ceremonive të rëndësishme familjare.
Me këtë syzhe bosht është shpalosur kumtesa e radhës së studiuesit nga Prizreni, Nexhat Çoçaj. Në hulumtimet e bëra në zona të ndryshme etnografike nga Kosova gjer në Dibër, ai kishte pikasur që njerëzit nëpërmjet praktikave e traditave të ndryshme shprehnin një lloj afrie me to.
Kështu, sipas Çoçajt, “prania e kaut, dashit dhe gjelit në traditën e dasmës shqiptare lidhet me pjellorinë”.
“Nisur nga kjo, në shumë zona etnografike kau është përdorur edhe si dhuratë”, ka thënë Çoçaj.
Edhe për dashin në disa vise, si në fshatrat e Dibrës e Gollobordës, therja e dashit është bërë në ditën e varrimit, me ç’rast koka e tij është futur nën dhé bashkë me arkivolin, kurse mishi është ndarë në disa pjesë që u janë dhënë skamnorëve të fshatit.
“Edhe gjeli në ceremonitë familjare është përdorur mjaft shpesh në ceremonitë e dasmës”, ka shtuar Çoçaj, teksa ka përmendur edhe rastin e fshatit Grezhdan të Peshkopisë ku vjehrra në momentin e ardhjes së nuses në shtëpi e hidhte gjelin mbi kokën e nuses.
Përdorimi i argjendit në traditën shqiptare
Me një shtjellim depërtues mbi funksionet apotropaike të argjendit në traditën shqiptare, studiuesi Dardan Lajçi ka sjellë shembuj të shumtë nga krahina të ndryshme etnografike shqiptare.
“Gjatë rrugëtimit jetësor njeriu është përballur me sfida të ndryshme e në këtë kuadër argjendi zë një vend të rëndësishëm me funksion magjik mbrojtës”, ka thënë Lajçi, teksa ka shtuar se që në fillim të rekordeve historike ai ishte asociuar me pastërtinë kultike të qumështit.
Sipas tij, “mjekët egjiptianë, siç kishte shënuar Herodoti, përdornin pluhurin e argjendit për shërimin e sëmundjeve dhe mënjanimin e infeksioneve”.
“Edhe në traditën e popullit tonë argjendi nuk është përdorur vetëm për vlerën e tij, por të fuqisë që i përshkruhej”, ka thënë Lajçi gjatë leximit të kumtesës së tij “Roli mbrojtës i argjendit në mjekësinë popullore”.
Në këtë kuptim stolitë e bëra prej argjendit zinin një vend të rëndësishëm: në Malësinë e Tetovës të posalindurit të një gruaje, që më herët i kishin vdekur fëmijët, i shpohej veshi dhe i vihej një vëth argjendi.
“Këtë e hasim edhe në Rutovë ashtu sikurse edhe në Ulqin”, ka thënë Lajçi.
Praktikat e varrimit në evoluim të vazhdueshëm
Një shpalosje e praktikave të zakoneve e riteve të vdekjes është sjellë nga studiuesi e etnologu Valon Shkodra.
“Ceremonia e varrimit është një ngjarje që përcillet me zakone të ndryshme që fillon prej vdekjes së një anëtari të familjes e deri tek organizimi i ritualit të vdekjes”, ka thënë ai.
Nga vëzhgimet e bëra në terren mbi praktikat dhe ritualet e sotme të vdekjes, ai ka thënë se në shumicën e zonave trupi i të ndjerit varroset në një kohë sa më të shpejtë.
“Pasi pastrohet kufoma me ujë të ngrohtë e mbështillet me qefin, atë e ruan dikush nga familja”, ka thënë Shkodra.
Në vazhdim të kumtesës ai ka shtjelluar edhe zakonin e vajtimit, i cili më parë ishte tejet i shpeshtë.
“Gjatë kërkimeve të mia kam vënë re që në ndonjë fshat të Gollakut ka një rikthim gjatë viteve të fundit të vajtimit”, ka thënë ndër të tjerash ai.
Një analizë e paraqitjeve të vdekjes në rite e besime është shpalosur nëpërmjet kumtesës së radhës së etnologëve Bekim Xhemili dhe Ilir Sopjani.
“Në kulturën pagane vdekja nuk shihej si fund, por si kalim në një fazë tjetër të jetës”, ka thënë Xhemili, i cili e ka lexuar kumtesën e përbashkët “Muzeu dhe vdekja në rite dikur dhe sot”.
“Edhe tumat apo kodërvarret janë dëshmi për mënyrën se si janë varrosur asokohe e ku shpesh pranë të ndjerit janë lënë edhe veglat apo gjërat e tij personale varësisht statusit”.
Ritet e vdekjes janë shpalosur edhe në dy kumtesat në vazhdim: ajo e Ledia Dushit “Koncepti i vdekjes nëpërmjet ritit të gjamës” dhe ajo e Lumnije Kadriut “Varrimi në vendlindje: spiranë ankorimi e përkatësisë”.
Ndryshe, gjatë ditës në mjediset e Institutit Albanologjik janë mbajtur edhe një tjetër sesion nga etnologjia (me studiuesit Bashkim Lajçi, Artan Krasniqi, Arsim Canolli, Edibe Selimi-Osmani, Angjelina Hamza-Hasanj, Rini Useini, Bubulina Syla, Valent e Muharrem Qafleshi dhe Sadik Mehmeti), si dhe të letërsisë (Agim Vinca, Sali Bytyçi, Muharrem Jakupi, Kristaq Jorgo, Arben Hoxha, Jolanda Lila, Hysen Matoshi, Vjollca Berisha, Edlira Birko, Gëzim Aliu, Rovena Mikeli, Zahrie Kapllanaj, Meliza Krasniqi, Adil Olluri, Naime Beqiraj, Miftar Kurti dhe Fadil Grajçevci).
Ndryshe, “Java e Albanologjisë”, si i pari aktivitet i IAP-it për sivjet, shënon edicionin e 12-të me radhë. Pas një shkëputjeje që solli pandemia gjatë vitit të kaluar, ky aktivitet tradicional, nëpërmjet 85 prurjeve e kumtesave të reja nga fushat e gjuhësisë, historisë, etnologjisë, folklorit e letërsisë kanë ribashkuar albanologët nga vendi e rajoni.