Gjithçka zhvillohet si në mjegull. “Toka e shpirtrave të trazuar”, nën regji të Zana Hoxhës, ka hapur edicionin jubilar të “FemArtit”. E ndërtuar mbi poezitë e shkrimtares dhe aktivistes Shqipe Malushi, evokon kujtimet kolektive për mungesën e paqes dhe përballjen me luftën dhe konfliktin. Është thirrje për të mos harruar
Skena merr ambientin e një oborri shtëpie. Gjithçka nis me shtëpinë. Një burrë flet për imazhin e saj dhe përjetimet në të. Më pas krejt skenat zhvendosen larg oborrit të shtëpisë, në vendet ku fatin e ndanë me të panjohurit. Asnjë skenë s’është njëlloj dhe as muzika nuk flet për një ambient të pandryshueshëm.
Gjithçka zhvillohet si në mjegull. “Toka e shpirtrave të trazuar”, nën regji të Zana Hoxhës, është shfaqur premierë të martën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Shfaqja është ndërtuar mbi poezitë e shkrimtares dhe aktivistes Shqipe Malushi. Me këtë shfaqje të trupës së aktorëve të “Artpolisit”, “FemArti” ka hapur edicionin e 10-të, nën moton “Nga Revolucioni në Evolucion”. Nëpër skena shumëngjyrëshe, aktorët marrin role të ndryshme, që lidhen me kohën e luftës së fundit në Kosovë. Zëri i viktimave vazhdimisht refuzohet. Veçmas kur flitet hapur edhe për dhunimin. Nëpërmjet vallëzimit dhe muzikës skenat lëvizin në performancë. “Unë dua të jem e lirë”, vjen si thirrje në mes të lojës.
“Qëllimshëm i kam zgjedhur të gjitha këto elemente të muzikës, vallëzimit, projeksionit, aktrimit, në mënyrë që vetëm kësisoj kjo do të vijë kështu siç erdhi sonte”, ka thënë regjisorja Hoxha, e cila këtë shfaqje synon ta dërgojë edhe jashtë Kosovës. Shfaqja, që ka ardhur në një format unik tek nëpërmjet poezive të Malushit, evokon kujtimet kolektive për mungesën e paqes dhe përballjen me luftën dhe konfliktin. Poezitë që vijnë në dy gjuhë janë shkruar në fund të vitit 1999 nga autorja Malushi. Për të është ndjesi e veçantë t’i përjetojë ato vargje në skena teatri. Sipas saj, teksti synon për t’iu kthyer edhe një herë rrugës së sakrificës.
“Doja të qaja, por e mbaja veten mos me qa, u ngjall poezia, u ngjall dhimbja, u ngjall kujtimi ynë. Zana na zgjoi të gjithëve nga gjumi. Mos ta harrojmë kurrë atë dhimbje për të cilën e kemi sakrifikuar për një liri, e cila ende po na mungon ashtu siç e duam”, ka thënë Malushi për KOHËN, fill pas mbarimit të shfaqjes. Për të, kjo shfaqje erdhi pikërisht këtë vit pasi që bota po përballet me një luftë të re dhe ajo i zgjon kujtimet e çfarëdo lufte. Në skena dëgjohet shpesh zëri i nënës që duhet ta rritë fëmijën me traumat e fëmijërisë. Nëna kërkon vazhdimisht ndihmë profesionale për fëmijën e saj. Atëherë kur duket se fjalët mungojnë për të matur peshën e dhimbjes, ndërhyn kënga. Në disa raste përdoren edhe daulle e def.
Regjisori dhe dramaturgu Fadil Hysaj e ka vlerësuar si një shfaqje pa koherencë dramaturgjike, por që shpërfaq një unitet sublim që ka poezia në trajtimin e dramaturgut Shpëtim Selmani dhe regjinë e Zana Hoxhës.
“Një komponim jashtëzakonisht i bukur, me elemente magjike, me elemente rituale, ku lidhen në mënyrë harmonike të gjitha artet dhe të gjitha bashkë krijojnë një imazh që buron nga skena dhe na vjen si një imazh ëndrre, është vërtetë i rrallë në skenë. Është e vështirë të krijohet diçka e tillë në skenë dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën”, ka thënë Hysaj për KOHËN.
Shfaqja është vënë në skenë nëpërmjet lojës së Donikë Ahmetit, Kushtrim Qerimit, Qendresa Kajtazit, Mikel Markajt, Zhaneta Xhemajlit, Kaltrinë Zenelit dhe Edlir Gashit. Atyre u janë bashkuar edhe kërcimtarët: Altina Binaku, Qendrim Makolli, Erëza Grajqevci, Patriot Osmani si dhe në këndim Donika Rushiti, Shaban Behramaj, Urta Haziraj, Etrit Nura. Aktorët nëpërmjet dialogut e monologut manifestojnë pasojat e konfliktit. Shpesh jetojnë në të njëjtën situatë mes zhurmave dhe imponimit për të heshtur. Ky projekt shfaqet përmes fragmenteve të ndryshme poetike apo teksteve të mbushura me dhimbje, kushtrim, shpresë e forcë dhe si imazhe të reziliencës kolektive. Aktorët janë vlerësuar si një gjeneratë me potencial për skenën teatrore në vend.
“Këto histori si këto shpesh na duken të largëta, por janë më të afërta sa herë që ne i shohim dhe i ripërjetojmë. Një punë e jashtëzakonshme e aktorëve të shfaqjes, të cilët janë një gjeneratë e re e aktorëve që po i bashkëngjiten skenës artistike teatrore në Kosovë. Kënaqësi e madhe të shohësh fytyra të reja në teatër”, ka thënë aktori Adrian Morina për KOHËN.
Sipas organizatorëve të “FemArt”, një dekadë e artit të angazhuar kulmon me prezantimin e 24 aktiviteteve të artisteve dhe aktivisteve nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Gjermania, Austria, Portugalia, Spanja, Izraeli, Ishulli Reunion, Italia dhe Franca, që sjellin shfaqje teatrore, balet flamengo, vallëzim bashkëkohor, koncert, konferenca, diskutime, trajnime dhe punëtori. Për bashkëpunëtorët ky festival ka arritur të ecë me hapa të shpejtë ndër vite.
“Kur kthehemi mbrapa e shohim se ky nuk është ‘FemArti’ i dikurshëm, është shumë më i përgatitur, shumë më i organizuar dhe ne e presim me kënaqësi më të madhe se përpara”, ka thënë aktori Morina.
Festivali “FemArt” do të vazhdojë deri më 23 qershor me një maratonë të aktiviteteve artistike.