Në një pjesë të Prishtinës të hënën mbrëma kanë jehuar këngët e Bilbilit të Kosovës. Kjo ka qenë veç një simbolikë e dëshmi e radhës se krijimtaria e saj adhurohet nga audienca që s’ka moshë. Ndonëse pa shumë bujë për koncertin e parë të edicionit të katërt të “Rame Lahaj International Opera Festival” në një skenë të improvizuar, siç ngjan në shumicën e rasteve me koncertet që organizohen tani në kryeqytet, fotografia në ekran e Nexhmije Pagarushës ka qenë thirrja për publikun. Thirrje për t’iu rikthyer thesareve të muzikës. Mahnitëse ka qenë mexosopranoja e shquar e skenave ndërkombëtare, Farrah el Dibany, e cila ka thënë se këngët e Pagarushës do t’i dëgjoja përherë
Më shumë sesa këngë, janë thesar i krijimtarisë muzikore e trashëgimi për breza të tërë të muzikës. Nexhmije Pagarusha qe këngëtarja e plejadës së artistëve që shkruan historinë. Të pavdekshme janë ato të cilave ua kishte dhënë zërin e saj magjepsës. Vargjet do t’i ilustronte më këndimin unik që koha nuk e sfidon aspak. Skena muzikore e trevave shqiptare është e pandarë prej saj, e këtë rrëfim muzikor e ndërton tradicionalisht edhe një prej festivaleve në vend: “Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj”.
Udhëtimi nëpër traditë, nostalgji e inspirim
Në një pjesë të Prishtinës kanë jehuar këngët e Bilbilit të Kosovës. Kjo ka qenë veç një simbolikë e dëshmi e radhës se krijimtaria e saj adhurohet nga audienca që s’ka moshë.
Ndonëse pa shumë bujë për koncertin, në një skenë të improvizuar siç ngjan në shumicën e rasteve me koncertet që organizohen tani në kryeqytet, fotografia në ekran e Nexhmije Pagarushës ka qenë thirrja për publikun që kalonte andej. Ulëset e drejtuara nga skena e vendosur në sheshin “Skënderbeu” kanë qenë plot.

Derisa qielli errësohej çdoherë e më shumë, publiku shtohej e tejkalonte kapacitetin e ulëseve. Objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës të paktën tani nuk shërben për ngjarje të tilla që organizohen andejpari, e shkallët i përdor publiku.
Dritat me reflektim shumëngjyrësh e prapavija në ekran me fotografinë e Pagarushës e rrethuar me një dekor virtual artistik e kanë përcjellë përjetimin muzikor. Kjo e fundit si për të ilustruar këngët e interpretuara me figurën e këngëtares së shquar shqiptare.
Motoja “T’knoft zemra” e edicionit të katërt ka qenë përballë publikut. E nuk ka shkuar shumë dhe në koncertin e parë kanë kënduar tok zemrat e solistëve e publikut në këngën e Pagarushës që përbashkon.
Këngët e programit kanë qenë si himne të këngës shqipe. Veçmas “Baresha” që në shumë ngjarje në vend e jashtë jehon si identitet muzikor shqiptar. Me të është hapur koncerti nën interpretimin e sopranos Kaltrina Miftari. Siç ka ngjarë edhe në edicionin e kaluar të festivalit që tradicionalisht njërën mbrëmje muzikore ia dedikon opusit të këngëtares. Vetë koncerti emërtohet sipas saj – “Nexhmije Pagarusha”.

Sopranoja Miftari me timbrin e saj të butë ka sjellë edhe këngët “Kur më del në derë”, “Për mu paska ken’ kismet” e “Kosovarja e bukur”. Secila prej tyre ngjall emocione. Publiku ka kënduar shpesh njëzëri e duartrokitjet u janë bashkuar melodive.
“Kjo është hera e dytë që marr pjesë në këtë festival. Eksperiencë shumë e veçantë. Këngët i ka zgjedhur festivali, por janë të gjitha shumë të bukura dhe shumë të dashura për të gjithë ne. Aranzhmani është shumë interesant dhe më vjen mirë që publiku po e pëlqen dhe po e pranon. Pak më ndryshe sesa jemi mësuar t’i dëgjojmë këto këngë”, ka thënë Miftari pas koncertit.
Si ajo, edhe bendi kanë interpretuar në edicionin e kaluar në koncertin që i kushtohet Nexhmije Pagarushës.
“Keli Bend” në përbërje me Genti Shahinin në piano, Emilioano Dhimon në bateri, Roni Gjurën në bas, Xhino Dajën në trumbetë, Ilir Vorpsin në tromb dhe Brikel Gugën në tenor-saksofon i kanë përcjellë solistët me muzikë me ngjyra jazzi. Muzika është aranzhuar nga Guga.
Me to është ndërthurur interpretimi i këngës lirike. Mahnitëse ka qenë mexosopranoja e shquar e skenave ndërkombëtare, Farrah el Dibany. Ka kënduar në shqip për herë të parë të hënën mbrëma, duke interpretuar këngët ikonike të Pagarushës – “Vet ke mbet”, “E dehun jam” dhe “E kujtoj at’ takim“.
Farrah el Dibany: Këngët e Pagarushës do t’i dëgjoja pandalur
Ritmi, shqiptimi i fjalëve, koordinimi me orkestrën kanë bërë që të këndojë tamam si versionet origjinale të këngëve. Publiku ka qenë i vëmendshëm në interpretimin e saj. Duartrokitjet buçisnin në partiturat e muzikës, si për ta aprovuar interpretimin e saj. Dhe ajo ka qenë e vetëdijshme për këtë.
“Ishte paksa e vështirë t’i memorizoja fjalët. Kjo ishte vështirësia e vetme, kështu që nisa t’i mësoja fjalët nga zemra. Por sinqerisht shqiptimi ishte shumë i lehtë. Audienca ishte shumë mikpritëse, inkurajuese. E ndieja energjinë kur midis këngëve duartrokisnin për të më dhënë kurajë. Donin të ma bënin me dije se veçse ishin të lumtur që këndoja këngën e tyre”, ka thënë Farrah el Dibany e cila ka interpretuar një sërë role operash në skena prestigjioze botërore dhe ka bashkëpunuar me institucione të mëdha.
Pos studimeve në akademinë e muzikës “Hanns-Eisler” në Berlin, ku është diplomuar për këndim operistik, ajo ka diplomë edhe në arkitekturë. Ka kënduar në opera të ndryshme. Performanca e saj e Carmenit në Berlin ka bërë që të marrë çmimin e “Opernwelt Magazine” si artistja më e mirë në zhvillim e operës. Prej vitit 2016 ka qenë në rezidencë në “Académie de l'Opéra national de Paris”, duke interpretuar një sërë rolesh. Është shpërblyer me disa çmime, përfshirë “Prix Lyrique de l'AROP”. Ka performuar e ftuar edhe në ngjarje të mëdha jashtë skenës muzikore si në ndeshjen finale të Botërorit në futboll në vitin 2022 ku ka interpretuar himnin francez.

Këngët shqipe ka thënë se janë tejet të veçanta dhe se kanë një pikë ngjashmërie me këngët tradicionale të vendit të saj.
“Këngët janë shumë të veçanta pasi kanë ritmin ballkanik, një përzierje e shumë muzikave, thjesht një muzikë e bukur me një lloj prekje orientale. U ndjeva vetvetja në këto këngë dhe do t’i dëgjoja pandalur”, ka thënë ajo.
Është shprehur e emocionuar me interpretimin e këngëve në një gjuhë të cilën nuk e ka kënduar asnjëherë. Ka thënë se ka qenë mundësi njohjeje me një kulturë të cilën e ka pëlqyer tej mase.
“Isha shumë e emocionuar të interpretoja në një gjuhë të cilën nuk e kam kënduar asnjëherë, këngën shqipe. Nuk e di aspak dhe më vjen mirë që e kisha mundësinë të mësoja për Nexhmije Pagarushën nëpërmjet këngëve të saj. Nuk ishte shumë e vështirë ta mësoja gjuhën, sepse me të vërtetë u dashurova në këto këngë. Në momentin e parë kur i dëgjova krijova një lidhje me to dhe e ndjeva më të lehtë pranimin e tyre. E bëra më të mirën nga vetja, shpresoj se publiku e ka pëlqyer”, ka thënë më tej mexosopranoja egjiptiane.

Muzika që bashkon shpirtërisht
Sopranoja Adelina Thaçi ka qenë tjetër soliste e mbrëmjes që ka sjellë tekstet e bukura e tërheqëse që kanë tejkaluar breza dhe janë kthyer në këngë simbol dhe të pavdekshme. Me “Dashuro”, “Zani tij më thërret” dhe “Kur një ditë të kthehesh ti” ka ilustruar një pjesë të opusit të cilin Pagarusha ia kushtonte dashurisë.
Nëpërmjet këngës është zbërthyer imazhi i këngëtares që njihet si mbretëreshë e muzikës shqipe. Përtej këngës së saj të cilën e vishte me ngjyrat e lirikes, ajo edhe e këndonte atë. Do të vijonte shkollën e muzikës për solo këndim në Beograd, ku edhe kishte paraqitjen e parë në skenë. Ajo ka qenë e para që ka mbajtur një koncert të muzikës klasike me vepra të përkthyera në shqip të Beethovenit, Puccinit e Verdit. Koncert që fatkeqësisht nuk ishte incizuar.
Baritoni Artur Vera, solist në Teatrin Kombëtar të Operës në Tiranë, ka sjellë këngët “Dashnor t’u bana”, “As aman trëndafil i çelës”, “Kapidan o djal’ i ri” dhe “Vajza me kaçurrela”. Në duet me sopranon Kaltrina Miftari ka interpretuar këngën “O moj bukuroshe”.

Vera ka thënë se ka qenë privilegj e nder të interpretosh në emrin e Nexhmije Pagarushës.
“Për mua si këngëtar lirik ka qenë pakëz sfiduese, sepse janë sjellë në një version tjetër, sepse i sjell në kohë dhe u shton vlerën. Ka qenë eksperiencë shumë e bukur dhe them se nuk ka shembull më të mirë të bashkimit tonë dhe të njëqenësisë së kulturave sesa muzika, e cila na bashkon të gjithëve shpirtërisht. Ky ishte një shembull që ne të gjithë bashkë bëhemi edhe me ca gjëra që janë më shpirtërore, në thelb është kultura e përbashkët dhe për këtë gjë jam shumë i lumtur”, ka thënë baritoni shqiptar.
Programi i “Rame Lahaj International Opera Festival” tash e katër edicione segmentohet në mbrëmje të veçanta. Njashtu si koncerti “Nexhmije Pagarusha”. Koordinatori i programit artistik, Besmir Vokopola, ka thënë se sivjet risia ka qenë këngëtarja egjiptiane, ndërsa ka theksuar edhe zhvendosjen në ambient të hapur si rrjedhojë e mungesës së një salle me kapacitete të mjaftueshme.
“Kjo tashmë është kthyer në një prej traditave të Festivalit. Në vitet e kaluara kemi vënë re që audienca ishte tejet e madhe dhe nuk kishim salla për të akomoduar të gjithë dhe sigurisht sivjet risia ishte që përpos artistëve nga Kosova dhe Shqipëria ishte edhe një artiste nga Egjipti që këndon shqip. U munduam ta bëjmë ndërthurjen e kulturave pasi mendojmë se arti është gjuha e shpirtit dhe jo forma e gjuhës ndërkombëtare. Më të lumtur se kaq nuk mund të jemi”, ka thënë ai.
Si tradicionalisht, Festivali sivjet nisi me ekspozitë më 21 korrik. “Athua ëndërr ishte ti” shpalosi vepra të artistëve të shquar të skenës vendore në Galerinë e Fakultetit të Arteve.
Të mërkurën mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare do të mbahet edhe koncerti “Opera Night” që do t’i kushtohet kompozitorit italian Giacomo Puccini me rastin e 100-vjetorit të vdekjes, ndërsa në të njëjtin lokacion, më 28 korrik do të shfaqet dhe koncerti “New Generation”. Në sheshin “Zahir Pajaziti” do të mbahet koncerti “Ensemble Evening”. Gala-mbrëmja “Rame Lahaj & Friends” me Orkestrën e Operës së Kosovës e përmbyll edicionin e sivjetmë në sheshin “Skënderbeu”.