Kulturë

”T’knoft zemra” me operë për traditë, pasuri e inspirim

Festivali "Ramë Lahaj International Opera Festival"

Vjet, në edicionin e tretë, mbrëmja e fundit gala e “Ramë Lahaj International Opera Festival”, më 23 korrik, e kishte bërë sheshin qendror të Prishtinës skenë të kryeveprave operistike e yjeve ndërkombëtarë

Frymëzuar nga kujtimet e tenorit Ramë Lahaj, i rritur me këngët e njohura të muzikës shqipe, të cilat i këndonte nën urimin e nënës ‘T’knoft zemra’, këtë vit festivali “Ramë Lahaj International Opera Festival” bën ndërlidhjen e trashëgimisë muzikore dhe rrëfimeve personale të artistëve me gjuhën universale të operës. Me këtë uratë të shndërruar në moto festivali synon të frymëzojë dashurinë për të kaluarën, ta pasurojë të tashmen dhe t’i inspirojë gjeneratat e reja të këndojnë me zemër

Vera për skenën kulturore në vend paralajmëron aktivitete të shumta e nuk do të mungojnë as ngjarjet të cilat tashmë veçse janë bërë traditë. Në kryeqytet rikthehet edhe festivali “Ramë Lahaj International Opera Festival”, me edicionin e katërt, njëherësh i vetmi që i dedikohet posaçërisht operës. Prej 21 korrikut e deri më 2 gusht do të shpaloset i tërë programi i këtij edicioni nën një motiv përmbledhës krejt të veçantë. 

Frymëzuar nga kujtimet e tenorit Ramë Lahaj, i rritur me këngët e njohura të muzikës shqipe, të cilat i këndonte nën urimin e nënës “T’knoft zemra”, këtë vit festivali RLIOF bën ndërlidhjen e trashëgimisë muzikore dhe rrëfimeve personale të artistëve me gjuhën universale të operës, pikërisht nën moton “T’knoft zemra”. 

Në komunikatën për media thuhet se “nën temën ‘T’knoft zemra’, RLIOF festivali synon të frymëzojë dashurinë për të kaluarën, ta pasurojë të tashmen dhe t’i inspirojë gjeneratat e reja të këndojnë me zemër e të marrin rrugë drejt skenave prestigjioze të operës”. 

Edicioni i katërt do të hapet me një ekspozitë. Ngjashëm kishte ngjarë dhe vjet, kur ekspozita “Rrnofsh sa malet!” e kuruar prej Övül Ö. Durmuşoğlu i kishte prirë maratonës së koncerteve të edicionit të tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës. 

“Athua ëndërr ishe ti” do të jetë ekspozita e këtij viti e kuruar nga Arta Agani. Në Galerinë e Fakultetit të Arteve do të shpalosen disa kryevepra nga koleksioni privat i Rasim Merlakut, përfshirë ato të artistëve të njohur si: Adem Kastrati, Engjëll Berisha, Hamdi Bardhi, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri e të tjerë. 

“‘Athua ëndërr ishe ti’ hulumton simbolet e thella dhe shpesh të fshehura që artistët përdorin për të përfaqësuar ëndrrat, dashurinë dhe nostalgjinë. Duke eksploruar këto tema përmes pikturës, ekspozita synon të zbulojë gjuhën universale të simboleve që flet për thellësitë e përvojës njerëzore. Pikturat e koleksionit të Merlakut përfshijnë një gamë të gjerë temash dhe shprehjesh; megjithatë disa prej tyre në veçanti lidhen për nga poetika që përmbajnë e që korrespondon me festivalin dhe temën e sivjetme ‘T’knoft zemra’”, thuhet në përgjigjen e RLIOF-it, të pyetur rreth përmbajtjes së ekspozitës. 

Përveç ekspozitës, këtë edicion mbrëmja e dytë më 22 korrik do  të shënohet me një koncert që i dedikohet Nexhmije Pagarushës. Siç ndodh edhe tradicionalisht, RLIOF tashmë veç mbrëmjeve muzikore, për talentet e reja në muzikën klasike ofron dhe mundësi të ndryshme bashkëpunimi e inspirimi.  Tashmë ka hapur thirrjen për pjesëmarrje në masterklasën me mjeshtrin e vokalit Dario Russo si dhe mysafirin special të këtij edicioni, Matteo Pais nga ‘Academia del Maggio Musicale’. Më datë 24 korrik në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare do të mbahet edhe koncerti “Opera Night”, i cili do të sjellë emra të ndryshëm të lirikës, por që ende nuk janë bërë të ditur. 

Në të njëjtin lokacion, më 28 korrik do të shfaqet dhe koncerti “New Generation”, i cili do ta njoftojë publikun me talente të reja në muzikën operistike. Edhe sheshet e kryeqytetit do të “pushtohen” nga RLIOF 2024. Ende në mungesë të sallave adekuate që akomodojnë të interesuarit dhe kushtet teknike për festivale të tilla më 26 korrik, sheshi “Zahir Pajaziti” do të jetë nikoqir i koncertit “Ensemble Evening”. Gala-mbrëmja “Ramë Lahaj & Friends” me Orkestrën e Operës së Kosovës do t’i vërë vulën këtij edicioni të katërt në sheshin “Skënderbeu”, sikur vitin e kaluar. Vjet, në edicionin e tretë, mbrëmja e fundit gala e kishte bërë sheshin qendror të Prishtinës skenë të kryeveprave operistike e yjeve ndërkombëtarë si Massimo Cavalletti dhe Yulia Suleimanova, ndërkaq ylli botëror i operës, Alessandro Safina, kishte qenë njëri prej kryepersonazheve në përmbyllje të edicionit të kaluar.