Pas përurimit në Tiranë, libri “Tinka Kurti - Ditari i një bashkëshorti” i autores Anila Mema është prezantuar edhe në Prizren. Ky publikim sjell dimensionin njerëzor të aktores së shquar shqiptare. Sipas autores së librit, lexuesi ka mundësinë që të njihet me përditshmërinë e saj, se çfarë bënte kjo aktore për përgatitjen e një roli apo edhe pas përfundimit të shfaqjes. Ndërsa vetë aktorja Tinka Kurti ka rrëfyer se si bashkëshorti i saj ka përcjellë me vëmendje çdo projekt të saj dhe se ka qenë një kritik, për ta ndihmuar procesin e përparimit artistik
Libri që përmban rreth 40 vjet ditar mbi jetën artistike të aktores veterane, Tinka Kurti, është promovuar edhe në Prizren. Me këtë rast është theksuar se “Tinka Kurti - Ditari i një bashkëshorti” i autores Anila Mema është një botim i veçantë, mes ditarit dhe albumit fotografik, i shoqëruar me kujtime e rrëfime të panjohura që datojnë që 70 vjet më parë si dhe me fotografi origjinale dhe të papublikuara deri më tash. Në një gërshetim prej shpirti e fryme, ditari i shkruar nga muzikanti Palokë Kurti, përkatësisht bashkëshorti i “Artistes së popullit” dhe “Mjeshtres së madhe”, Tinka Kurti, paraqet një përzierje mes ndjesive, madhështisë, sinqeritetit, dëshirave, përjetësisë, pikëllimit, intimitetit, suksesit dhe dështimit. Këtë ditar, Palokë Kurti, e ka mbajtur me kujdes, duke shkruar në të pas çdo premiere teatrore apo të filmit, teksa Tinka ka rrëfyer momentet e saj në prova e shfaqje, në skena e shesh-xhirime.
Të pranishmit kanë pasur mundësi që të mërkurën mbrëma të bashkëbisedojnë me aktoren veterane, si dhe me autoren e librit në fjalë, ku aktorja Tinka Kurti ka rrëfyer se si bashkëshorti i saj ka përcjellë me vëmendje çdo projekt artistik të saj dhe se ka qenë një kritik i mprehtë, gjë që ka ndikuar edhe në rritjen e saj profesionale.
“Pak gjëra të vogla si i shihte, do t’i komentonte. Këto gjëra pak a shumë burri im i kishte të ngjeshura në shpirtin e vet. Dhe gjithmonë i thosha: ‘Po ti je punëtor i teatrit ç'punë ke të shkosh të marrësh biletë të rrish atje’. Më thoshte, unë dua me të pa aty deri në fund, gjithçka. Edhe s’kishte fare zor me më kritiku. Më thoshte: ‘Këtë e ke bërë gabim, këtë e ke thënë gabim. Mbaje mend për tjetër herë’”, ka thënë Kurti.
Autorja e librit, Anila Mema ka bërë të ditur se shkrimi i këtij libri ka qenë sfidues dhe aspak i thjeshtë, për shkak se gjithçka duhej të bazohej në besim.
“Ishte një punë e vështirë, më shumë se dyvjeçare, por gjithsesi me këmbëngulje, me durim, ia arrita dhe jam shumë e lumtur sot që ajo e pëlqen këtë punë dhe jam mirënjohëse që ma besoi, patjetër", ka theksuar ajo.
Mema ka thënë se bëhet fjalë për një ditar personal që flet për aspektin profesional të saj, por nëpërmjet të cilit shpaloset funksionimi i teatrit, por edhe i shoqërisë.
“Është një ditar që përfshin aty prapaskena, prapaskena rolesh, prapaskena marrëdhëniesh njerëzore, marrëdhënie me regjisorë, marrëdhënie me aktorë, marrëdhënie me njerëz, si ka funksionuar teatri, si kanë funksionuar shfaqjet dhe ne nëpërmjet historisë së saj njohim se si funksionon një teatër, si ka funksionuar një shoqëri, dhe si po funksionon sot. Edhe sot unë shoh paralelizma, 70 vjet më vonë, që kur ka nisur të shkruhet ai ditar për herë të parë në 1950 që me shfaqjen 'Përmbysja' sot 70 vjet më vonë gjej paralele. Unë vij nga teatri dhe e di si funksionojnë prapaskenat e teatrit, ndryshon vetëm forma e të bërit të gjërave, por nuk ka ndryshuar asgjë”, është shprehur ajo.
Sipas saj, meritat për këtë libër i takojnë Palokë Kurtit, pasi ai me pedanteri e përpikëri për dekada me radhë ka mbajtur ditarin për punën profesionale të bashkëshortes së tij, duke qenë këmbëngulës që të bisedonte me të pas çdo projekti të realizuar.
“Po të mos ishte ai, nuk do të ishte sonte ky ditar. Edhe nuk do ta njihnim Tinkën në këtë dimension, në dimensionin njerëzor, do ta njihnim ashtu sikurse e njohim patjetër një artiste të madhe, një artiste që ka një karrierë shumë të gjatë skenike dhe kinematografike, por nuk do ta njihnim në aspektin njerëzor. Në këtë ditar ne shohim se si ka funksionuar ajo si një njeri, cila ishte përditshmëria e saj, çfarë bënte ajo për përgatitjen e një roli, apo çfarë bënte ajo pas përfundimit të një shfaqjeje, domethënë një jetë krejt tjetër nga ajo që ne njohim dhe shohim nëpërmjet ekraneve”, ka thënë Mema.
Tinka Kurti është njëra nga aktoret më të njohura shqiptare. Puna e saj shumëvjeçare, përfshin më shumë se 150 shfaqje teatrore dhe mbi 50 filma artistikë. Ajo është vlerësuar me medaljen: Artistja e Popullit në Shqipëri.