Kulturë

“Thurje kosovare” qendërzon artistet me art e aktivizëm

Veprat e mbi njëzet artisteve në “Thurje kosovare” nuk vijnë thjesht për të shpalosur tema, rrëfime, situata a teknika. Ato bëhen bashkë për t’i dhënë jehonë krijimtarisë së gruas. Artin e tyre e zhvendos në qendër duke ia kthyer borxhin e duke mos e kundruar si krijimtari të dorës së dytë. “Gratë kanë qenë gjithmonë pjesë e skenës kreative, por gjithmonë në sfond, dhe edhe atëherë kur janë bërë pjesë e skenës, prezenca e tyre ka qenë gjithmonë më e vogël në raport me burrat”, ka thënë Eliza Hoxha, kuratore e ekspozitës së hapur në Galerinë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

Një grua me flokë të bardhë të derdhur në krahët e saj ka dy brirë, të cilët dalin nga dy anët e kokës. Vajza ka një natyrë të zbehtë e fytyrë të mprehtë. Brirët janë kontrasti. Por kjo vajzë nuk duket aspak e mërzitur nga ky “deformim”, madje duket sikur brirët i mban krenarisht porsi një kurorë.

“T’dalshin brinat” e ka titulluar pikturën në akrilik, në pëlhurë, artistja e mbi dhjetë ekspozitave personale, Fitore Berisha.

Më larg saj është fotografi që portretizon një vajzë e një plak tek qëndrojnë të kapur në bërrylat e njëri-tjetrit njashtu sikurse edhe vështrimi. Ndonëse vetë pozicioni i tyre ngjan si një luftë mes babait dhe bijës, një luftë gjeneratash, idesh, artistësh, megjithatë buzëqeshja që vërehet lehtas në mimikën e tyre reflekton energji pozitive e një ndjenjë kujdesi të këtyre personazheve. “Pa titull” titullohet fotografia e artistes dhe aktivistes Alketa Xhafa - Mripa. Personazhet: vetë ajo, me atë atin piktor, akademik Xhevdet Xhafa.

Krejt në anën tjetër gjendet piktura në teknikë e kombinuar me ngjyra dhe materiale tekstili, ku shihen ca rroba të cilat janë vendosur për t’u tharë. “Laj-shplaj” e ka quajtur atë artistja nga Gjilani, Magbule Xhemaili. Titulli i saj duket si ritmi i jetës së grave, të cilat sillen rreth vorbullës së larjes e shpëlarjes.

Të gjitha këto vepra së bashku edhe me vepra të tjera si piktura, fotografi e skulptura thurin ekspozitën e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e hapur të enjten mbrëma në galerinë e këtij institucioni. Ekspozita e nismuar nga vetë AShAK-u dhe skulptori akademik Luan Mulliqi ka për kuratore Eliza Hoxhën. Ajo ka ftuar njëzet e pesë gra kosovare, nga brenda dhe jashtë vendi, që t’i sillnin veprat e veta artistike dhe të endnin historitë e tyre përmes artit në ekspozitën “Thurje kosovare”.

Rrëfimet thuren nëpërmjet veprave të artisteve: Alije Vokshi, Alketa Xhafa-Mripa, Arta Agani, Argenita Fetahu, Arjeta Mala, Arlinda Hajrullahu, Blerta Syla-Surroi, Eliza Hoxha, Fitore Berisha, kolektivi “Haveit”, Kaltrina Hoda - Zoe, Lala Meredith-Vula, Laura Sllamniku-Kryeziu, Lyra Zajmi, Magbule Xhemaili, Marigona Ademi, Mjellma Goranci-Firzi, Shqipe Kamberi, Teuta Alaj-Pula, Valdeta Veliu-Vuçitërna, Violeta Xhaferi, Zake Prelvukaj dhe Zana Ramadani.

Në hapje ishte ftuar edhe grupi muzikor “Zanat”, i cili po ashtu përbëhet vetëm nga artiste, si: Adelina Thaçi, Elida Kryeziu, Arstina Kadiu, Albana Piperku dhe Diellza Sylejmani. Ky grup, i shoqëruar nga pianisti Edon Ramadani, solli “Perëndeshë e bukurisë” dhe “O moj bukuroshe”, të cilat e plotësuan edhe më shumë mozaikun e grave krijuese.

Kuratorja dhe njëherësh edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë për KOHËN se kjo ekspozitë vjen si ide për t’u dhënë hapësirë grave që të duken dhe të vlerësohen duke qenë se, sipas saj, ato kanë krijuar gjithmonë art, mirëpo arti i tyre nuk është vlerësuar siç do të duhej.

“Qëkur njerëzit kanë jetuar në shpella e pastaj në hapësirat e brendshme e dikur në hapësirat publike ka një gjë që i ka përcjellë dhe i ka lënë përherë në plan të dytë. Më vonë, kur artet e bukura kanë filluar të shfaqen në hapësirat publike, zanatet, tekstili, thurjet, endjet, që gratë i kanë bërë ndër shekuj, nuk e kanë marrë vëmendjen e duhur, por ato janë klasifikuar si punë të dorës së dytë”, ka thënë Hoxha.

Më vonë, kur këto arte, që deri atëherë janë konsideruar të dorës së dytë, kanë filluar të punohen nga burrat, sipas Hoxhës, “nisin e marrin vëmendje”.

Sipas saj, gruaja ka qenë gjithmonë artiste dhe krijuese kreative, por ajo ka vazhduar të mbetet në sfond edhe jashtë skenës. Edhe më vonë pabarazia, sipas saj, ka vazhduar.

“Gratë kanë qenë gjithmonë pjesë e skenës kreative, por gjithmonë në sfond dhe edhe atëherë kur janë bërë pjesë e skenës, prezenca e tyre ka qenë gjithmonë më e vogël në raport me burrat”, është shprehur ajo.

Image
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me “Thurje kosovare” ka hapur dyert për artin e artisteve

Ka theksuar se gruaja është ajo e cila ka ditur ta përdorë artin për t’iu kundërvënë pabarazive dhe për t’i thyer tabutë me ç’rast prezenca e saj në art është e domosdoshme.

“Kur e shikon zhvillimin e artit, nevojën që të kenë të drejtë pjesëmarrjeje në hapësira publike dhe institucione publike, shohim se ato e kanë përdorur artin për t’i thyer tabutë dhe kjo i cilëson gratë si shtyllë kryesore të artit aktivist”, ka thënë Hoxha.

Ideja për titullin “Thurje kosovare” Eliza Hoxhës i lindi mu për shkak të kësaj gjendjeje. Përmes kësaj ekspozite ajo ka thënë se ka synuar t’iu jepte një mundësi për të dalë në qendër e për të protestuar dhe për t’u revoltuar me artin e tyre.

Megjithatë, sipas saj, tashmë gratë edhe nëse nuk do të kenë hapësirë fizike, ku do të mund të shprehin talentin e tyre, ato do ta shfaqin artin e tyre edhe nëpërmjet formave të reja digjitale.

“Nga thurjet të cilat kanë qenë jashtë vëmendjes dikur, unë kam arritur te këto thurje që sot janë edhe në hapësirat e pikseluara, veprat e pikseluara teknologjike, zhvillimet që neve sot na e mundësojnë që edhe nëse nuk kemi hapësira fizike ne mund t’i përdorim endjet tona, thurjet tona teknologjike për të krijuar hapësirat tona në mediat sociale apo platforma të tjera”, ka thënë ajo.

Njëri nga ideatorët e ekspozitës, akademik Luan Mulliqi, ka thënë se me këtë ekspozitë, ndër të tjera, arkivit të AShAK-ut i janë shtuar edhe katër vepra nga katër artistet pjesëmarrëse në këtë ekspozitë.

“Seksioni i Arteve ka një arkiv shumë të pasur dhe një fond të pikturave të artit pamor, skulpturave, grafikave, zhanreve të tjera të shprehjeve të artit, katalogë dhe botime të artit pamor dhe muzikës. Është një fond mjaft i pasur të cilin akademia e pasuron vit pas viti, ndërsa nga sot kemi edhe katër vepra të reja që janë dhuruar nga artistet: Zake Prelvukaj, Eliza Hoxha, Valdete Viçiterna dhe Teuta Alaj-Pula”, ka thënë akademik Mulliqi.

Image
Përtej anës estetike, në “Thurje kosovare” veprat dominohen prej aktivizmit me art

“Geto botërore” titullohet vepra që Zake Prelvukaj ia ka dhuruar AShAK-ut

“Mua me erdhi shumë mirë të jem pjesë e kësaj ekspozite duke pasur parasysh edhe emrat, të cilët kanë marrë pjesë në të. Dhe përveç kësaj, u ndjeva shumë mirë që kjo iniciativë ka ardhur nga Akademia e Shkencave dhe nga skulptori i nderuar Luan Mulliqi, sepse një ekspozitë e tillë na ka munguar shumë”, ka thënë Prelvukaj.

Ekspozita “Thurje kosovare” do të qëndrojë e hapur për publikun për rreth një muaj.