Në fillim të këtij viti artistja Alketa Xhafa-Mripa kishte themeluar një organizatë për të adresuar çështjet shoqërore nëpërmjet artit. E kishte titulluar “Through Arts We Rise” (Përmes artit ne lartësohemi). Këtë muaj artistja që jeton në Londër i është përveshur punës.
Përmes kësaj organizate ka hapur thirrjen e parë për artistë. “Homelessness identities” (Identitetet e të pastrehëve) është projekti me të cilin artistja nga Peja është në kërkim të veprave artistike nga e gjithë bota. Synon që në këtë formë të ndërgjegjësojë shoqërinë për fatin e të pastrehëve.
Sipas saj, të pastrehët janë çështje sociale dhe të qenit pa kulm mbi kokë është një krizë urgjente në gjithë botën. E për këtë kjo kategori, sipas saj, meriton vëmendje dhe ndjeshmëri më të madhe.
“Through Arts We Rise” është themeluar me idenë që nëpërmjet artit të angazhohen në shoqëri njerëzit kreativë dhe të ndihmojnë në vetëdijesimin dhe mbështetjen e çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, me theks te pabarazitë e padrejtësitë. Me qendër në West Hampstead të Londrës, qëllim tjetër, ashtu siç ka thënë Xhafa-Mripa, është që edhe komuniteti të krijojë projekte me audiencë specifike dhe të propozojë ndërhyrje kritike brenda sistemeve ekzistuese shoqërore.
E përmes thirrjes për projektin “Homelessness identities”, Xhafa-Mripa ka ftuar artistët nga e gjithë botë që të aplikojnë me ndonjërën nga format e artit për temën e përzgjedhur që të vënë në pah jetën e atyre që janë me së shumti të prekur nga virusi COVID-19. Ka treguar se të gjitha aplikacionet do të shfaqen në rrjetet sociale të organizatës si një ekspozitë digjitale, ndërsa gjashtë prej tyre do të përzgjidhen për një instalacion në West Hampstead, që pritet të realizohet në fund të vjeshtës së këtij viti. Piktura, fotografi, skulptura, performanca, poezi, video e media të reja, disa prej mediumeve me të cilat artistët mund të aplikojnë.
“’Through Arts We Rise’ si organizatë jopërfituese ka për qëllim promovimin e artistëve të ndryshëm që merren me temat për të drejtat e njeriut. Prandaj kemi vendosur në këtë kohë të hapim platformën për të gjithë artistët që të aplikojnë online për temën ‘Homelessness identities’”, ka thënë ajo. Veprat artistike duhet që të dërgohen në adresën elektronike “[email protected]” të organizatës deri më 31 maj.
“Thirrja është për të gjithë artistët anembanë botës pasi që edhe ne si organizatë kemi për qëllim që t’u jepet mundësia dhe hapësira të gjithë krijuesve që të aplikojnë. Arti nuk njeh kufij e po ashtu as solidariteti”, ka thënë ajo. Sipas saj, është detyrë e të gjithëve që të kujdesen për njerëzit gjatë gjithë kohës.
“Të pastrehët janë një çështje sociale. Adreson problemet me shëndetin publik e po ashtu edhe me të pasurit e një shtëpie. Nuk ka asnjë arsye përse dikush duhet të përfundojë i pastrehë. Që të dyja, edhe rrethanat personale, por edhe një gamë e gjerë e faktorëve, luajnë rolin e tyre në këtë situatë. Të pastrehët kanë fytyra të ndryshme, identitete të ndryshme”, ka thënë ajo. Sipas saj, nëpërmjet punës së tyre organizata dëshiron që ta ndërgjegjësojë publikun për tregimet e ndryshme që e përbëjnë jetën e një individi të pastrehë, takimi i përditshëm me të cilët shpesh mund të jetë shpërfillës.