Kulturë

Thirrja e vonuar për skenën e pavarur fuqizohet me mbështetje trevjeçare

Thirrja

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë vit, si subvencione dhe transfere te kategoria “Përkrahja për kulturën” ku edhe merren mjetet, për skenën e pavarur figurojnë 4.9 milionë euro (Foto: Driton Paçarada)

Fuqizimi i skenës së pavarur kulturore është synimi i cili lansohet edhe në “Thirrje publike për projekt-propozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2024”. Përderisa vonesa e hapjes së thirrjes tashmë tradicionale rezulton me vonesë në shpërndarjen e mjeteve e pasiguri te përfituesit, risi është mbështetja trevjeçare për ata që janë dëshmuar në realizimin e projekteve kulturore. Ministria e Kulturës e ka vazhduar traditën e mospërgjigjes për tema të ndryshme. KOHA i ka dërguar pyetje për thirrjet e sivjetme. Për pesë ditë nuk ka pasur përgjigje

Ministria e Kulturës vazhdimisht është kritikuar për vonesa në hapjen e thirrjes nëpërmjet së cilës përkrah skenën e pavarur të kulturës dhe projektet e trashëgimisë kulturore. Vitin e kaluar “lëmshi” kishte shkuar deri në atë masë, saqë brenda 24 orëve publikonte lista të rezultateve, i fshinte ato dhe brenda natës ndryshonte shuma mbështetëse me komision ku asnjë anëtar s’kishte të bënte me artin e kulturën. 

Sivjet e ka vazhduar traditën e vonesës. Tek në fund të marsit ka hapur atë që është “Thirrja publike për projekt-propozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2024”. Dallimi i vetëm sivjet është edhe mundësia e përkrahjes së programeve trevjeçare. Përderisa kjo shihet si pozitive, vonesa në hapjen e thirrjes krijon goxha telashe për organizatat që organizojnë ngjarje të përvitshme. Po në mars është hapur edhe “Thirrja publike për fondin e mobilitetit 2024”, nëpërmjet së cilës synohet përkrahja e prezantimit ndërkombëtar të sportit, rinisë, artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore. 

“Thirrja publike për projekt-propozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2024” sivjet ka katër kategori: Mbështetje trevjeçare për zhvillimin organizativ dhe programor për OJQ-të e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, programet njëvjeçare dhe organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, projektet dhe ngjarjet e njëhershme në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe projektet e krijuesve ose artistëve të rinj.

Nëpërmjet kësaj thirrjeje që do të jetë e hapur deri më 18 prill MKRS-ja ka për synim promovimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore nëpërmjet pasurimit, diversifikimit dhe rritjes së cilësisë së jetës kulturore. Më pas synohet nxitja e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në jetën kulturore brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës. 

“Fuqizimi i koordinimit dhe partneritetit ndërmjet institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe shoqërisë civile përmes fuqizimit të skenës së pavarur kulturore dhe nxitjes së akterëve të rinj që veprojnë në fushën e kulturës, nxitja e partneritetit nëpërmjet nismave dhe projekteve të përbashkëta ndërmjet akterëve të skenës së pavarur kulturore me organizata dhe institucione kulturore të shteteve me të cilat Republika e Kosovës ka marrëveshje kulturore”, shkruhet, midis të tjerash, te objektivat.

Zhvillim afatgjatë i organizatave të dëshmuara

Te kategoria e parë e kësaj thirrjeje, “Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” si format që MKRS-ja do ta aplikojë për herë të parë synon të bëjë fuqizimin e skenës së pavarur kulturore nëpërmjet zhvillimit afatgjatë të organizatave të dëshmuara të cilat janë të profilizuara në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Sipas thirrjes, përkrahja 3-vjeçare ka për objektiva rritjen e cilësisë së krijimtarisë artistike, nxitjen dhe fuqizimin e partneritetit në mes të komunitetit vendor kulturor me organizata dhe institucione kulturore evropiane e përmirësimin e kushteve të përshtatshme të operimit të akterëve kyç të skenës së pavarur kulturore, “përfshirë këtu hapësirën operuese për ushtrim të veprimtarisë së tyre, kapacitetin e nevojshëm njerëzor menaxhues dhe profesional”.

Periudha e zbatimit të programit në këtë kategori është 36 muaj, përderisa shkalla e mbështetjes vjetore sillet prej 50 deri në 100 mijë euro. Pra, nga 50 mijë deri në 100 mijë euro mbështetje vjetore mund të përfitojë një OJQ për vitet 2024, 2025 dhe 2026. 

Te kategoria e dytë, “Programet njëvjeçare dhe organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore”, ku po ashtu mund të aplikojnë vetëm OJQ-të, shuma e përkrahjes mund të shkojë deri në 40 mijë euro. 

Te kategoria “Projektet dhe ngjarjet e njëhershme në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore” kanë mundësi të aplikojnë OJQ-të dhe individët. Në të dyja rastet shuma maksimale e mbështetjes për përfituesit mund të shkojë deri në 20 mijë euro. 

Kurse të kategoria e katërt, “Projektet e krijuesve, përformuesve (artistëve të rinj)” mund të aplikojnë vetëm individët e moshës deri në 29 vjeç. Në këtë rast, shuma maksimale e mbështetjes për përfituesit mund të shkojë deri në 5 mijë euro.

Pasiguria me vonesën e mbështetjes

Vonesa e hapjes së thirrjes vazhdimisht ka shkaktuar telashe në organizimin e ngjarjeve. Zakonisht kur thirrjet janë hapur në mars, rezultatet nuk janë publikuar deri në qershor. Më pas derisa janë lidhur kontratat e janë transferuar mjetet, në shumë raste përmbyllja e projektit ka shkuar deri në fund të vitit. 

Ka prej ngjarjeve që mbahen edhe pa u shpallur rezultatet. Prej tyre është “Chopin Pino Fest”, ku sivjet edicioni i 14-të do të mbahet gjatë muajit maj. Në raste të tilla planifikimi buxhetor sa i përket përkrahjes nga MKRS-ja mund të bëhet me njësinë e “tahminit”. 

Drejtoresha menaxhuese e Festivalit, Besa Luzha, ka thënë se thirrjet për projekte kulturore në parim do të duhej të shpalleshin në fund të vitit paraprak, në mënyrë që të nisin planifikimet me kohe. 

“Por vitin e kaluar ka pasur probleme teknike në aplikimin e parë, prandaj MKRS-ja ka gjetur zgjidhje duke ofruar dy thirrjet, rezultatet e të cilave janë vonuar deri në fund të vitit. Duke marrë parasysh këtë dhe liferimin e vonuar të buxhetit, pagesave, kjo thirrje tash është, megjithatë, në rregull”, ka thënë ajo. Sipas Luzhës, sa u përket festivaleve të muzikës klasike, “Chopin Piano Fest” është i pari që fillon këtë vit. 

“Ne tashmë kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe planifikimet, së shpejti fillojmë me promovimin. Duke u bazuar në përvojën e deritanishme dhe në cilësinë e festivalit, shpresojmë të vazhdojmë të mbështetemi edhe më fuqishëm. Në këtë thirrje është paraqitur mundësia për të aplikuar për tre vjet mbështetje dhe kjo do të na ndihmojë shumë për planifikimin për vitin e ardhshëm, kur ne shënojmë edicionin e 15-të”, ka thënë Luzha. 

Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq qendrën “Multimedia”, është kritiku më i madh i politikave kulturore në vend pavarësisht a përkrahen apo jo projektet e tij. Ai ka thënë se idealisht, thirrja do të duhej të hapej në fund të vitit. 

“Kjo nuk po ndodh dhe kjo natyrisht është stresuese për shumë organizata të cilat një pjesë të aktiviteteve i kanë në pjesën e parë të vitit. Është marrje e rrezikut mbi vete, sepse nuk mund të ketë siguri për fondet e MKRS-së”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se sivjet MKRS-ja e ka hapur thirrjen pak më herët. Ka veçuar kategorinë e përkrahjes për tre vjet. 

“E mira e thirrjes sivjet është që u mundëson organizatave të aplikojnë për program trevjeçar. Kjo besoj që e zgjidh edhe problemin e vonesës së hapjes së thirrjes. Por është ,po ashtu, edhe një ndihmesë e madhe për organizatat, sepse planifikojnë më kollaj dhe strategjikisht, pa qenë në siklet çdo fillimvit”, ka thënë ai.

Ministria e Kulturës e ka vazhduar traditën e mospërgjigjes për tema të ndryshme. KOHA i ka dërguar pyetje për thirrjet e sivjetme. Për pesë ditë nuk ka pasur përgjigje.

Historia e lojës me lista

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë vit, si subvencione dhe transfere te kategoria “Përkrahja për kulturën” ku edhe merren mjetet për skenën e pavarur, figurojnë 4.9 milionë euro. 
Te “Thirrja publike për fondin e mobilitetit 2024” mund të aplikojnë OJQ-të dhe individët që pretendojnë të shfaqin produktet e tyre artistike jashtë vendit, mbështetja mund të shkojë deri në 10 mijë euro. 

Vjet MKRS-ja pavarësisht shumave të mëdha që ka ndarë për skenën e pavarur kulturore, është përballur edhe me avari jo të zakonta në këtë proces. “Dramë” më vete kishte qenë publikimi i rezultateve në qershor.

Fillimisht ishte publikuar Lista preliminare dhe ishte hapur afati i ankesave. Aty figuronin 36 projekte, përkrahur me 808 mijë e 510 euro, tek goditi ngjarje e organizata bartëse të skenës kulturore në vend, si “DokuFesti”, “Artpolisi” e “Chopin Piano Fest” apo qendra “Multimedia”. La pesë ditë afat ankesash, deri më 26 qershor, e nuk iu deshën më shumë se tri ditë që t’i shqyrtonte ato dhe prej 36 projekteve të bëhen 106. Dallimi në buxhet: 1.7 milionë euro, kur prej 808 mijë eurosh u bë 2.5 milionë. Po atë ditë që u publikua kjo listë edhe u fshi nga ueb-sajti. Pas gati 24 orëve u publikua Lista e re bashkë me ndryshime. Qe fryrë për fiks 283 mijë e 805 euro. Ishin shtuar edhe 11 projekte. Në listën e “avulluar” nja një orë pas lansimit, ishin 106 projekte. E në të renë 116, plus një pa numër rendor. 

Në Listën e re në mesin e 117 përfituesve ishin edhe qendra për art bashkëkohor “Stacion” me 20 mijë euro, Organizata Kulturore e të Rinjve me 11 mijë euro, Sh.K. “Gjurmët” me 10 mijë e 760 euro, shtëpia teatrore filmike “AKT” me 25 mijë euro, shoqëria kulturore artistike “Malsori” me 27 mijë e 100 euro, për “Hasi Jehon 2023”, galeria “Qahili” me 30 mijë euro, orkestra frymore “Prizreni” me 20 mijë euro, Fondacioni Kosovar i Arkitekturës me 20 mijë euro, shoqata “Qendra e Artit Muzikor DAM” me 20 mijë euro e po aq ka marrë përkrahje edhe qendra kulturore “Pre Art”. Pa numër rendor, në Listën e re figuronte edhe festivali ndërkombëtar i teatrit “Prizren Fest” me 30 mijë euro.

Ministria e Kulturës kishte “rihapur” kuletën edhe për disa organizata duke ua përmirësuar shifrat.
Kurse për thirrjen e hapur në shtator Ministria e Kulturës kishte planifikuar 500 mijë euro. Por këtë shifër e kishte katërfishuar. Në listat e publikuara dilte se organizatat joqeveritare janë përkrahur me 1 milion e 342 mijë e 296 euro, kurse projektet individuale me 605 mijë e 650. Krejt bashkë kapin shifrën 1 milion e 947 mijë e 946 euro. Bëhej fjalë për 186 individuale dhe 137 të organizatave joqeveritare.