Nga brezi në brez, gjuhësia nuk i ka kthjelluar bash mirë çështje të caktuara që lidhen me shqipen. Me shpjegime të gabuara e të shndërruara në formë miti, çështje si kohët e foljeve, trajtimi i futurit dhe kushtores, diskutimet për kundrinën e vendosja e theksit, vijojnë të kenë ndikime në shqipen e folur. I tillë është edhe problemi i vendit të theksit, trajtimi i të cilit për shumë kohë ka ndjekur modelin tradicional të gjuhëtarëve Dodi e Gjinari. Një shpalim i kësaj problematike, tok me vëzhgime të reja, është shkoqitur në ligjëratën me titull “Theksi i shqipes” nga profesori i fonetikës, Bardh Rugova, në aktivitetin e titulluar “Ora e Rexhep Ismajlit” të mbajtur në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
Që prej shekullit të tretë para erës sonë gramatikanët aleksandrinë do të përveshnin llërët për të përvijëzuar rregullat e brendshme gramatikore të greqishtes së asokohshme si mjeti komunikues i gjithë botës mesdhetare. Duke pasur ndër duar të gjitha tekstet e letërsisë klasike greke, ata vunë në dukje edhe çështjen e theksit në ligjërimin e folur e atë të shkruar. Këto teorizime ishte thënë të bëheshin “modus operandi” edhe për shumicën e gjuhëve bashkëkohore evropiane.
Në këtë dritë çështja e vendosjes së theksit ka tërhequr interesimin e studiuesve: shqipes, fjala vjen, i është postuluar gati në mënyrë aprioristike rregulli se theksi vendoset në rrokjen e parafundit. Një shpalosje idesh e trajtimesh mbi këtë problematikë është qendërzuar në ligjëratën e profesorit të fonetikës, Bardh Rugova, të mbajtur të martën në kuadër të ditës së dytë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Në këtë seancë të drejtuar nga Shkumbin Munishi, ligjërata është menduar si e karakterit honorifik e quajtur “Ora e Rexhep Ismajlit”. Në adresimin që i parapriu ligjëratës, ai ka thënë se Këshilli i Seminarit ka vendosur që t’ia dedikojë një orë njërit prej personaliteteve më të shquara të gjuhësisë shqiptare.
“Sivjet Seminari ka mbushur 47 vjet traditë, e cila nuk është e mbyllur vetëm me kujtime, por edhe me emra të njohur albanologësh. Profesor Ismajli ka arritur për vite me radhë të sjellë personalitete të rëndësishme të albanologjisë e t’i japë Seminarit karakter ndërkombëtar”, ka thënë Munishi.
Fill pas kësaj, profesor Rugova ka shkoqitur gjerë e gjatë ligjëratën e përgatitur me titull “Theksi i shqipes” duke ndërmendur edhe disa prej miteve të përcjella në atë që e ka quajtur si ideologjia preskriptive. Shumë probleme të shqipes, sipas tij, vijojnë të kenë shpjegime të gabuara që, të shndërruara në formë miti e të marra si të mirëqena, kanë pasur ndikime edhe në shqipen e folur.
“Çështje të tilla janë shpjegimi i kohëve të foljeve, trajtimi i futurit dhe kushtores, diskutimet për kundrinën e së fundmi edhe çështja e vendit të theksit”, ka thënë Rugova.
Ai ka vënë re se “miti për theksin” buron prej konceptimeve të mëhershme të Anastas Dodit e Jorgji Gjinarit, që shpallën se vendi i theksit në shqip nuk është i qëndrueshëm, porse lëviz nëpër rrokje dhe ka një prirje për t’u ngulitur në rrokjen e parafundit. E sipas profesorit në Fakultetin e Filologjisë, “problemi kryesor i këtij shpjegimi është se nuk bën dallimin mes mbaresave dhe prapashtesave që marrin”.
“Dodi e Gjinari, me metoda tradicionale, kujtojnë se vendosja e theksit nuk mund të përcaktohet me rregulla gramatikore duke mos arritur të bëjnë dallimin mes derivacionit dhe infleksionit”, ka vijuar më tej Rugova.
Shpjegime të tilla, ka vijuar ai, janë bartur edhe tek autorë të tjerë si Martin Camaj, sipas të cilit vendi i theksit në shqip anon në rrokjen e parafundit të fjalës, në trajtën e shquar. Këtyre interpretimeve i ishin bashkuar edhe një varg gjuhëtarësh si Kaçorri, Petruqi, Topalli, e pjesërisht edhe Bokshi, që vendin e theksit e trajtuan si të paqëndrueshëm e me prirje për t’u ngulitur në rrokjen e parafundit.
“Edhe Rosakov, po ashtu, e shpall relativisht të lirë vendin e theksit, por e vëren tendencën për të qenë pjesë e temës”.
Më tej, gjatë ligjëratës, profesor Rugova e ka cilësuar si një lëshim fundamental çështjen e sinjalizimit të theksit, i cili në të gjitha rastet bëhet me shenjën diakritike akute, ndonëse kjo do të duhej të shënonte zanore të theksuara e të gjata kundrejt atyre më të shkurtra që parashkruhen me simbolin e theksit të rëndë.
“Në disa gjuhë shënohet gjatësia edhe me diakritikun e makronit, por në fjalor nuk bëhet ky dallim, që është themelor për përshkrimin e vendit të theksit në gjuhën shqipe”, ka thënë ai.
Tutje Rugova ka ravijëzuar edhe një historik të pikasjes së theksit ndër gjuhë duke përcaktuar rregulla pak a shumë të plota. Këtë e kishin nismuar fillimisht gramatikanët e shkollës së Aleksandrisë, që ofruan shënime të plota për punën e theksit në greqishten e vjetër.
“Mësimet e tyre janë themel i teorive që vlejnë për shumicën e gjuhëve bashkëkohore, e diku në ato teori mund të lexohet për theksin e lëvizshëm dhe të qëndrueshëm”, ka vijuar më tej Rugova.
Ndryshe, në orët e paradites, në mjediset e Fakultetit të Filologjisë janë zhvilluar edhe kurse për mësimin e gjuhës shqipe për seminaristët dhe albanologët e huaj, pjesëmarrës të evenimentit albanologjik.
Ndërkaq agjenda e ditës së parë është mbyllur me kumtesa nga seksioni i letërsisë. Kështu, në seancën e drejtuar nga Muhamed Çitaku dhe Ardita Berisha, janë lexuar kumtesat: Muhamed Çitaku “Këngët kreshnike të Kosovë – veçantia e tyre”; Ilir Breca “Ultimum refugium ‘Një lule vjeshtet’ e Gjergj Fishtës – në mes qasjes hermeneutike dhe kritike”; Anxhela Lepuri “Malli i shtampës (Martin Camaj në sistemin letrar shqiptar), si dhe Flutura Kamberi “Gjon Zaveri mes ngjarjes dhe rrëfimit”.
Përndryshe, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare nga e hëna ka shpallur të hapur edicionin e vet të 39-të me radhë.
Me synimin për të ruajtur vijimësinë me të kaluarën, ky organizim për dhjetë ditë do të sjellë në mjediset e Fakultetit të Filologjisë sesione shkencore, tryeza, diskutime, ligjërata, kurse për mësimin e gjuhës shqipe e aktivitete të tjera.