Kulturë

“The River” midis Kosovës e Greqisë ndez ekranet e kinemave në Athinë

Ilire Vinca në filmin grek “The River”

Ilire Vinca në filmin grek “The River”

Lumi në film është metaforë për autostradën që bashkon ose ndan njerëz. Është një rrëfim ekzistencial për dashurinë. Por kjo metaforë që zbërthehet në këtë projekt nën regji të Haris Raftogiannisit, në “prapaskenë” merr edhe një tjetër kuptim. Ajo bashkon. Është i pari bashkëprodhim zyrtar midis Kosovës e Greqisë dhe bën një hap para politikës. Aktore në rol kryesor është Ilire Vinca, bashkëproducent - Eshref Durmishi, përderisa Kosova ka gisht edhe në grim dhe postproduksion të zërit. “The River” është rikthyer në Greqi në disa kinema të Athinës. Ilire Vinca e Eshref Durmishi flasin për përvojën dhe peshën e kësaj vepre

Një aksident i kurdisur që bashkon dy persona është burimi i një pasioni në filmin “The River”. Rrugët janë metaforë për lumenjtë aty. Në filmin me regjisor grekun Haris Raftogiannis, lumit të kastës i është bashkuar edhe aktorja nga Kosova, Ilire Vinca që ka njërin prej roleve kryesore. Tjetër kapitull i përfshirjes së Kosovës aty është edhe bashkëprodhimi.

Ky film shënon bashkëprodhimin e parë midis Kosovës dhe Greqisë që nuk e njeh vendin si shtet. Aktorja Vinca e bashkëproducenti i filmit, Eshref Durmishi e konsiderojnë këtë si hap të parë drejt bashkëpunimit artistik midis dy vendeve.

Në një film krejtësisht në gjuhën greke, Vincës iu desh të punojë fort jo veç për rolin, por edhe të praktikojë një gjuhë krejt tjetër. Në një bisedë për KOHËN në kohën kur filmi po shfaqet në kinematë e Athinës, ajo ka thënë se ka qenë një prej roleve të saj shumë interesante, po aq sa edhe sfiduese.

“Është dashur të punoj shumë për të mbërritur një lloj natyrshmërie edhe me personazhet e tjera. Një karakter shumë i fortë të cilin e kam shijuar edhe gjatë punës. Është një grua e cila kujdeset për komunitetin e saj të varfër dhe që jeton në një lloj varfërie triumfuese, sepse nuk do ta ndryshojë mënyrën e jetesës karshi një modernizmi, konsumerizmi, ku gjithçka quhet një lloj zhvillimi shumë i madh i shoqërisë përmes rrugëve”, është shprehur Vinca.

Ka thënë se metafora e lumit janë autostradat e mëdha të ndërtuara për t’i afruar njerëzit.

“Ndërkohë, metaforikisht simbolika e kësaj është që këta lumenj të rrugëve shpeshherë edhe i ndajnë njerëzit nga ëndrrat e tyre, sepse futen në një lloj robotizmi, një lloj jetese ku duhet të mbijetosh vetëm duke punuar në shërbim të kësaj jete moderne. Kjo jetë moderne në këtë film pasqyron shumë bukur në kontrast jetën jomoderne në të cilën ballafaqohet personazhi me vajzën dhe familjen e saj ku jetojnë në këto pjesë të varfra”, ka bërë të ditur aktorja Vinca derisa ka shtuar se filmi flet për ndarjen e jetës në dysh.

Skenë nga filmi “The River”

“Pak a shumë është një lloj komedie romantike që flet për njerëzit që dalëngadalë degradohen në kushtëzimin e jetës moderne për të lënë ëndrrën prapa, dashurinë dhe në ‘komoditetin’ e jetës së njeriut në atë që duhet ta jetojmë dhe jo atë që duam ta jetojmë”, ka shpjeguar ajo.

Dy personazhet, Makis dhe Maria janë dy botë që përplasen në filmin e parë artistik të Haris Raftogiannis, siç bëhet e ditur për filmin “The River”. I pari është një punonjës i vetmuar, zemërmirë dhe introvert, përgjegjës për sigurinë në autostradën që përfaqëson modernizmin. Në anën tjetër, Maria e varfër kundërshton përparimin. Nënën e kësaj të fundit e luan në film aktorja, Ilire Vinca.

“Një aksident i organizuar do të bashkojë dy të kundërtat, të cilët natyrshëm tërheqin, por secili duhet të kapërcejë vlerat dhe kufizimet e botës së vet”, shkruhet në përshkrimin e shkurtër për filmin.

Komedia romantike “The River” (Lumi) është shfaqur premierë botërore në edicionin e 65-të të Festivalit të Filmit në Selanik vitin e kaluar, që u mbajt prej 31 tetorit deri më 11 nëntor.

Kasta e aktorëve vjen kryesisht nga skena greke. Në film luajnë Makis Papadimitriou, Stefania Sotiropoulou, Haris Fragoulis, Adrian Frieling, Christos Kontogeorgis, Alekos Pangalos dhe Vassilis Karampoulas. Skenarin për këtë film 94-minutësh e shkruar regjisori Raftogiannis bashkë me Nikos Leros.

Është bashkëprodhim midis Greqisë, Italisë, Kosovës dhe Kanadasë.

Bashkëproducenti Eshref Durmishi ka thënë se me këtë bashkëpunim të parë midis dy vendeve, “rrugët janë të hapura edhe për bashkëpunime të tjera”.

“Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe zyrtarisht është bashkëprodhimi i parë midis Kosovës dhe Greqisë. Ne e dimë se Greqia nuk e ka njohur Kosovën si shtet, por është shumë mirë që në rrafshin e artit e kulturës kemi bashkëpunim të tillë, që të ketë njohje sa më të shpejtë edhe nga ana politike. Shpresoj që këto bashkëpunime të rriten dhe të kenë rezultate pozitive edhe në fusha të tjera”, është shprehur Durmishi në një bisedë telefonike me KOHËN.

Ka thënë se bashkëpunimi ka shkuar shumë mirë dhe i ndërsjellë. Ka thënë se parashihet që filmi shpejt të shfaqet edhe në Kosovë.

“Nuk ka datë të caktuar, por synimet tona janë që ky film të udhëtojë sa më shumë nëpër festivale, të ketë paraqitje nëpër kinema dhe të vijë edhe në Kosovë shpejt, ndoshta në ndonjë prej festivaleve të Kosovës”, ka thënë Durmishi. Producent në këtë projekt nga ekipi i Kosovës është edhe Besnik Krapi, sikurse edhe për grimin kanë punuar Fiona Abdullahu e Era Muçolli, ndërsa postproduksioni i zërimit është punuar nga Labinot Sponca dhe Gazmend Nela.

Me atë që njihet si diplomaci kulturore, Kosova e Greqia kryesisht kanë krijuar lidhje nëpërmjet muzikës. Kori i Filharmonisë së Kosovës e Orkestra Shtetërore e Selanikut veçse kanë pasur disa bashkëpunime vitin e kaluar. Kanë mbajtur koncerte në Prishtinë e Selanik. Ishin drejtuar nga dirigjentja greke Mary Konstantinidou e po ajo ka qenë disa herë e ftuar për të punuar edhe në Prishtinë, me institucionin shtetëror muzikor.

Por, fusha e kinematografisë qe më delikate sa i përket këtij bashkëpunimi. Madje aktorja Vinca ka bërë të ditur se kur u dha premierë filmi në Selanik, ofertat për role qenë të menjëhershme. Por se, sipas saj, këto projekte janë peng i politikës.

 “Është dashur të punoj shumë për të mbërritur një lloj natyrshmërie edhe me personazhet e tjera. Një karakter shumë i fortë të cilin e kam shijuar edhe gjatë punës. Është një grua e cila kujdeset për komunitetin e saj të varfër dhe që jeton në një lloj varfërie triumfuese sepse nuk do ta ndryshojë mënyrën e jetesës karshi një modernizmi, konsumerizmi, ku gjithçka quhet një lloj zhvillimi shumë i madh i shoqërisë përmes rrugëve”, ka thënë aktorja Ilire Vinca

“Përnjëherë nisën bisedat me shtëpitë filmike atje për të pasur mundësi të kemi këso lloj bashkëpunimesh me Kosovën. Kjo është shumë e vështirë tash për tash. Kemi biseduar me producentët se duhet të gjenden mekanizma nga dy shtetet që këso lloj bashkëpunimesh duhet të ketë. Pata edhe oferta për filma të tjerë të cilët kanë mbetur peng për shkak të këtij bashkëpunimi ndërshtetëror, sepse ai kulturor është vendosur tashmë”, është shprehur aktorja Ilire Vinca.

Ka thënë se atje qe vlerësuar puna e saj prej një aktoreje nga Kosova që merr mundin ta luajë një rol grek.

“Filmi është pëlqyer shumë dhe me dashamirësi shumë të madhe dhe një kënaqësi që një aktore nga Kosova, e cila nuk e flet greqishten, e luan një rol grek”, ka thënë Vinca derisa e ka vlerësuar rolin të rëndësishëm për filmin e për vetë karrierën e saj.

E bashkëpunimin midis Kosovës e Greqisë e ka konsideruar si “trokitje në një portë më të madhe, që quhet politikë”.

“Është me rëndësi që dalëngadalë kinematografia jonë ka krijuar një lloj hapjeje të mirë me vendet fqinje dhe ato sidomos në rastet ku diplomacia kulturore luan një rol shumë të rëndësishëm në përshpejtimin apo njohjen përmes kulturës së vendeve ku ka paragjykime politike. Mendoj se është shumë e rëndësishme që diplomacia kulturore të luajë një rol të këtillë, siç në këtë rast është dëshmuar kinematografia kosovare me këtë bashkëpunim”, është shprehur aktorja Vinca.

Në Athinë, filmi ka nisur të shfaqet prej së hënës në disa kinema.

“The River” përshkruhet si rrëfim për një histori ekzistenciale dashurie për dy botë të ndryshme. Për dy “rivalë” dhe ankthin e tyre për t’u takuar.