I përzgjedhur nga një panel njohësish të teatrit, dramaturgu Neziraj është njëri nga pesë artistët ndërkombëtarë të cilët, sipas kompanisë së teatrit “The Playwrights Realm”, kanë dhënë kontribut për të sjellë një shumësi zërash në teatrin amerikan. Dramaturgu Neziraj beson se ky çmim do t’ua hapë rrugën dramave të tij për më shumë prani në skenat e teatrove në ShBA
Krijimet dramaturgjike të Jeton Nezirajt nuk kufizohen vetëm me inskenime në teatro të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tashmë është njëri nga pesë artistët ndërkombëtarë të cilit i është njohur kontributi kritik për teatrin amerikan.
Kompania teatrore jofitimprurëse nga New Yorku, “The Playwrights Realm” – e cila në misionin e vet e thekson mbështetjen për dramaturgët – ka bërë të njohur emrat e fituesve të sivjetmë të “International Theatermakers Award”.
I përzgjedhur nga një panel njohësish të teatrit, dramaturgu Neziraj është njëri nga pesë artistët të cilëve u është akorduar ky çmim.
Sipas faqes së kompanisë, programi “International Theatermakers Award”, si pjesë e angazhimit për të ngritur zërat e nënpërfaqësuar, do të bëjë të njohur sfidat ligjore me të cilat ballafaqohen artistët ndërkombëtarë.
Pos Nezirajt, radha e fituesve përfshin edhe dizajneren nga El Salvadori, Alexandra Vásquez Dheming, regjisorin nga Brazili, Danilo Gambini, dizajnerin nga Egjipti, Omar Madkour, si dhe atë nga Filipinet, Cha See.
Në përshkrimin e dhënë në faqen zyrtare të kompanisë teatrore amerikane, Neziraj përshkruhet si dramaturg i njohur, krijimet e të cilit janë përkthyer në dhjetëra gjuhë.
“Jeton Neziraj është drejtor i qendrës ‘Multimedia’, pasi shërbeu si drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ai ka shkruar më shumë se 20 drama që janë inskenuar në Evropë dhe ShBA, si dhe janë përkthyer në më shumë se 15 gjuhë. Si dramaturg, ai ka punuar me teatro e kompani, përfshirë Volksbühne Berlin, La MaMa in NY, Piccolo Teatro di Milano, Volkstheater Vienna, City Garage Theater në Los Angelos, Teatrin Kombëtar Turk etj.”, thuhet në përshkrimin e kompanisë amerikane.
Ajo ka cituar edhe vlerësimet e mediumeve të ndryshme kulturore në Gjermani që e kanë përshkruar Nezirajn si “Kafka i Ballkanit”, derisa “Los Angeles Times” e kishte quajtur atë si “dramaturg i klasit botëror që sfidon të menduarit tonë në çdo kthesë”.
Në një prononcim për KOHËN, dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë me një dozë humori se çmimet janë gjithmonë të mirëseardhura, në mos për asgjë, të paktën për të na i përkëdhelur egot.
“Në fakt ky është një çmim i veçantë, sepse ndër të tjera e njeh kontributin e artistit të huaj për skenën teatrore amerikane, por mbi të gjitha është një mbështetje për karrierën e tij të ardhshme në Amerikë”, ka thënë Neziraj.
Dramaturgu, i cili ka pasur disa projekte në ShBA, shpreson se ky çmim që përfshin edhe vizën amerikane, “do të hapë rrugë për më shumë prani të dramave të mia në skenat amerikane”.
Ndryshe, sipas faqes së kompanisë të themeluar më 2007 nga Katherine Kovner, programi “The International Theatermakers Award” është në partneritet mes “The Playwrights Realm” dhe Dyer Harris LLP, një firmë ligjore në New York që ka për fokus emigrimin për artistë dhe profesionistë kreativë. Ky çmim synon të sjellë qartësi dhe konfort për njerëzit e përfshirë në sistemin amerikan të emigrimit, dhe të kontribuojë për zgjerimin e shumësisë së zërave në teatrin amerikan.