Kulturë

“The Call” me përplasjet për trashëgimi pret premierën në Bullgari

Thirrja është elementi kyç në filmin “The Call”. Zhvillimet dramatike vijnë kur bie zilja e telefonit të personazheve në rrëfimin 10-minutësh të filmit nën regji të Mirak Zymberajt dhe me skenar të Mentor Zymberajt. Rrugëtimin filmi e nis në Festivalin ndërkombëtar të filmit të shkurtër “In the Palace” në Bullgari, që renditet midis festivaleve kualifikuese për në “Oscar”. “The Call” (Thirrja) është në garën kryesore me 46 filma të tjerë në konkurrencë.

Rrëfimi në film sjell një konflikt të rastësishëm në mes dy vëllezërve që përfundon tragjikisht. Derisa rregullojnë varrin e babait të tyre, vëllai i vogël (Miran Zymberaj) vret vëllain e tij më të madh (Art Pasha) pas një kacafytjeje duke akuzuar atë se ka përvetësuar trashëgiminë e babait të ndjerë. Dëshmitar i ngjarjes është varrmihësi (Mentor Zymberaj) që i sheh nga larg. Kur afrohen në skenën e krimit gjen revolen në tokë.

Ngjarjet edhe më dramatike bëhen kur mbërrin nëna e dy djemve (Albina Osmani). E gjen varrmihësin me revolen e burrit të saj në dorë. Skena e bën të dyshojë se varrmihësi ia ka vrarë djemtë e saj dhe e vret këtë të fundit duke besuar se ai ka gisht në zhdukjen e tyre.

Duke u larguar me vrap takon djalin e vogël të penduar për vrasjen e vëllait të tij. Kupton se ky i fundit e ka varrosur vëllain e tij në të njëjtin varr me bashkëshortin e saj.

Regjisori i filmit “The Call”, Mirak Zymberaj, ka thënë se kanë dashur të krijojnë një rrëfim unik, por edhe që kuptohet nga të gjitha audiencat.

“Kemi menduar të bëjmë diçka të veçantë, interesante, që nuk është bërë më parë dhe çfarë e duan audienca jashtë dhe këtu”, ka thënë regjisori Mirak Zymberaj.

Filmi garon në kategorinë kryesore të Festivalit ndërkombëtar të filmit “In the Palace” që sivjet mban edicionin e 21-të nga 29 qershor deri më 6 korrik.

Regjisori Mirak Zymberaj ka thënë se në film gjithçka lidhet rreth thirrjes telefonike.

“E kemi quajtur ‘Thirrja’ pasi gjithçka lidhet rreth thirrjes. Edhe thirrja e nënës për vëllain e madh krijon edhe më shumë kacafytje. Në fund thirrja është edhe në varr kur kuptohet se duke dashur t’i humbë gjurmët e vrasjes aksidentale, vëllai e varros vëllain në varrin e babait”, ka thënë Zymberaj.

E ka konsideruar temë të veçantë atë që shtjellohet në filmin e metrazhit të shkurtër “The Call”.

“Është temë e veçantë, e kuptueshme jo vetëm për ne, por edhe për publikun e huaj. Është film jo vetëm për festivale, por edhe për kinema. Zgjon interesim pasi është një temë sociale, tërheqëse për t’u parë. Besoj se do të pritet mirë nga publiku. Çmimi varet edhe nga shija e anëtarëve të jurisë”, ka thënë regjisori Mirak Zymberaj që në të kaluarën ka realizuar edhe filmat tjerë të metrazhit të shkurtër - “Tre” dhe “Sofra e varrit”. Ky i fundit është vlerësuar me shpërblime në skenën ndërkombëtare.

Të njëjtin fat synon edhe “The Call”. Premierën në një festival të rëndësishëm e ka siguruar ndërsa në Kosovë pritet të shfaqet gjatë këtij viti. Regjisori Zymberaj ka thënë se filmin do ta dërgojnë edhe në të tjera festivale.

Sheshxhirimet për filmin ishin vendosur në qytetin e Pejës dhe në periferi të tij. Ishin kryer për dy ditë.

Nga Festivali nuk është bërë ende i ditur orari i shfaqjeve. “Best Short Fiction” është e vetmja kategori e Festivalit ku janë zyrtarizuar garuesit. Janë më shumë se 40 filma në garë si “A good boy” i francezit Paul Vincent de Lestrade, “Another nest” i hungarezit Mark Beleznai, “Dive” i kroatit Ivan Malekin, “Dustlight” i grekut Chryssanthi Kouri, “8th February” i spanjolles Sara Martínez Sanz e “Fake Shot” i italianit Francesco Castellaneta.

Në listën zyrtare janë edhe filmat “Fár” i islandezit Gunnur Martinsdóttir Schlüter, “Heat Spell” i kanadezes Marie-Pier Dupuis, “Lady in Black” i malaziases Gana Comagic, “Please Make it Work” i portugezit Daniel Soares, “The Washing Machine” i francezes Diane Malherbe, “Wrecker” i irlandezes Martina McGlynn, “Boxes” i maqedones Angela Dimeska e shumë të tjerë.

Festivali “In the Palace” i dedikohet filmave të shkurtër, mediave të reja dhe arteve digjitale. Kishte nisur si forum konkurrues për filmat studentorë e më pas u zhvillua si platformë e njohur si i vetmi i këtij lloji në Bullgari që i shërben filmit të shkurtër.

Që nga viti 2017, “In the Palace” është festival kualifikues për çmimet “Oscar” në kategorinë e Animacionit më të Mirë, Filmit më të Mirë Fiksion si dhe Filmit më të Mirë Kombëtar. Akademia zgjedh të nominuarit nga lista e fituesve të festivaleve në të gjithë botën. Nga mbi 7 mijë festivale të filmit në mbarë botën, janë rreth njëqind që kanë të drejtë të kualifikimit për “Oscar” në tri kategori: për filmat vendorë, animacion dhe ata të shkurtër. Në rregulloren e Festivalet bëhet e ditur se kushtet për përfshirjen e filmave në program është që ata të janë premierë në këtë ngjarje.

Pos kësaj, Festivali është i kualifikuar edhe për Çmimet “GOYA” në Spanjë.

Tradicionalisht, “In the Palace” zhvillon programin për më shumë se një javë dhe ofron gamë të gjerë ngjarjesh për industrinë dhe audiencën vendore e ndërkombëtare të filmit të shkurtër.

“’In the Palace’ është pikë takimi kulturore e industrisë së filmit, artistëve, studentëve, institucioneve arsimore dhe publikut të gjerë, që ofron qasje në trendët, zhvillimet dhe mësimin më të fundit në artet dhe kulturën nëpërmjet shfaqjeve, trajnimit dhe shkëmbimit ndërdisiplinor”, shkruhet në prezantimin e Festivalit në ueb-faqen e tyre.

Festivali ndërkombëtar i filmi të shkurtër “In the Palace” do të zhvillojë aktivitetin në Pallatin e Kulturës në Pernik të Bullgarisë nga 29 qershor deri më 6 korrik. Pos kategorisë për Filmin më të Mirë Fiksion, gara zhvillohet edhe në kategoritë: Filmi më i Mirë i Animuar, Filmi më i Mirë Vendor, Gara e Dokumentarëve si dhe kategori që i kushtohen garës së filmave të studentëve.

Pos filmit “The Call” nën regji të Mirak Zymberajt, më parë në këtë Festival kishte marrë pjesë edhe filmi “The Return” i Blerta Zeqirit në vitin 2016. Filmi ka për personazh një të ri të arrestuar në luftë. Pas shumë kohësh qëndrimi në një burg serb, kthehet në shtëpi. Aty shfaqet sa të vështira janë shpjegimet në raste të tilla.

Një tjetër film që ishte në garë në këtë Festival qe bashkëproduksioni nga Kosova “Home” (2016) i britanikut Daniel Mulloy. Filmi që flet për mijëra emigrantë ia kishte dalë të marrë BAFTA më 2017.