Zgjuarsia ka marrë një shije më të ëmbël në “Bombshell”, film ky befasisht argëtues duke pasur parasysh temën që trajton ngacmimet seksuale në kanalin televiziv “Fox News” dhe mënyrën se si moderatoret Megyn Kelly dhe Gretchen Carlson e rrëzojnë bosin e tyre të gjithëpushtetshëm, Roger Ailes.
Duke e trajtuar biznesin medial me një dozë të shëndoshë cinizmi, filmi e shndërron “Fox Newsin” me tendenca djathtiste në cak të humorit të tij.
“Pyetni se çfarë do ta frikësonte gjyshen time dhe çfarë do t’ia ngrinte nervat gjyshit tim – një lajm i ‘Fox’it”, thotë një producente. Vendi ku zhvillohet ngjarja është po aq klastrofobik dhe absurd sa dhe bota e çudirave e Lizës, ku Ailesi është dominuesi.
Nën sipërfaqe, megjithatë, fshihet një rrëfim shumë më kompleks dhe tepër domethënës për shoqërinë. “Bombshell” e nxjerr në pah këndvështrimin e grave dhe anon qartazi nga ato, shkruan BBC, transmeton Koha Ditore. Megjithëkëtë, i pasqyron me korrektësi përzgjedhjet e zorshme midis interesave personale dhe shtytjes për ta bërë të duhurën, si dhe atë që njerëzit janë të gatshëm të bëjnë për ambicien.
Me performancat mahnitëse të Charlize Theronit si Kelly dhe Nicole Kidmanit si Carlson, “Bombshell” është një prej filmave të parë që shpërfaqë lëvizjen #MeToo me terma të nuancuar, duke i lejuar heroinat që t’i kenë të metat e tyre.
Momenti më i shkrepshëm i filmit është transformimi i mahnitshëm i Theronit në një kipce të Kellyt të vërtetë. Fytyra e Theronit riformësohet me maskime të ndryshme, të cilat është e pamundur të mos vërehen. Ajo i jep jehonë fjalimit të Kellyt, dhe lëviz e sillet nëpër deskun e “Foxit” mu ashtu siç do Ailesi: burrat duhet të jenë servilë e gratë të kenë flokë të gjatë dhe funde të shkurtra.
“E di se çfarë mendoni disa prej jush”, thotë Kelly. “Dhe jo, Rogeri nuk na tregon çfarë të themi në transmetim. Nuk i duhet që ta bëjë”.
Rrëfimi nis me Kellyn tek përgatitet për ta moderuar një debat të Partisë Republikane më 2015. Ajo në mënyrë të famshme e pyet aty Donald Trumpin rreth komenteve të tij poshtëruese për gratë, vetëm për ta cytur atë që të thotë të nesërmen se asaj “gjaku po i fshikullonte prej syve, gjaku po i fshikullonte gjithandej”. Filmi e fut Theronin në pamjet aktuale të debatit, një teknikë kjo e përdorur me shkathtësi gjatë gjithë filmit. Krijuesit e “Bombshell” janë ekspertë të zbërthimit të ngjarjeve midis fiksionit dhe reales, duke i dhënë një thurje dëfryese.
Skenaristi Charles Randolph e bëri të njëjtën gjë edhe me filmin “The Big Short” për krizën financiare të 2008-s. Regjisori, Jay Roach, ka vënë nënshkrimin e tij në shumë filma faktikë politikë, si “Game Change” me Julianne Mooren në rolin e Sarah Palinit injorante.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)