Kulturë

“Thasë” me poezi nga Blerina Rogova-Gaxha

Kjo është një nga poezitë e përmbledhura në librin “Thasë”. Blerina Rogova – Gaxha e ka publikuar librin e katërt me poezi të shkruara gjatë një periudhe të rëndësishme të jetës së saj.

Sipas përshkrimit që jep autorja, “Thasë” është shpella e shpirtit, dhoma e qenies, mitra dhe varri. Libri është kthimi te vetja, thotë ajo.

Poezitë e përmbledhura në mbi 120 faqe e kanë një rëndësi të veçantë për autoren, derisa “Thasë” e rikthen atë në sirtarët e librarive pas 4 vitesh shkëputjeje.

“Libri është shkruar për një kohë të gjatë. Ka përfunduar para fillimit të pandemisë. Procesi i shkrimit ka qenë i veçantë për shkak të situatës apo gjendjes në të cilën unë isha në atë kohë. S’mund të them se çfarë e bën të veçantë por mund të them se është një libër i shkruar me shumë dashuri, me shumë pasion, me shumë përkushtim. Është një libër që shpërfaq një pjesë të jetës sime shumë të veçantë”, ka thënë Rogova-Gaxha.

Ajo që e veçon librin janë ilustrimet. E nisur nga një merak i kahershëm për të vizatuar, poetja e ka sfiduar veten duke i ilustruar fjalët e renditura në poezi.

Ballina e librit “Thasë” është e punuar e gjitha me dorë. Ngjyra e kuqe dhe e bardhë në të, simbolizojnë pasionin, paqen por edhe rilindjen.

“Puna me ilustrimet ka qenë një lojë shumë e bukur, shumë e këndshme. Ato janë realizuar pas përfundimit të librit, gjatë periudhës së verës së vitit të kaluar kur ishim të mbyllur. Si poezia edhe vizatimi më jepte shumë kënaqësi dhe ishte një provë. Se nuk e kisha vendosur nëse ilustrimet do të ishin Brenda librit a jo. Dhe vendosa ta bëj pak para botimit të librit. Shpresoj të ketë dalë mirë, por esenciale këto janë ornamente që i shkojnë stilit apo frymës së poezisë”, ka thënë ajo.

Blerina zbulon se kujt i dedikohet përmbledhja e saj me poezi.

“Librin ua dedikoj të gjithë atyre që pëlqejnë apo e ndjejnë poezinë. Atyre që e ndjejnë veten mirë dhe bukur brenda poezisë”, ka thënë ajo.

Blerina Rogova – Gaxha është poete, eseiste, hulumtuese e letërsisë dhe rrymave kulturore. Ka pasur prezantime të shumta në festival të letërsisë në Evropë, ndërkaq poezitë dhe esetë e saj janë botuar në antologji e revista me renome.