Përderisa prilli është përmendur si kohë kur do të mund të nisë rinovimi i objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, procesi i hartimit të projektit është në fazën e analizave. “Realizimi i hulumtimit për ndërtesën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, pjesë e projektit të konservimit e restaurimit të TKK-së, si dhe parapërgatitja për hartimin e projektit për rinovimin të TKK-së”, është përshkrimi i kontratës”, është kontrata që ka lidhur së voni Ministria e Kulturës me një kompani
Tetë muaj pas mbylljes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, procesi i hartimit të projektit për renovim është në fazën e analizave. Përderisa ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka paralajmëruar prillin si kohën kur do të mund të jetë i gatshëm projekti, profesionistët nuk kanë dhënë afat.
Ansambli i TKK-së është duke punuar në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, përderisa ai i Baletit Kombëtar të Kosovës në ambientet e ansamblit “Shota”.
Ministria e Kulturës nëpërmjet një vendimi e kishte mbyllur ndërtesën e TKK-së në fund të qershorit të vitit të kaluar. Më 14 shkurt Ministria e Kulturës ka lidhur kontratë me një kompani private. Për 22 mijë e 700 euro, MKRS-ja dhe “Ideal partners Sh.P.K” janë marrë vesh për ta bërë një hulumtim në objektin e TKK-së.
i hulumtimit për ndërtesën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, pjesë e projektit të konservimit e restaurimit të TKK-së, si dhe parapërgatitja për hartimin e projektit për rinovimin të TKK-së”, është përshkrimi i kontratës.
MKRS-ja disa herë ka hapur thirrje për të kontraktuar kompani, por kishte dështuar. Në bazë të dosjes së tenderit do të bëhet një pastrim gjeneral i ndërtesës dhe janë duke u marrë mostrat.
Menaxheri i kompanisë që ka marrë përsipër këtë punë, Kushtrim Berisha, ka thënë se janë duke u bërë pastrimet e nevojshme dhe janë duke u marrë mostrat.
“Ne do të bëjmë një skanim. Marrim mostrat e betonit dhe të gjitha materialeve që janë përdorur. I dërgojmë në laborator dhe më pas raportin do ta dorëzojmë në MKRS. Në bazë të atij raporti më pas do të bëhet projekti”, ka thënë Berisha.
Në maj të vitit të kaluar një grup i profesorëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë së Universitetin e Prishtinës ia kishte dorëzuar Ministrisë së Kulturës një raport mbi gjendjen e objektit.
Autori i parë i raportit, inxhinier e profesor në Fakultetit të Ndërtimtarisë, Naser Kabashi, ka thënë se aktualisht kompania e kontraktuar nga MKRS-ja është duke bërë ekzaminime.
“Aty përcaktohen kualiteti, karakteristikat dhe disa veti materialesh që janë përdorur dhe janë të pranishme. Do të vlerësohet trashësia e mureve, rezistenca e tullave, ekzaminimi i kualitetit të betonit, ekzaminimi i meskateve”, ka thënë ai. Sipas Kabashit, këto të dhëna shërbejnë si bazë për elemente të caktuara për projektin e rinovimit në përgjithësi.
“Sipas përshkrimit teknik që ne e kemi kërkuar duhet të ketë parametra që na sigurojnë për aftësinë mbajtëse. Nëse dyshojmë mund të bëjmë ndonjë test ad hoc”, ka thënë ai. Sipas tij, raporti i kompanisë do të pranohet nga MKRS-ja e më pas do t’u dorëzohet anëtarëve të grupit ku bën pjesë ai.
“Ne fillojmë punën në faza. Faza e parë është arkitektura, pastaj analiza statike ku hyn edhe hidroteknika, pastaj makineria ose ventilimi dhe ngrohja bashkë me elektriken”, ka thënë Kabashi. Ka shtuar se në kuadër të fazave kryesore do të ketë nëngrupe që lidhen me akustikën edhe termikën.
“Dinamiken e punës e bën MKRS-ja. Është përgjegjësi e madhe pasi objekti është specifik dhe ka shumë finesa. Nuk mund të flas me afate se kur do të përfundojë projekti”, ka thënë Kabashi. Sipas tij, në fazën aktuale është shumë mirë që po ndodh edhe pastrimi.
Në fillim të shkurtit ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte thënë se procesi i rinovimit është në vazhdimësi. Kishte treguar se janë shumë të interesuar që ndërtesën ta rinovojmë ashtu siç duhet sado që kjo të marrë kohë.
“Është duke u hartuar projekti. Tash janë duke u zhvilluar disa matje shtesë të ndërtesës. Këto janë matje shumë specifike për të cilat është dashur të zhvillohej procedurë e veçantë prokurimi dhe përfundojnë brenda pak javësh”, kishte thënë më 8 shkurt në emisionin “Konfront” të KTV-së. Kishte përmendur edhe një afat.
“Ne jemi shumë optimistë edhe në orientimin e atyre që po e hartojnë projektin që gjatë prillit do ta kemi projektin e rinovimit dhe kjo na mundëson të nisim procedurën e rinovimit të TKK-së”, kishte thënë ai.
Drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Kushtrim Sheremeti, ka konfirmuar se është bërë pastrimi i hapësirës dhe se po merren mostra.
“Pritjet tona por edhe premtimet paraprake janë që festivali i teatrit shqiptar ‘Moisiu’ në nëntor të vitit 2024 të mbahet në ndërtesën e rinovuar të Teatrit Kombëtar të Kosovës”, ka thënë ai.
Në tetor të vitit të kaluar KOHA kishte raportuar se Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës bashkë me Ministrinë e Kulturës e kanë mbyllur ndërtesën e institucionit më të lartë teatror, duke nxjerrë konstatime të paqena. Të paktën profesionistët që janë thirrur për të bërë një vlerësim të gjendjes fizike të ndërtesës nuk kanë rekomanduar mbyllje. Nuk është konstatuar se ndërtesa si tërësi paraqet rrezik për punëtorët dhe publikun e as që gjendja është alarmante. Në raportin që zyrtarisht titullohet “Vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, hartimi i termave të referencës (tor) dhe ndërhyrjet e menjëhershme të evidentuara”, nuk shkruhet se ndërtesa paraqet rrezik për punonjësit apo publikun.
Raporti i detajuar shpërfaq gjendjen e secilës pjesë të ndërtesës. Nxirren përfundime se në shumicën e pjesëve ka nevojë për ndërhyrje. Për këtë edhe janë dhënë një varg rekomandimesh.
Grupi kishte renditur masat për intervenime të menjëhershme për funksionalizim të hapësirave të TKK-së. Asokohe profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Naser Kabashi, kishte thënë se detyra e tyre ka qenë të vlerësohet gjendja e pozicioneve dhe hapësirave që kërkojnë renovim të gjeneralizuar, të pjesshëm ose imediat. Sipas tij, asnjëherë nuk është rekomanduar të mbyllet ndërtesa e as nuk është konstatuar se objekti paraqet rrezik për punëtorët duke përjashtuar rastin e ngjitjes në kulm dhe atë të kabllove mbi kulm.
“Për koncepte të tjera të MKRS-së, sa i përket asaj që duan të bëjnë, është muhabet tjetër. Sikur të vëreja jostabilitet momental si inxhinier, do të mbaja përgjegjësi sikur të mos e thosha se ndërtesa paraqet rrezik. Ai është një raport preliminar dhe meqenëse TKK-ja është mbyllur gjatë hartimit të projektit restaurues, do të mund ta konstatojmë gjendjen edhe më mirë dhe të plotësohet edhe më shumë raporti ynë”, kishte thënë Kabashi.
Për mbyllje të menjëhershme nuk kishte qenë menaxhementi i TKK-së.
Që nga paslufta e deri më tani objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës është rinovuar gjashtë herë. Më 2010, në atë që u quajt rinovim, u shpenzuan 150 mijë euro. Më pas ishte një rinovim i vitit 2015, rinovimi i parë pas luftës qe ai i vitit 2000, për të vazhduar edhe më 2004 dhe 2007. Para një viti po ashtu është përmbyllur një renovim i nyejve sanitare dhe banjave të Baletit.