Kulturë

Territoret digjitale, mundësi të reja për artin dhe artistët

Përzierja e realitetit me botën digjitale është intensive dita-ditës. Por teknologjia ka hapur shtigje të reja për artin, e artistëve ua ka shkurtuar rrugën deri te publiku, dhe jo vetëm. Tema si këto janë diskutuar në panelin “Arti dhe territoret e padefinuara digjitale” në “Project Space 17” të martën pasdite, në kuadër të programit TECHNE të “Fondacionit 17”.

Paneli prej tre anëtarësh ka diskutuar për motivimin e artistëve për të punuar në territoret digjitale, ndërkohë që jetik është konsideruar edukimi joformal pavarësisht moshës dhe fushës.

“Edukimi joformal është kyç sidomos në sistemin e edukimit në Kosovë, rezultatet në PISA, rezultatet në shkollat e mesme e në universitete, ana praktike deri në pesë vjetët e fundit edhe në universitetin publik ka qenë një përqindje shumë shqetësuese e atyre që kanë arritur të gjejnë një punë adekuate pas diplomimit”, ka thënë Abetare Gojani, drejtoreshë ekzekutive e “IPKO Foundation”. Qëllimi i institucionit që Gojani drejton, është mbështetja në zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të liderëve në një vizion digjital për Kosovë.

Anashkalimi i edukimit joformal në Kosovë është vlerësuar si i trashëguar dhe si më i popullarizuar në vendet ku revolucioni industrial ka ndodhur shumë vjet më parë. Përparësi e këtij edukimi janë konsideruar fleksibiliteti dhe përshtatshmëria me kërkesat e tregut.

“Në shoqërinë tonë është mendësia që edukim joformal dhe shkollë profesionale është shkollimi i ulët fillor, klasa e parë deri e pestë. Kjo është normale pse mendojmë kështu, sepse e kemi trashëguar. Nëse shohim historikisht, edukimi joformal është shumë popullor në ato shtete ku ka ndodhur revolucioni i industrisë”, ka thënë Lekë Zherka, drejtor dhe bashkëthemelues i fondacionit “Bonevet”. Sipas tij, në Kosovë ende nuk ekziston dëshira për edukim joformal. “Bonevet” është hapësirë krijuese ku fëmijët nxiten të zbulojnë talentet dhe aftësitë e tyre përmes punimeve të dorës që njihen si ‘art crafts’”. Është themeluar në vitin 2014 nga fondacioni privat “Unë e du Kosovën”, teksa në diskutim u konsiderua si potencial për edukim joformal të fëmijëve, si i dizajnuar për të stimuluar kuriozitetin, imagjinatën dhe kreativitetin e fëmijëve.

Në panel digjitalizimi në art është vlerësuar si ecje në hap me kohën, në të cilën teknologjia është definuar edhe si faktor ndihmës i punës artistike të krijuesve.

“Gjërat po rrjedhin shumë shpejt dhe ti si krijues nuk do të kesh prodhim, duhet të kalojnë pesë muaj të kryesh një vepër arti. Në anën tjetër, duhet edhe të kesh rezultat, teknologjia jep hapësirë të kesh rezultat”, ka thënë artisti Endrit Jashanica, i cili përdor teknologjinë në shumë prej veprave të tij. “Nuk na lë pa punë, pasi duhet dataset”, ka qenë përgjigjja e menjëhershme e tij pas pyetjes së parashtruar nga njëri nga të pranishmit në publik, në lidhje me zëvendësimin që platformat elektronike mund t’ua bëjnë punës së artistëve.

Tema e diskutimit “Arti dhe territoret e padefinuara digjitale”, ka qenë e lidhur edhe për ekspozitën “Babylonian Vision” të artistes gjermano-irakiane, Nora Al-Badri, e cila ishte hapur më 22 mars në “Galeria 17”, si arkeologji spekulative nga fosilet dhe artefaktet, apo ndërhyrjet në to. Diskutimi e ka karakterizuar edhe këtë ekspozitë si praktikë në shprehje artistike.

“Për mua ka qenë shumë e rëndësishme ekspozita që ka hapur Nora. Ka qenë shumë hap i madh për Kosovën që ta njohë artin gjenerativ, brenda një liste studiuese e cila nuk është galeri vetëm e një mëhalle, por e gjithë komunitetit”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, vepra tradicionale e krijuesve artistikë u vlerësua si karakteristike, origjinale, unike dhe që përbrenda përmban një histori personale të autorit, atë që nuk e krijon nga arti digjital.

“Lidhja mes artit dhe teknologjisë, kur përmendim këto të dyja në ditët e sotme, gjithmonë mendojmë NFT-në, art digjital, teknologjinë, sot na duket diçka e zakonshme, sikurse letra tash, por nëse kthehemi në Egjiptin antik, papirusi ka qenë një nga teknologjitë e mëdha. Librat e parë nuk kanë qenë as në letër, por kanë qenë në pergamenë, ndërsa letra ka qenë material shumë i shtrenjtë atë kohë”, ka thënë Artrit Bytyçi, krijues letrar, njëkohësisht moderator i panelit.

Ngjarja e TECHNE-s u organizua në kuadër të “Galerisë 17”, për ndikimin e teknologjisë digjitale në praktikat krijuese artistike, përderisa këtij diskutim paneli i ka paraprirë ai për “Dekolonializimi i artefakteve. Demokratizimi e muzeve” i mbajtur në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar në Prishtinë.