Kulturë

Tentimi i radhës për gjetjen e udhëheqësve në Teatër e Galeri

Hapja, anulimi e rihapja e konkurseve tashmë janë bërë të rëndomta në institucione qendrore të kulturës. Në një kapitull të tillë tash janë Teatri Kombëtar i Kosovës që kërkon udhëheqësin artistik, dhe Galeria Kombëtare e Kosovës që pret ta zgjedhë drejtorin

Ministria e Kulturës është vënë në tentativën e radhës për t’i bërë institucionet me drejtues. Ia ka mësyrë prapë që të zgjedhë drejtorin e Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe udhëheqësin artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Pos për këto dy pozita, është rihapur të mërkurën edhe konkursi për korepetitor në ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”. Konkurset për krejt këto pozita qenë anuluar më 14 janar.

Problemi me gjetjen e udhëheqësve të institucioneve qendrore të kulturës tashmë është shndërruar në proces kronik.

Teatri Kombëtar i Kosovës ka më shumë se dy vjet pa udhëheqës artistik. Në konkursin e hapur, në nëntor të vitit të kaluar, i treti me radhë, kishin konkurruar katër kandidatë. Arta Muçaj, Sokol Plakolli, Albana Muja-Deliu e Agush Mulliqi ia kishin mësyrë kësaj pozite. Aktorja Muçaj doli se nuk e ka diplomën e nostrifikuar. Ajo ka studiuar në Shqipëri. E Mulliqi nuk e plotëson kushtin e përvojës së punës. Kërkohen pesë vjet përvojë pune pas diplomimit.

Vendimin për anulimin e konkursit Ministria e Kulturës e kishte bazuar në Udhëzimin administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Ky akt nënligjor përcakton se konkursi publik duhet të përsëritet nëse së paku tre kandidatë nuk i plotësojnë kushtet e parapara me konkurs.

Pozita e udhëheqësit artistik kishte mbetur vakante qysh prej qershorit të vitit 2019. Pasi regjisorit Agon Myftari i përfundoi mandati katërvjeçar, mospranimi i detyrës nga Fatos Berisha kishte bërë që Këshilli Drejtues me shumicë votash të emëronte si ushtrues të detyrës së udhëheqësit artistik të TKK-së aktorin Adrian Morina. Aktualisht, ushtrues detyre është drejtori i “Shotës”, Shefqet Gjocaj.

Në anën tjetër, i hapur vazhdon të jetë konkursi për drejtor të përgjithshëm të TKK-së. I pari qe anuluar pasi Naser Shatrolli ishte zgjedhur drejtor i përgjithshëm i TKK-së në mars të vitit 2020. Komisioni i ankesave në MKRS kishte konstatuar se ishin bërë shkelje procedurale. Shatrolli këtë javë ka dhënë dorëheqje edhe nga pozita e zëvendësuesit të drejtorit të përgjithshëm të TKK-së.

Për dallim nga Teatri Kombëtar, sfidën e mungesës së kandidatëve për të udhëhequr me institucionet e kulturës, Ministria e Kulturës e ka tejkaluar të paktën në rastin e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Por, siç ka raportuar KOHA në fillim të këtij viti problem del të jetë mundësia e konfliktit të interesit.

Nëpërmjet konkursit që u mbyll në ditën e katërt të nëntorit, MKRS-ja kualifikoi pesë kandidatë që i plotësonin kriteret e caktuara me konkurs. Si kandidatë të përgjegjshëm u vlerësuan Vlora Hajrullahu, Arta Agani, Arsim Shala, Naim Spahiu dhe Erëmirë Krasniqi. Fuat Islami u diskualifikua, sipas MKRS-së, në mungesë të dokumentacionit të Kosovës dhe përvojës menaxheriale. Genc Kadriut në dosje i mungonin diploma e studimeve në Londër dhe dëshmitë e përvojës së punës. Diploma e dëshmitë e përvojës së punës i mungonin edhe Lendita Zeqirajt.

Pesëshja, e përgjegjshme – sipas gjuhës administrative – e kaloi filtrin e parë e më pas u testuan me shkrim. U intervistuan nga Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës më 25 nëntor të vitit të kaluar.

Këshilli që kryesohet nga piktorja Zake Prelvukaj, sipas burimeve të KOHËS, më së shumti e vlerësoi ish-drejtoreshën Arta Agani.

Rëndom, pas vlerësimeve të Këshillit, MKRS-ja atë që vlerësohet me më së shumti pikë nëpërmjet një njoftimi e prezanton si “kandidat të suksesshëm” dhe ftohet për të lidhur kontratën për pozitën e paraparë me konkurs.

Agani nuk është prezantuar si kandidate e suksesshme. Për këtë, MKRS-ja ka prezantuar dy “probleme”. I ka identifikuar krejt në fund të procesit, jo në filtrat paraprakë. MKRS-ja po dyshon për konflikt interesi.

Para krejt kësaj historie, kryetarja e Këshillit Drejtues, Zake Prelvukaj, kishte konkurruar në MKRS për ta përfaqësuar Kosovën më 2022 në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Pjesë të ekipit e kishte prezantuar edhe Arta Aganin. Tash MKRS-ja është duke e trajtuar rastin për gjoja mundësi të konfliktit të interesit.

Institucioni më i lartë kulturor në vend nuk ia kishte dalë që ta bënte GKK-në me drejtor as nëpërmjet konkursit të hapur në fund të vitit të kaluar.

Pozitën e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës e synonin Arta Agani dhe piktorët Jeton Rexhepi dhe Vlora Hajrullahu.

Pas verifikimit të aplikacioneve, Divizioni i Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Kulturës kishte ardhur në përfundim se Vlora Hajrullahu nuk i plotësonte kushtet.

Qysh prej gushtit të vitit 2020 Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht zëvendësues i drejtorit të GKK-së është Naim Spahiu. Sipas konkurseve, mundësia për të konkurruar për këto dy pozita është prej 18 shkurtit deri më 4 mars.