“Sot bota e shpejtë nuk ecën drejt operës. Mbetet një art i pëlqyeshëm, por do kohë që të bëhet art i yti”, është njëri prej konstatimeve që jep tenori i shquar, Saimir Pirgu, të cilin fundi i vitit e solli për herë të parë para publikut në Kosovë. Por nëse “bota e shpejtë nuk ecën drejt operës”, ai ka ngjitur majat në skenat botërore. Pjesë e rrëfimit të tij jetësor, është takimi si student me Luciano Pavarottin, ndarja e skenës me Plácido Domingon. S’ka skenë botërore që s’e ka ngjitur, njërën prej tyre e ndau edhe me sopranon e Kosovës, Elbenita Kajtazi, u bënë dy shqiptarë bashkë si ana tjetër e një bote ku paragjykimet ndaj shqiptarëve janë të ashpra. Ka shumë kapituj të rrugëtimit të tij. Plane po ashtu. Kryesori: Të vazhdojë kështu, sa më gjatë në ëndrrën e tij
Në vitet ’90, kur Saimir Pirgu si i ri po merrte mësime për violinë, koncertet me nam me tre tenorët Luciano Pavarotti, Plácido Domingo dhe José Carreras, merrnin vëmendjen e botës së muzikës klasike. Fëmija me vesh absolut për muzikë i përzgjedhur nga një komision shtetëror për të luajtur në violinë, sytë i kishte te pianoja. Por koncertet me tre tenorët – yje të padiskutueshme në muzikë klasike – e kishin bërë që të hamendësonte të jetë si ata.
I lindur më 1981 në Elbasan, Pirgu pas maturës në vitin 2000 do t’ia mësynte Bolzanos në Itali për të studiuar solo-këndim. Dikur idhull i tij, më pas mik e mentor, Pavarotti i ka hapur shumë. Me këshillat e tij, Pirgu hap dyer edhe tash. S’ka skenë botërore ku ka interpretuar treshja Pavarotti, Domingo e José Carreras ku Pirgu s’ka pasur rol. Për kritikën botërore kufi i Pirgut është qielli. E në dhjetorin e këtij viti, ai interpretoi edhe në Prishtinë. Qe prej atyre koncerteve që edhe mund të shihen një herë në jetë.
“Kosova dhe Shqipëria në botën operistike – realitet i vogël”
Pas dy dekadave karrierë në skenat më prestigjioze të botës, Saimir Pirgu ka interpretuar edhe në një hapësirë që veç për koncerte s’është – në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Moti qe në anën e nikoqirëve, pasi tenori i roleve kryesore në rast të shiut do të shihte se çatia s’e mban dot ujin. Por Pirgu duket sikur e ka ndier njëfarë “borxhi” ndaj shqiptarëve të Kosovës. S’është i shpeshtë as në Shqipëri.
“Gjithë këto vite kam dashur gjithmonë të vij dhe e ndiej veten pak fajtor që nuk kam insistuar të vija edhe si qytetar i thjeshtë. Jam akoma në dilemë dhe jam pak i lënduar. E them me bindje se është dashur të vij edhe më përpara”, thotë ai në një bisedë me KOHË-n. Opera e Kosovës, institucion i ri – që është njëlloj agjencie, pa kurrfarë ansambli as atë bazik – ka hyrë në turneun e albumit të ri të Pirgut, “Saimir”. Pas Prishtinës, Barcelona qe qyteti tjetër i promovimit. Mundësinë për të interpretuar në Prishtinë e ka parë më shumë si mesazh.
“Për mua është mesazh i rëndësishëm. Kosova dhe Shqipëria në botën operistike janë një realitet i vogël. Perceptimi i botës së huaj për ne, pothuajse nuk ekziston. Ama, me këta tre a katër këngëtarë operistikë që kanë filluar të kenë sukses nëpër teatro të ndryshme, është mirë që flitet për Operën e Tiranës dhe mendova është mirë që të flitet se kemi edhe Operë në Kosovë. Për mua ky ishte prioritet më i rëndësishëm sesa vetë albumi dhe turneu që po bëj”, thotë Pirgu.

S’do shumë kohë që të kuptohet pjekuria e tij dhe ndërgjegjja që ka në raport me vendin të cilit i takon. Për dallim nga ata që kanë pasur ndonjë sukses të vogël, por ia mbajnë vetes si alamet artistësh, Pirgu reflekton thjeshtësi prej intelektuali. Rezervohet shumë kur i kërkohet të komentojë faktin se Kosova s’ka as edhe një sallë modeste për koncerte.
“Nuk më takon mua të bëj gjykime e paragjykime. Është e dukshme që Kosova ka nevojë për më shumë institucione. Kosova ka nevojë të bëjë më shumë për aspektin e kulturës, sportit e të shoqërisë civile. Sigurisht që mirë do të ishte të kishte një sallë a një teatër. Mirë do të ishte dy e tre, por të mos ekzagjerojmë. Kjo duhet menduar seriozisht për ta pasur por ta bëjnë mirë e jo shkel e shko pasi ajo mbetet. Është njëlloj si një katedrale ose një xhami që i mbetet historisë, vendit”, thotë ai.
Në koncert bashkë me sopranon po ashtu të njohur në shumë skena ndërkombëtare, Marigona Qerkezi, Pirgu ka interpretuar arie të roleve që ka pasur në dekadën e fundit. Talenti e pjekuria artistike bëjnë që kur ai është në skenë, koha disi të ndalet. Edhe gabimet e orkestrës të mbesin periferike. E gëzon atë fuqi. E për të ka punuar shumë. Qëkur ia mësyu Italisë.
Takimi me Luciano Pavarottin dhe mësimet që ende vlejnë
Në vitet ‘90, Shqipëria sapo kishte kaluar pragun për në demokraci nga një sistem i egër komunist. Dramë më vete ishte edhe mbijetesa. Saimir Pirgu përmend sakrificat e mëdha të familjeve shqiptare në atë kohë.
“Ishte një varfëri e tmerrshme”, kujtona ai. Do të vlerësonte se pas maturës e ardhmja për të në Shqipëri ishte me pikëpyetje të mëdha.
“Mbaj mend se prindërve të mi u kam thënë se nuk do të kthehem prapa. Ika për të studiuar. Nuk ika për të emigruar. Ishte ideja e një të ardhmeje”, kujton ai. Bolzano ku u pranua për të studiuar është i deklaruar si vendbanimi i tij i përhershëm qysh prej asaj kohe edhe pse ka rastisur që brenda një viti, aty të qëndrojë veç për 13 ditë. Është qytetar i botës e mjeshtër i operave gjithandej globit. Pak pasi do të niste studimet derisa po pushonte për pak ditë, afër Bolzanos tenori me nam Luciano Pavarotti, kishte kërkuar të shihte se si interpretojnë nja dy studentë të vitit të parë. Pirgu do të caktohej të ishte njëri.
“Imagjinoni një të ri në shtator të vitit 2000 në një qytet si Bolzano dhe pas tre a katër muajsh që fillon të studiojë aty, takon edhe njeriun më të famshëm të artit operistik, Pavarottin. Vetëm takimi i parë ka qenë ëndërr e lëre më të studioja me të dhe të bëhej mentori im”, thotë tenori që ka interpretuar prej “Metropolitan Operas” në New York e deri te Opera e Sydneyt.

Mësimet e Pavarottit i hyjnë ende në punë. Dhe me kënaqësi tregon se edhe tash, kur është në vështirësi, u kthehet leksioneve të tij.
“Them sa me fat kam qenë të mësoj diksionin, të mësoj precizionin akustik dhe precizionin e interpretimit në tingull nga një mjeshtër si Pavarotti. Ato leksione nuk t’i jep çdokush. Fakti që e kam njohur kaq shpejt më dha mundësi që të mos gaboja. Të mos gaboja si i ri nga nxitimi e padituria”, thotë Pirgu. Festivali i Salzburgut bashkë me Operën Shtetërore të Vjenës në fillim të këtij shekulli do t’ua hapnin dyert e skenave prestigjioze. Por pas këtyre sukseseve, rreziku ishte i madh. Për një tenor që në fillim të 20-tave realizon role në institucione të tilla, e ardhmja ka shumë pikëpyetje. Ka ngjarë shpesh që të tillët pas dy a tre vjetësh të jenë viktimë e sukseseve e të kenë telashe serioze me zërin. Pjekuria teknike është shkollë më vete.
Derisa flet për atë periudhë e rreziqet, Pirgu thotë se bota e jashtme është e gjerë e shpërfillëse.
“Është një noprane e madhe sepse ka dëgjuar shumë. Fillimi ishte i vështirë. Por më e vështirë ishte të mbaje nivelin ku kishe interpretuar. Pasi mbaron naiviteti i artistit të ri, vitin tjetër duhet të sjellësh pjekuri e diçka më të veçantë si nga ana profesionale në artin skenik por edhe vokalisht”, thotë ai. Pas sukseseve të periudhës 2004-2008 thotë të ketë qenë shumë i kujdesshëm që të mos zbriste në nivel.
“Fakti që nuk kam gabuar në repertor, më ka mbajtur kaq gjatë në profesion. Shumica e kolegëve të mi që kanë filluar e kanë qenë më të mëdhenj në moshë, sot kanë dalë jashtë tregut operistik. Është shumë e vështirë të mbizotërosh pa u skalitur çdo ditë teknikisht dhe muzikalisht”, thotë tenori që midis rolesh ka pasur Don José te “Carmen”, Rodolfon te “La Bohème”, Maurizion tek “Adriana Lecouvreur” e shumë të tjerë.
Dy shqiptarë në skenën e Vjenës
Në tetorin e sivjetmë qe Rodolfo i “La Bohème” në Operën Shtetërore të Vjenës, kurse po aty Elbenita Kajtazi si Mimì. Sopranoja kosovare me këtë rol ka debutuar në skenën me nam. Në publik ishte edhe tenori i famshëm Plácido Domingon me të cilin Pirgu edhe e ka ndarë skenën. S’i kishte shkuar mendja ndonjëherë që dy shqiptarë së bashku do të interpretonin në një nivel të tillë, siç kishte ndodhur edhe në Britani të Madhe së bashku me Ermonela Jahon.
“Edhe të përpiqemi e të kemi mundësi lobimi gjë që s’e kemi, nuk e arrijmë të kemi dy shqiptarë bashkë në skena operistike. Kështu që është një kombinim i mirë i fatit, por edhe vullnet e punë e gjithsecilit prej nesh që shtymë me forcat tona për të mbërritur: unë për të mbajtur pozicionet që kam dhe Elbenita Kajtazi, që të debutojë”, thotë Pirgu. Jo veç Vjenës por edhe teatrove të tjera nuk u kthehet shpesh. Ka një strategji për të qenë gjithnjë “i ri”. Thotë se duhet pasur kujdes për të sjellë risi nga viti në vit.
“Karriera s’bëhet vetëm me zë, por edhe me një inteligjencë të brendshme të artistit. Shpesh kam bërë karrierë duke thënë edhe ‘jo’. Duhet të dimë kur të themi ‘po’ por edhe të themi edhe ‘jo’”, thotë Pirgu.

Në shesh xhirimi me Woody Allenin
Në një rast s’kishte menduar dy herë për të thënë ‘po’. Maestro Domingo po udhëhiqte Operën e Los Angeles dhe regjisori i njohur Woody Allen kishte vendosur ta bëjë regjinë e operës “Gianni Schicchi”. Domingo i kishte rekomanduar Pirgun. Regjisori Allen do ta ftonte pasi kishte parë disa incizime të tij të tenorit shqiptar.
“Nuk flisja pos italishtes dhe komunikonim me duar. Kjo mbetet një eksperiencë jashtë botës sime, pasi ai nuk është regjisor opere, por mbetet eksperiencë shumë e madhe për mua”, thotë Pirgun derisa kujton punën me Allen gjatë vitit 2007 e premierën më 2008. Ka më shumë se dy dekada karriere aktive. Skena, siç e thotë prerazi, është jeta e tij. Operën e muzikën klasike në përgjithësi i përshkruan si një lloj droge që thellohet brenda artistit e nuk e lëshon më. Sipas tij, kjo drogë shkon deri në nivel të tillë sa që e bën artistin tejet seleksionues. Por e ka edhe një hall.
Arti elitar, shqipja dhe paragjykimet ndaj shqiptarëve
“Sot bota e shpejtë nuk ecën drejt operës. Mbetet një art i pëlqyeshëm por do kohë që të bëhet art i yti”, thotë Pirgu. Opera është art elitar dhe nuk i takon masës. Pirgu thotë se masa është krenare për artistin e operave pos s’e ka fort idenë se çfarë realisht bëhet në skenë.
“Na takon edhe neve të modernizohemi pak. Është pjesë e kohës që ne jetojmë. Jetojmë në një kohë shumë të shpejtë dhe na takon të ecim me kohën. Se si do të vijojmë më vonë, se a do të marrë arti formë elitare më tepër, apo do bëhet më bashkëkohor, është tepër vështirë të jap një gjykim”, thotë ai.
Gjithandej prezantohet si tenor shqiptar. Shpjegon se gjuha shqipe e ka mbajtur identitetin e kombit të tij dhe është i zëshëm kur të tjerët hamendësojnë duke lidhur shqiptarët me sllavë ose me turq. Qëllim ka të tregojë se shqiptarët janë komb më vete. Thotë se paragjykimet janë tmerrësisht të mëdha.
“Dhe çudia më e madhe më vjen se si shqipfolësit nuk e kuptojnë se sa keqpërdoret jashtë shtetit imazhi ynë. Për mua është prioritet kombëtar e të gjithë neve që flasim shqip, që të krijomë një institutit të gjuhës sonë kombëtare. Mos më keqkuptoni, format dialektore duhet të mbrohen me ligj. Kosova të ketë dialektin e vet dhe të mësohet në shkollë, e jugu i Shqipërisë dialektin e vet. Por gjuha jonë kombëtare duhet të mbahet”, thotë Pirgu. Ia rreh edhe idesë së bashkimit të dy shteteve shqiptare, por thotë se ky është naivitet prej artisti. Rezervohet goxha të flasë për atë se sa bëjnë dy shtetet shqiptare për të promovuar identitetin e vet. Thotë se s’është akademik që jep këshilla kapitale, por duhet të gjenden mënyra për promovim të identitetit.
“E kam fjalën për një gjë më elitare siç është Instituti Italian i Kulturës në gjithë botën, por s’mund të matemi me ta. Gjermanët, italianët, zviceranët kur vjen puna te gjuha, nuk lejojnë”, thotë ai.
“Të mbijetosh me risi – vështirësia më e madhe e zanatit tim”
Në Shqipëri këtë vit është kthyer për operën “Toska” pas fiks 13 vjetësh. Ka perceptuar se viteve të fundit ka avancim të dukshëm edhe në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Thotë se rinovimi i ndërtesës duket sikur ka ndezur motorët për punë.
“Ka gjithmonë vend për më mirë. E shoh që ka një etje dhe publiku është i interesuar”, thotë Pirgu. Asnjëherë s’ka marrë ndonjë ftesë nga Akademia e Arteve në Tiranë për ndonjë ligjëratë si mysafir. Thotë se kur është më në moshë do të jetë edhe më i gatshëm për ftesa të tilla.
“Planet e mia janë të vazhdoj kështu dhe të mundohem të zgjas në ëndrrën time. Të mbijetosh me risi qenka vështirësia më e madhe e zanatit tim. Deri tash s’kam gabuar shumë në perceptimin e karrierës sime. Tash jam akoma më i kujdesshëm se ç’kam qenë më përpara”, thotë Pirgu.
Rruga e tij e deritashme qe elitare. Me pjekurinë që ka, ngjan se skena do të jetë vendi i tij edhe për shumë vjet, sikurse ishte për miqtë, kolegët e mentorët e tij, Pavarotti e Domingo. E skenat botërore do të vazhdojnë të jenë nikoqire e Pirgut që njihet si tenori shqiptar.