Ndër zejet që vazhdon të jetë profitabile e me shumë ushtrues në qytetin e Podujevës, është ajo e llamarinëpunuesve. Në një zonë jo fort të madhe, dyqanet ku kryhen këto veprimtari nuk mund të numërohen me gishtat e njërës dorë, shkruan sot Koha Ditore.
Në mesin e atyre që punojnë në këtë zeje është familja Raçi. Janë pasardhësit e Arif Raçit, zanatliut të moçëm, që vdiq vitin e kaluar në moshën 82-vjeçare. Në fakt, Arifi është brezi i dytë e teneqepunuesve në Podujevë.
Djali i tij, Fehmiu, tregon se i ati e kishte marrë këtë zanat nga dy mjeshtër më të vjetër e në zë në këtë anë, Xhemë Podujeva e Hajro Obrança Teneqexhia. Vetë Fehmiu, tash 52-vjeçar, njëri nga tre djemtë e Arifit që e di këtë zanat, thotë se e do këtë punë. Këtë e sheh si çelës suksesi për një profesion. Në dyqanin e tij, në “Rrugën e Brigadave”, në një cep, është edhe makina e parë me të cilën nisi punën babai i tij.
Për familjen makina që e kanë për më se 4 dekada ka vlerë monumentale. Aktualisht është jashtë funksionit, e Raçi thotë se nuk e shet me para.
Makina monumentale
Në një pasdite të ftohtë janari, Fehmi Raçi po merret me punë të vogla me llamarinë. Thotë se punët më të mëdha kryhen verës. Prandaj, është i vetëm në dyqanin e tij, që ndodhet më poshtë se niveli i rrugës.
Një palë gërshërë që presin llamarinën i mban në dorë instinktivisht, edhe pasi lë për pak minuta punën, për të shpalosur rrëfimin e zanatit familjar. Kthehet te babai i tij. Një afishe që kumtonte lajmin për vdekjen e tij është vënë në një pjesë të murit anësor. “Këtë punë e kam trashëguar nga baba. Të gjithë vëllezërit e kemi trashëguar dhe e mbajmë”, thotë Raçi, me një dozë krenarie.
Prej kur ishte mëvetësuar si zanatli, Arif Raçi, zanatin e ka ushtruar në të njëjtinvend ku tash punojnë edhe djemtë e tij. Por zejen e kishte marrë nga dy mjeshtër më të moçëm.
“Te Xhemë Podujeva dhe Hajro Obrança Teneqexhiu, që kanë qenë në zë në atë kohë”, thotë ai.
Tek krahason kohët, thotë se mënyra se qysh kanë punuar dikur ka qenë më primitive e më e vështirë, por insiston se ka qenë më kualitative .
“Për nja 60 për qind më mirë e kanë punuar atëherë sesa sot. Ia kanë ditë vlerën më shumë, se dhe është pagu puna më mirë. Sot nuk vlerësohet”, thotë Raçi.
E puna ka qenë shumë e vështirë.
“Atëherë nuk ka pasur shumë mjete, por i kanë punuar më mirë e më kualitet. Me do sene të thjeshta primitive, të çelikut”, thotë Raçi, teksa shton se megjithatë atëherë ka pasur më shumë nevojë për punëdore të llamarinës.
“Sot ka shumë më tepër materiale. Ka ardhur plastika, teknika e bardhë”.
Raçi thotë se dikur kanë pasur vështirësi edhe në gjetjen e materialit.
“Kanë shkuar këtu e në Slloveni me tren, me marrë llamarinë. Llogarite ti tash. Sot një telefon e bën dhe ta sjellë llamarinën në dyqan. Tjetër kohë krejt tash”, thotë ai.
Në një cep të lokalit, jashtë dyerve kryesore, ndodhet një makinë, që për familjen ka vlerë monumentale.
“Me të ka nisur punën baba. E ka sjellë prej Shkupit. Është e madhësisë 1.2 metra. Dhjetë mijë euro me mi dhanë, që boll shumë pare janë ato, nuk e jap. E ruaj për muze personal”, thotë Raçi. Shumë njerëz thotë se ia kanë kërkuar për të punuar me të, por i ka kthyer.
E tash, thotë ai, i duhet më shpesh të blejë makina. Një makinë që e ka ende në funksion është ajo që e ka blerë vetë. Aty nga viti 1995.
“Apkan i thonë, lakime dhe kënde bën me të. Më është duk që është bërë dynjaja e imja”, thotë Raçi. “Puna me makinën e vogël e ka sjellë këtë të dytën, e kjo e ka sjellë një tjetër makinë që është 6 metra e gjatë”, shton më tej.
E kur kthehet te babai i tij si zanatli, Raçi thotë se ai nuk ka qenë i rreptë. Mbase për faktin se nxënës i ka pasur të bijtë.
“Ne kemi punuar te baba. Zanatlinjtë kanë xhelozi, e bash kur të vjen koha për atë sekretin, ia kthen shpinën. Baba për neve natyrisht nuk ka pasur një gjë të tillë. Por na thoshte, prishe të parën, edhe të dytën, por të treten nuk bën me e prish. Me të tretën duhet me ditë ku po gabon”, thotë ai.
Prodhimet si kujtesë e së kaluarës
Fehmi Raçi ka edhe dy vëllezër të tjerë. Njëri prej tyre është në Gjermani, dhe ndonëse e di, nuk merret me zejen e llamarinëpunuesit.
“Prej 12 vjeç e këndej ne këtu kemi qenë. Kemi shkuar edhe në shkollë, por kur kemi pasur kohë kemi ardhur këtu. Na kanë mbledhur këtu, nuk kanë pasur dëshirë me na shpërnda nëpër botë”, thotë ai.
Edhe pasardhësit e Fehmi Raçit, janë të dhënë pas kësaj zeje.
“Një djalë i imi, i madhi, ka shkuar në Amerikë dhe me këtë profesion ka gjetur punë atje. Por atje i paguhet ndryshe. Vlerësimi i punës është krejt në tjetër nivel. I ka ra mirë atij shumë”, thotë ai.
E vëllai që kishte shkuar në Gjermani para luftës së fundit në Kosovë, do t’i gjendej familjes në një tjetër aspekt.
“Kur jam kthyer prej luftës, beso, nuk kemi pasur asnjë mjet për me ia nis punës. Krejt i kishin marrë serbët. Krejt është dashtë prej fillimit t’i bëjmë. Për fat, vëllai qëlloi në Gjermani e na i solli. As me çka me pre llamarinën s’kishim”, kujton Raçi.
Ai tregon se metri dhe shënjuesi i çelikut apo lapsi janë mjetet pa të cilat as mund të mendohet të nisë kjo punë. Gërshërët, çekanët e të tjera janë mjete që vijnë pas tyre.
“E mandej makinat janë të ndryshme. Sa më shumë të kesh më mirë”, thotë ai.
Sado që në Podujevë mund të hasësh në disa llamarinëpunues, Raçi thotë se nuk kanë mbetur edhe shumë, në krahasim me numrin e tyre dikur.
“Prej moshës së moçme shumë pak kanë mbetur”, thotë 52-vjeçari.
Edhe prodhimet që kanë bërë ata thotë se gati kanë dalë nga moda.
“Gati janë dalë prej renit, por lokali duhet me i pasë patjetër. Shporeti i zi, shtufa e zezë janë në zhdukje e sipër. Tash e blen vetëm dikush që s’ka mundësi me ble atë tjetrin. Ose si kujtesë e së kaluarës”, thotë Raçi, që bën me dorë në drejtim të një numri të madh kovash të madhësive të ndryshme, që qëndrojnë varur në një raft ngjitur për murin anësor. Tek-tuk ndonjë saç i flijave, ndonjë shporet i zi, janë punët e tjera që i kryen ai. Por punën më të madhe thotë se e bëjnë me “ullukë të shtëpive”, e me të cilët punojnë kryesisht verës.
Puna thotë se nuk është pa rreziqe. E sa i përket ambientit, Raçi thotë se natyrshëm që ka pluhur, por kur e krahason me të kaluarën, kur thotë se këto lloj punëtorish kanë qenë të shtruara me dhe, është dukshëm më mirë.
Përkundër të gjithave, Fehmi Raçi vazhdon ta dojë punën që bën. Thotë se ka jetuar mesatarisht mirë prej saj.
“E du me shpirt këtë profesion. Veç nuk duhet me iu nda asnjëherë”, thotë Raçi, që ka një porosi. “Nëse nuk e don punën që e bën ik prej saj, se nuk mund të arrish gjë”.
Për brezin pas tij, 52-vjeçari merr përsipër të japë edhe një tjetër këshillë. Porosia e tij për të rinjtë është që të ndjekin shkollën. Por krahas kësaj të mësojnë edhe një zanat. “Atë e marrin me vete kudo që shkojnë”, thotë ai.