Perandorët romakë mund të duken të mundimshëm për lexuesit modernë. Dhe kjo jo aq fort për shkak se krimet e tyre, bazuar në standardet moderne, janë të këtilla që të presin frymën – ani pse siç tregon Barry Straussi në librin e tij të fundit rrëmbyes: “Ten Ceasars”, ato përnjëmend këtë efekt kanë.
Neroni, thuhet në libër, ka kryer akt incesti me nënën e tij dhe më pas e ka ekzekutuar. Në ndërkohë, Perandori Galerius thuhet se i gjallëronte vaktet duke i ushqyer arinjtë e tij shtëpiakë me kriminelët, teksa vetë hante, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Sado të tmerrshme që të duken këto akte, duhet pranuar se ato shërbejnë për argëtimin e lexuesit në rast të bezdisjes nga leximi.
Mirëpo, arsyeja e vërtetë pse perandorët mallëngjejnë zemrat moderne nuk ka të bëjë aq me mëmëvrasjen, vëllavrasjen, pederastinë apo instancat e një vakti makabër. Ajo që nxit më së tepërmi shqetësim për sa u përket perandorëve është fakti se ishin kaq të shumtë në numër. Në mes të shekujve një dhe katër, ka pasur (varësisht se si i numëroni) rreth 70 e kusur të tillë – pesë vetëm gjatë vitit 193.
Dhe ata ishin të pamëshirshëm me emrat e tyre. Një lexuesi i duhet t’i shfletojë goxha libra historikë për të mos u ngatërruar në vargëzimin e emrave Konstans, Konstantinus dhe Konstatin.
Kështu që, edhe para hapjes së faqes së parë të librit “Ten Caesars”, lexuesi ndien se ia ka borxh mirënjohjen Straussit për pasqyrimin e 60 e më shumë sundimtarëve dhe për përqendrimin në një numër të konsiderueshëm të tyre. Pasqyra e përmbajtjes tregon se ai më pas i thjeshtëzon gjërat, duke ia dhënë secilit perandor nga një epitet. Kësisoj, mund të gjeni kapituj si “Tiberius tirani”, “Neron argëtuesi” dhe kështu me radhë – një hile kjo që bëri nam bazuar në emrat e mbretërve mesjetarë. Apo mbase nga “Game of the Thronesi”.
Strauss, përndryshe profesor në Cornell, i posedon kredencialet intelektuale për t’u treguar i guximshëm me thjeshtësimet e tilla. Për më tepër, detyra që ai ia caktoi vetes e kërkon një gjë të tillë. Për t’i mbuluar 36 vjet të çuditshëm në një numër të ngjashëm faqesh do goxha njëfarë mundi.
Sundimi katërdekadësh i Augustit (“Themeluesi”) mbulohet në 40 faqe. Qeverisja 30-vjeçare e Konstandinit (“I krishteri”) kapërcehet nxitimthi në 28 faqe. Pikërisht ky kapërcim përfaqëson pikën më të fuqishme dhe njëkohësisht më të dobët të librit. Fuqia këtu fshihet te qasja që ofron perspektivë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)