Qe premtuar qysh më 2013, e më 2017 u nismua si projekt, e tash teleferiku për në Kalanë e Prizrenit është rikthyer në agjendë dhe për këtë, është nënshkruar një memorandum trepalësh midis Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe “Swisscontactit” në Kosovë. Një projekt si ky ka histori të kahershme premtimesh e zotimesh sikurse edhe kundërshtimesh për jotransparencë. Në Ligjin për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar, për periudhën 2022-2024 figuronin 3 milionë euro për këtë projekt, e në atë të këtij viti për periudhën 2023-2025 janë planifikuar 2 milionë e 226 mijë euro për projektin e teleferikut në Prizren
Teleferiku për në Kalanë e Prizrenit është kthyer sërish në agjendën e institucioneve, pas historisë disavjeçare të dështimeve për jetësimin e këtij projekti kapital. Drejtues të Komunës së Prizrenit, të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe ata të “Swisscontactit” në Kosovë, kanë njoftuar se të martën është nënshkruar marrëveshja trepalëshe për realizimin e projektit për ndërtimin e këtij teleferiku.
Historia e teleferikut zë fill qysh më 2013, kur asokohe kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, e përmendi në fushatë elektorale. Më 2017, u nismua si projekt, por nuk kishte asgjë konkrete. Vitin e kaluar dhe sivjet ka edhe planifikime buxhetore për këtë projekt. Në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2022, figuron se MMPHI-ja për periudhën 2022-2024 ka planifikuar 3 milionë euro për projektin e teleferikut në Prizren. Ndërsa në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023, shkruan se MMPHI-ja për periudhën 2023-2025 ka planifikuar 2 milionë e 226 mijë euro.
Tash, Komuna e Prizrenit memorandumin e ka vlerësuar si fillim të mbarë të vitit për qytetin e vjetër, pasi është arritur marrëveshja për projektin që “do ta shijojnë të gjithë, pa dallim moshe”.
“Ky projekt do të ndikojë në turizëm, rrjedhimisht, në zhvillimin ekonomik të Komunës së Prizrenit, në kuadër të zhvillimit të produkteve turistike si një ndër atraksionet kyçe të Komunës. Kalaja e Prizrenit, përveç një margaritar i trashëgimisë kulturore, ofron një pamje të jashtëzakonshme të Kryeqytetit Historik të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Ministri i MMPHI-së, Liburn Aliu, ka thënë se me memorandumin e mirëkuptimit, MMPHI-ja, Komuna e Prizrenit dhe “SwissContact” janë dakorduar për realizimin e projektit për ndërtimin e teleferikut në Kalanë e Prizrenit.
“U pajtuam që të bashkëpunojmë në zhvillimin e projektit ‘Ndërtimi i teleferikut në Kalanë e Prizrenit’ me qëllim të zhvillimit të sektorit të turizmit në Prizren, kështu duke u zotuar se do të angazhohemi që të kontribuojmë sipas kompetencave që i kemi për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për qytetin e Prizrenit”, ka bërë të ditur Aliu përmes rrjeteve sociale. Sipas tij, palët janë marrë vesh që gjatë zbatimit të këtij memorandumi, të shkëmbejnë informacione dhe të takohen rregullisht të paktën një herë në muaj për t’i vlerësuar dinamikat e zbatimit të memorandumit.
Ndërsa “Swisscontact” në Kosovë ka bërë të ditur se ka nënshkruar memorandumin me MMPHI-në dhe Komunën për ndërtimin e teleferikut, “që do të lehtësojë qasjen e turistëve në kalanë historike të Prizrenit”.
Aktivisti i shoqërisë civile, njëherësh anëtari i Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit, Veron Tara, ka theksuar se ky trup nuk ka ndonjë informacion zyrtar sa i përket marrëveshjes së fundit për teleferikun në Kalanë e Prizrenit, pos njoftimeve të publikuara në rrjetet sociale nga institucionet relevante.
“Ende nuk jemi informuar zyrtarisht, dhe nuk e dimë akoma se a do të hartohet apo implementohet projekti brenda Qendrës Historike të Prizrenit”, ka thënë Tara.
Sipas tij, mundësia e zhvillimit të një teleferiku të ri duhet të konsiderohet si studim rasti e një pjese të një procesi planifikimi të plotë dhe gjithëpërfshirës, duke përfshirë një analizë të alternativave, kostove dhe përfitimeve.
“Edhe kur teleferiku zgjidhet si një zgjidhje e qëndrueshme, me kosto më të ulët dhe të shkathët, duhet t'u kushtohet vëmendje e kujdesshme dizajnit, integrimit të transportit dhe qëndrueshmërisë afatgjatë. Nevojë kryesore e teleferikut është qasja më e shpejtë dhe më pak e vështirë, pasi që Kalaja e Prizrenit është me lartësi të madhe, si dhe qasja për PAK, pasi që rrugët aktuale nuk janë të përshtatshme për këtë shoqëri”, është shprehur Tara.
Ai ka insistuar se projekti duhet të zhvillohet me një qasje gjithëpërfshirëse, meqë ka të bëjë me njërin prej lokaliteteve më të rëndësishme arkeologjike të Prizrenit.
“Procesi i hartimit të projektit ka nevojë të domosdoshme të planifikimit gjithëpërfshirës, pasi që prek shumë aspekte, si arkitekturor, historik, vizual, qasjen dhe përdorimin, duke e marrë parasysh edhe aspektin shumë të ndjeshëm urbanistik. Procesi duhet të involvojë shumë ekspertë të fushave përkatëse, grupe të interesit direkt, banorë, shoqërinë civile me fusha të caktuara të veprimit, institucione relevante të trashëgimisë dhe të mjedisit”, ka deklaruar Tara.
Sigurimi i qasjes alternative për njërin prej lokaliteteve më të vizituara në Prizren është shqyrtuar përgjatë viteve të shkuar, por pa ndonjë rezultat konkret në terren.
Vitin e shkuar, KOHA kishte raportuar se si në raportet e punës së ish-qeverisjes komunale të Prizrenit thuhej se është hartuar projekti për teleferikun, ndërkohë që nga kabineti i kryetarit, Shaqir Totaj patën deklaruar se nuk është trashëguar asnjë projekt lidhur me teleferikun për në Kalanë e Prizrenit.
“Qeveria jonë lokale nuk ka trashëguar asnjë projekt për teleferikun për në Kalanë e Prizrenit, nga qeverisja e kaluar e VV-së, sepse ky projekt është anuluar nga ta kur e kanë marr pushtetin në vitin 2017”, kishte thënë zëdhënësja e Komunës, Jona Hoxhaj.
Ndërkohë, edhe autoritetet e trashëgimisë kulturore patën pohuar se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë të re për marrjen e pëlqimit për teleferikun për në Kalanë e Prizrenit, përjashtuar procesin e zhvilluar në vitin 2017. As Instituti Arkeologjik i Kosovës nuk ishte ftuar për konsulta eventuale, ani pse Shafi Gashi nga ky institucion ka qenë ithtar i idesë që Kalaja e Prizrenit të ketë një qasje më të përshtatshme për të gjitha kategoritë, gjë që do ta rriste numrin e vizitorëve në Kala, duke shtuar se kalatë në qendrat e tjera evropiane kanë bërë zgjidhje moderne për këtë çështje. Por ai kishte shprehur qëndrimin se duhet një zgjidhje sa më ideale, duke mos dëmtuar vizurat e Kalasë, dhe sa më afër bërthamës së qytetit, ashtu që turisti pas vizitës në qendër të ngjitet edhe në Kala.
Në verën e vitit 2017, KOHA kishte raportuar se autoritetet lokale e qendrore të trashëgimisë kulturore kishin refuzuar kërkesën, përkatësisht projektin ideor të Komunës së Prizrenit për ndërtimin e infrastrukturës për qasje në Kalanë e qytetit. Pavarësisht nga ky refuzim, organet komunale të Prizrenit patën iniciuar procedurat e prokurimit për këtë projekt, duke vlerësuar se autoritetet e trashëgimisë kulturore i kanë shkelur afatet ligjore për dhënien e përgjigjes në kërkesë.
Në mars të vitit 2018, kryetari i atëhershëm, Mytaher Haskuka, kishte marrë vendim për anulimin e projektit të teleferikut për në Kalanë e qytetit, me arsyetimin se projekti ideor ishte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, dhe se nuk janë marrë pëlqimet përkatëse nga QRTK-ja dhe KTK-ja, derisa një pëlqim i tillë nuk është kërkuar as nga IAK.
Pas kësaj, qeveria Haskuka në vitin vijues kishte raportuar se ka ndërmarrë hapa për hartimin e projektit për teleferikun në Kala. Në raportin e punës për periudhën janar-dhjetor 2019 të Komunës së Prizrenit, në të cilën kohë kjo komunë udhëhiqej nga kryetari Mytaher Haskuka, në kapitullin e projekteve me rëndësi, për teleferikun thuhej se “është hartuar projekti nga ana e kompanisë zvicerane ‘Geode’, sipas Ligjit për Qendrën Historike, Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe kritereve të tjera të domosdoshme”.
Ndërkaq në ueb faqen e Komunës së Prizrenit gjendej vendimi i datës 1 tetor 2020, me të cilin ish-kryetari Haskuka kishte miratuar propozimin për lejimin e realizimit të projektit për studimin e fizibilitetit për teleferikun. Aty gjithashtu figuronte edhe një kontratë e nënshkruar në dhjetor të vitit 2020 për studimin e fizibilitetit për teleferikun, në vlerë mbi 14 mijë euro.
Lidhur me këtë çështje, në fillim të vitit 2021 kishte reaguar organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, duke theksuar se odisejada e projektit për teleferikun e Kalasë së Prizrenit është e mbështjellë me shumë paqartësi, ndërkohë që kishte akuzuar edhe pushtetin e atëhershëm për mos transparencë lidhur me këtë projekt të rëndësishëm. Kjo organizatë nga organet e atëhershme komunale kishte kërkuar sqarime se: përse është hartuar fillimisht projekti ideor për Kalanë e Prizrenit dhe pastaj është kërkuar hartimi i studimit të fizibilitetit; pse Komuna e Prizrenit ka përdorur qasjen “e përmbysur” në projektin e planifikimit të teleferikut; nëse ka paguar mjete financiare për hartimin e projektit ideor, e të tjera, dhe kishte njoftuar se nuk ka marrë përgjigje nga zyrtarët përgjegjës.
Përkundër zhvillimeve të deritanishme, Komuna e Prizrenit ka theksuar se ka plane që ta realizojë këtë projekt, në bashkëpunim me akterët e tjerë relevantë.