Kulturë

“Teatri vazhdon” bashkon virtualisht skenën teatrore shqiptare

Në kohën kur bota e teatrit ende nuk është këndellur nga goditjet e pandemisë, Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit synon të jetë dritarja virtuale që bashkon artistët dhe publikun. Me moton “Teatri vazhdon”, 20 trupa teatrale nga tri shtetet shqiptare, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut, do të japin në mënyrë online shfaqjet e tyre më të mira gjatë pesë vjetëve të fundit. Nga organizatorët Festivali Mbarëkombëtar është cilësuar si mundësi e mirë për të ardhmen e teatrove shqipfolëse, por shkëmbimi aktual teatror vazhdon të mbetet frustrueshëm i vogël

Prishtinë, 9 shkurt – Në një kohë pandemie, bota teatrore po përpiqet të sjellë një alternativë komunikimi me publikun. Duke i mëshuar motos “Teatri vazhdon”, dhjetëra teatro nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut do të bëhen tok në ngjarjen e vetme që përbashkon dramaturgë, regjisorë e aktorë nga trevat shqiptare.

Të martën, në mjediset e godinës “ArTurbina” në Tiranë gjatë një konference për media janë dhënë detaje për Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, që edicionin e sivjetmë do ta mbajë krejtësisht në format digjital.

Si ngjarje e organizuar nga Teatri Kombëtar, si dhe Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në festivalin e sivjetmë kanë paralajmëruar pjesëmarrjen 20 trupa teatrore nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe nga skena e pavarur me shfaqjet e tyre më të mira gjatë pesë vjetëve të fundit.

“Nga 23 shkurti, çdo ditë në orën 19:00, ‘teatri vjen në shtëpinë tuaj’ nëpërmjet një dritareje virtuale, livestream në Facebookun e Teatrit Kombëtar dhe në Facebookun e teatrove pjesëmarrëse”, është thënë në njoftimin e afishuar në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar në Facebook.

Si “festival i gjithë shqiptarisë”, siç e ka quajtur njëri nga organizatorët, për njëzet ditë me radhë publiku artdashës do të ketë mundësi të shohë shfaqje teatrore nga Tirana, Prishtina, Shkupi, Shkodra, Durrësi, Kumanova, Prizreni, Gjirokastra, Ferizaj, Korça, Fieri, Gjilani, Vlora, Gjakova, e të tjera.

Në konferencën e mbajtur për gazetarë, drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, ka thënë se organizimi i sivjetmë i Festivalit Mbarëkombëtar vjen për shkak të pamundësisë për të zbritur në skenë, si dhe kërkesave të komunitetit artistik dhe publikut.

“Besojmë se është një nismë shumë e mirë duke qenë festival i gjithë shqiptarisë”, ka thënë Çuli teksa ka zbardhur hollësi të Festivalit, që do të zgjasë tri javë.

Në të vërtetë, më i madhi institucion teatror në Shqipëri është i vetmi që nuk ka dhënë asnjë shfaqje në mjedise të hapura. Edhe statistikat e deklaruara në “INSTAT” për numrin e audiencës ishin zero. “Ne kemi marrë një urdhër nga qeveria shqiptare, që nuk mund të rrimë më shumë se dhjetë veta bashkë”, ka thënë pos të tjerash Çuli.

Drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Altin Basha, ka bërë me dije se trupat teatrore kanë reaguar pozitivisht ndaj idesë. Sipas tij, gjendjen e pandemisë e kanë vuajtur të gjitha institucionet e kulturës jo vetëm në Shqipëri.

“E ndiem që në fillim solidaritetin dhe gatishmërinë për t’iu bashkëngjitur festivalit”, ka thënë Basha, teksa ka shtuar se organizatorët kanë vendosur kritere për cilësinë e shfaqjeve sa i përket regjistrimit të videove dhe audiove.

E pranishme në konferencë ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila festivalin në fjalë e ka cilësuar si mundësi të mirë për të ardhmen e teatrove shqipfolëse. Duke evokuar vitin e rëndë të pandemisë, ajo ka thënë se “në këtë kohë kërkohej një mendësi e re, jo për t’u ankuar për pamundësitë, por për të gjetur mundësi të reja”.

“Për mua kjo sienergji e krijuar mes drejtuesve e aktorëve, që ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë, është një nga rezultatet më shpresëplotë që jo çdo gjë është ndërprerë”, ka thënë ajo.

Gjatë ditës, ministrja Margariti i ka bërë jehonë Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit edhe në faqen e saj në Facebook, në të cilën ka ftuar publikun që të mbështetë artin, por edhe të votojë për Çmimin e Publikut. E ky është vetëm njëri nga nëntë çmimet që janë vendosur nga organizatorët në festivalin që do të jetë edhe si formë e konkurrimit.

Sipas kalendarit të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit, shfaqja nga Teatri Shqiptar i Shkupit “Makbeth”, nga regjisorja Diana Dobreva, do të hapë më 23 shkurt siparin e edicionit të sivjetmë. Ditën tjetër, shfaqja e radhës do të jetë ajo nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Arturo UI”, nën regjinë e Kiço Londos. Më 25 shkurt, skena e pavarur sjell “Black bird” nën regjinë e Donard Hasanit; më 26 shkurt Teatri “Aleksandër Moisiu”, Durrës, sjell shfaqjen “Martesa” nën regji të Driada Dervishit; më 27 shkurt, Teatri i Gjilanit sjell shfaqjen “Aylan” me regji të Blerta Nezirajt; më 28 shkurt, Teatri “Zihni Sako”, Gjirokastër, sjell tragjikomedinë “Fqinjët” nën regji të Ruzhdi Pulahës; më 1 mars, skena e pavarur sjell shfaqjen “Mashtrimi” me regjisor Artan Imamin; më 2 mars, Teatri “Migjeni”, Shkodër, sjell shfaqjen “Jugori”, me regjisor Dino Mustafiq; më 3 mars Teatri i Qytetit “Hadi Shehu”, në Gjakovë, sjell shfaqjen “Dorëzimi në Spokan” me regji të Ilir Bokshit; më 4 mars, skena e pavarur “Teatri Rikthim” sjell “Qyteti i akuzuar” me regji të Bajram Torbës; më 5 mars, “Teatri Metropol” sjell shfaqjen “Ëndrra e një nate vere” me regji të Armela Demajt; më 6 mars, Teatri “Adriana”, Ferizaj”, sjell shfaqjen “Oh, Oh Xhulia” me regji të Besim Ugzmajlit; më 7 mars, Teatri “Bylis”, Fier, sjell komedinë “Zija e bardhë” me regji të Milto Kutalit; më 8 mars, Teatri Shqiptar, në Kumanovë, sjell shfaqjen “Në det” nën regji të Qëndrim Rijanit; më 9 mars, Teatri “Petro Marko”, Vlorë, sjell shfaqjen “Në shtëpi në orën shtatë” me regji të Roland Mingës; më 10 mars, Teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren, shfaqjen “Monserati” me regji të Roland Roshit; më 11 mars, Teatri “Andon Zako Çajupi”, Korçë, sjell “Kopshti i vishnjeve” me regji të Dino Mustafiqit; më 12 mars, skena e pavarur sjell “Kush e solli Doruntinën” me regji të Laret Vasilit; më 13 mars, TKK, Prishtinë, sjell “Zgjimi i Pranverës” me regji të Zana Hoxhës; si dhe më 14 mars, Teatri Kombëtar sjell “Galaksia” me regji të Rovena Lule Kukës.

Derisa komuniteti teatror në të dy anët e kufirit është treguar solidar, veçmas për çështjen e goditës së Teatrit në Tiranë që u shemb vitin e kaluar, repertori i teatrove rezervon fare pak vend për shfaqje të ndërsjella. E gjithë kjo ngjan pavarësisht kalendarëve të përbashkët të nënshkruar thuajse për çdo vit nga 2014-a nga dy ministritë e Kulturës.