Prej ditës së 29-të të këtij muaji ata që e kanë ndërmend t’ia mësyjnë pozitës së udhëheqësit artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës mund t’i dorëzojnë aplikacionet në Ministrinë e Kulturës. Konkursi do të jetë i hapur deri në ditën e 13-të të tetorit. Si zëvendësues të udhëheqësit artistik në TKK kanë shërbyer disa veta për më shumë se tre vjet
Janë bërë më shumë se tre vjet prejse Teatri Kombëtar i Kosovës nuk ka udhëheqës artistik. Nëpërmjet katër konkurseve Ministria e Kulturës nuk ia ka dalë që të plotësojë këtë pozitë, një prej dy më të lartave menaxheriale në institucionin më të lartë teatror në vend. Tash synohet me konkursin e pestë të gjendet një udhëheqës artistik.
Prej ditës së 29-të të këtij muaji ata që e kanë ndërmend t’ia mësyjnë kësaj pozite mund t’i dorëzojnë aplikacionet në Ministrinë e Kulturës. Konkursi do të jetë i hapur deri në ditën e 13-të të tetorit.
Si zëvendësues të udhëheqësit artistik në TKK kanë shërbyer disa veta për më shumë se tre vjet. Aktualisht zëvendësues është zyrtari i MKRS-së, Milot Mustafa.
Kushtrim Sheremeti, i cili është zgjedhur drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës në shkurt të këtij viti, ka thënë se është shumë e rëndësishme që TKK-ja ta ketë edhe udhëheqësin artistik.
“Për mua është shumë e rëndësishme që të kem një koleg në TKK si udhëheqës artistik në mënyrë që të ndërtojmë një planifikim afatgjatë të punës artistike në Teatër”, ka thënë ai.
Historia e mbetjes së institucionit pa udhëheqës artistik nis qysh në qershor të vitit 2019, kur regjisorit Agon Myftari i përfundoi mandati katërvjeçar në këtë pozitë. Asokohe nëpërmjet një konkursi në këtë pozitë qe zgjedhur regjisori Fatos Berisha. Nuk e kishte pranuar detyrën fare për disa muaj e më pas kishte njoftuar se nuk do ta pranonte fare.
Në konkursin e hapur në nëntor të vitit të kaluar, i treti me radhë, kishin konkurruar katër kandidatë. Arta Muçaj, Sokol Plakolli, Albana Muja-Deliu e Agush Mulliqi ia kishin mësyrë kësaj pozite. Aktorja Muçaj doli se nuk e kishte diplomën e nostrifikuar. Ajo ka studiuar në Shqipëri. E Mulliqi nuk e plotëson kushtin e përvojës së punës. Kërkohen pesë vjet përvojë pune, pas diplomimit.
Vendimin për anulimin e konkursit Ministria e Kulturës e kishte bazuar në Udhëzimin Administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Ky akt nënligjor përcakton se konkursi publik duhet të përsëritet nëse së paku tre kandidatë nuk i plotësojnë kushtet e parapara me konkurs.
Më pas, në konkursin e shkurtit të këtij viti, Sokol Plakolli, Arta Muçaj, Erson Zymberi, Saranda Elshani, Elhame Kutllovci e Dea Venhari-Dragaj ishin në konkurrencë për udhëheqës artistik të TKK-së. Sipas verifikimit që ka bërë MKRS-ja, Venhari-Dragaj nuk i plotësonte kushtet për ta vazhduar procesin pasi nuk ka dëshmuar se u përgjigjet krejt kritereve të konkursit.
Në fund të procesit vetëm regjisori Erson Zymberi ishte kualifikuar për të shkuar në intervistë.
Paraprakisht për një mandat kishte shërbyer si drejtor i përgjithshëm i Teatrit të Gjilanit. Por, në ditën e intervistës, më 23 prill, Zymberi nuk kishte shkuar. Me arsyetimin se është tërhequr “për arsye personale”, ai kishte hequr dorë nga gara për pozitën e udhëheqësit artistik të TKK-së.
Atë proces e kishte nxjerrë me telashe edhe MKRS-ja. Sokol Plakolli kishte bërë ankesë se nuk i janë vlerësuar drejt përgjigjet që kishte dhënë në testin me shkrim. Komisioni i ankesave në MKKS kishte vlerësuar se Plakolli në disa raste kishte të drejtë. Prej atëherë Plakolli në baza ditore qëndron para Qeverisë në një lloj proteste kundër ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, e Këshillit Drejtues të TKK-së. Zëshëm kërkon nga kryeministri Albin Kurti që ta marrë situatën në dorë. Madje këtë javë njëherë e ka larguar Policia nga aty.
Udhëheqësi artistik propozon politikat artistike të TKK-së, bën propozimin e repertorit, udhëheq punën kreative të ansamblit rezident, bën recension për veprat skenike, është përgjegjës për realizimin e repertorit e përcakton regjisorët.
TKK-ja kishte qëndruar dy vjet pa drejtor të përgjithshëm e ishte përcjellë me një sagë konkursesh deri në shkurt të këtij viti, kur aktori Kushtrim Sheremeti u zgjodh në këtë pozitë. Por, TKK-ja nuk është i vetmi institucion qendror i kulturës që i mungojnë udhëheqësit.
Qysh prej gushtit të vitit 2020, Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht zëvendësues i drejtorit të GKK-së është Naim Spahiu.
Në dhjetor të vitit 2021, Arben Zharku qe shkarkuar nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës pas një procesi të gjatë me pezullime e kthime.
Kurse prej 17 korrikut ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” është pa drejtor. Shefqet Gjocajt i kishte përfunduar mandati i dytë. Megjithëse ishte hapur konkursi, ai ishte anuluar gjatë procesit pasi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte shkarkuar përbërjen e Këshillit Drejtues të “Shotës”.
Pozitat udhëheqëse të institucioneve të kulturës ka kohë që nuk shihen si vende pune për shumicën e komunitetit artistik që kanë arritje me krijimtarinë e tyre. Niveli i pagave është një prej arsyeve. Për këtë Ministria e Kulturës synon që t’i rrisë pagat e drejtuesve institucionalë deri në nivel të profesorëve universitarë.