“Teatri si mjet për ndryshim dhe transformim shoqëror” ka qenë tema e konferencës të mbajtur të mërkurën në kuadër të edicionit të dytë të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur “PrizreFest”. Panelistët kanë dhënë shembuj konkretë për teatrin si nxitës ndryshimesh në shoqëri
Teatri gjatë historisë së ekzistimit të tij ka shërbyer si mjet për ndryshim dhe transformim shoqëror. Ky ka qenë njëri prej konstatimeve në konferencën “Teatri si mjet për ndryshim dhe transformim shoqëror”, e mbajtur të mërkurën në Prizren, organizuar nga organizata joqeveritare “Artpolis” dhe festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur, “PrizrenFestit”, që sivjet mban edicionin e dytë.
Regjisorë e përfaqësues nga teatrot publike, si dhe skena e pavarur kulturore vendore kanë ofruar shembuj të ndryshëm se si është manifestuar roli i teatrit në Kosovë, duke përmendur edhe raste individuale të ndikimit direkt të shfaqjeve të caktuara. Krahas kësaj është theksuar edhe rëndësia për kultivimin e dashurisë ndaj këtij mediumi të komunikimit nga moshat e hershme.
Aktorja e regjisorja veterane Melihate Qena para të pranishmëve ka përshkruar procesin se si teatri “Dodona” ku ajo punon tash e disa vjet ka ndryshuar dhe transformuar lagjen e komunitetin ku vepron, për t’u shndërruar edhe në institucion të rezistencës. Sipas saj, teatri si medium vazhdon që ta ruajë rolin e vet të rëndësishëm pavarësisht zhvillimit teknologjik, sepse në esencë, në mënyrë të drejtpërdrejtë lidh njeriun me njeriun, pa barriera, duke mundësuar kësisoj edhe edukimin dhe progresin e komunitetit apo popullit.
“Thotë një shkrimtar i njohur: 'Hape një teatër dhe mbylle një burg'. Kjo nuk është vetëm frazë, kjo është vërtet një fakt, sepse teatri i afron njerëzit, teatri i fisnikëron njerëzit, i zbut njerëzit, iu ndërron mendimet njerëzve, i socializon. Prandaj njeriu ka vetëm dobi prej teatrit dhe në qoftë se këtë e kanë parasysh njerëzit që udhëheqin me një qytet ose me një teatër, atëherë do të ishte shumë pozitive sepse do të bëhej ndryshimi i madh nëpërmjet teatrit, nëpërmjet diçkaje që nuk është e mërzitshme për t’u shikuar e transmetuar dhe është shumë e dobishme”, ka thënë Qena.
Regjisori dhe drejtori artistik i teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren, Fatos Berisha, ka theksuar se teatri i mirë është subversiv dhe si i tillë është mjet i ndryshimit.
“Teatri është vërtet subversiv, edhe si i tillë ka qenë prej fillimit, jo se e kemi zbuluar ne, në kuptimin që i sfidon fenomenet shoqërore përmes formave teatrore të ndryshme, përmes zhanreve të ndryshme, dhe si i tillë besoj që vetvetiu është mjet i ndryshimit. Kështu ka qenë prej teatrit antik e deri më sot”, ka thënë Berisha.
Regjisorja dhe drejtuesja e “Artpolisit”, Zana Hoxha, ka thënë se teatri cyt vazhdimisht ndërrimin e mendësisë duke adresuar çështje të ndryshme.
“Teatri gjithmonë ka pasur rol të njëjtë historik për ndryshimin shoqëror dhe për një zhvillim të një mendësie ndryshe dhe mendoj se ‘PrizrenFesti’ dhe shumë iniciativa të tjera që ndodhin në Kosovë tregojnë që teatri mban një nga peshat kryesore të zhvillimit të shoqërisë, mentalitetit ndryshe, adresimit të çështjeve të ndryshme, por edhe sjelljen dhe kultivimin e artit dhe talentëve dhe krijimin e një shoqërie, e cila artin e sheh si pjesë integruese të ndryshimeve”, ka thënë Hoxha.
Sipas saj, ashtu siç edhe është diskutuar në këtë konferencë, rikthimi i interesimit për teatrin realizohet me disa veprime, duke filluar nga puna me moshat e reja.
i bërë më të qasshme shfaqjet, jo vetëm në teatrot si ndërtesa fizike, por edhe duke i dërguar në shkolla, duke i sjellë nga shkollat në teatër, duke qenë më të promovuar në media sociale, pse mos t’i përdorim mediat sociale ne, e jo t’i lejojmë vetëm ato të na përdorin neve, por edhe duke e shpërndarë dashurinë për teatrin”, ka thënë ajo duke shuar se dashuria për teatrin duhet të jetë ajo që i bashkon njerëzit. “Të gjejmë në teatër një hapësirë të sigurt ku ne zhvillojmë një mendim, dhe krijojmë bindje, të cilat ndikojnë në ne që të jemi individë më të mirë, qytetarë më të mirë të Kosovës, qytetarë më të mirë të botës", ka thënë ajo.
Konferenca ka qenë njëra prej 22 aktiviteteve teatrore në kuadër të edicionit të dytë të “Prizrenfestit”, i cili u hap të shtunën e kaluar me shfaqjen “Maidan Inferno”, nën regjinë e Clement Peretjatkos, një prodhim midis Ukrainës e Francës. Sivjet ky festival sjell produksione edhe nga Italia, Sllovakia, Shqipëria, Çekia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut e Kosova. Në kuadër të aktiviteteve përcjellëse janë edhe dy punëtoritë. Për aq sa do të zgjatë Festivali, të rinjtë e moshave 15-21 vjeç ndjekin punëtorinë e vallëzimit të drejtuar nga koreografi e artisti multimedial Tomas Danielis nga Sllovakia. Në ditën e fundit të Festivalit, në Muzeun e Hidroelektranës “Prizrenasja” do të bëhet edhe prezantimi i punës së pjesëmarrësve në këtë punëtori. Në tjetrën, të rinj prej moshës 15 deri në 18 vjeç kanë mundësi të mësojnë më shumë për artin e kukullave. Aktivitetet e tij vazhdojnë deri të enjten.