Kulturë

Teatri në reprizë: konkurs për drejtor, anulim për udhëheqës artistik

Saga në kërkim të drejtorit të përgjithshëm dhe udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës vazhdon. Episodi i radhës: hapja e konkursit për të parin, anulimi i konkursit për të dytin. Ai për udhëheqës artistik ishte hapur qysh në mars, konkurrentët ishin testuar në korrik, e asnjëri prej tyre, sipas vlerësimeve, s’e ka kaluar testin. Ka gati dy vjet që zhvillohen procedura për këto pozita

Nëse do të vendoste që rrugëtimin deri tek emërimi në dy pozita udhëheqëse ta shndërronte në shfaqje teatrore, repriza më e qëndrueshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës do të ishte drama dyaktëshe me konkurs për udhëheqës artistik e me atë për drejtor të përgjithshëm. Anulimet, rishpalljet, gabimet, zvarritja e shumëçka tjetër do të ishin disa prej skenave.

Më i freskëti “produksion” – pa llogaritur ato të viteve më herët që kishin gati pothuajse të njëjtën rrjedhë – do të kishte zanafillën qysh më 2019. Skena e fundit: të martën me anulimin e konkursit për udhëheqës artistik. E parafundit: shpallja e konkursit për drejtor të përgjithshëm, një ditë më parë.

Në vazhdën e 6 vendimeve, konkurseve e njoftimeve të bëra publike nga Ministria e Kulturës vetëm gjatë tetë orëve të orarit të punës, të martën, është edhe “Njoftimi për anulim të konkursit”. I përmbledhur në tetë rreshta, ndër të tjera, aty shkruhet se anulimi është bërë edhe në bazë të rekomandimit të Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës. KOHA ka kontaktuar gjatë ditës me tre nga shtatë anëtarët e këtij Këshilli. S’kanë pranuar të flasin për rekomandimin që ia kanë bërë MKRS-së e për ecurinë e këtij procesi, tek kanë rekomanduar që kontaktohet kryetarja e Këshillit, Rebeka Qena. Deri në momentin e raportimit ajo ka qenë e paqasshme.

KOHA ka marrë vesh se asnjëri nga kandidatët s’e ka kaluar testin me shkrim. Më pas këtë e ka konfirmuar edhe njëra prej konkurrenteve për këtë pozitë.

“Ne kishim përpara një test me shumë pyetje, pyetje këto të cilat donin përgjigje të gjata ndërkohe që koha nuk premtonte”, ka thënë Albana Muja. Pos saj, konkurrentë kanë qenë edhe: Arjeta Ajeti, Ekrem Sopi, Sokol Plakolli dhe Behar Zenelaj. Testi është mbajtur qysh në korrik. Rrjedhimisht intervista me gojë, pasi asnjëri nga kandidatët nuk doli i suksesshëm, nuk është mbajtur. Konkursi qe hapur në marsin e këtij viti, e data e fundit e aplikimit ka qenë 19 prilli. Gati gjashtë muaj janë dashur që me anulim t’i jepet epilog këtij kapitulli.

“Që nga fillimi i hapjes së konkursit procesi të ka lanë me dyshu në shumëçka. Konkursi është anuluar disa herë, madje më e rënda kam anuluar plane, udhëtime e punë të rëndësishme ndërkohë që për anulimin e radhës ka ndodhur që jemi njoftuar në minutat e fundit, ama vërtet minutat e fundit!”, ka thënë dramaturgia Muja.

Anulimin e fundit të konkursit për udhëheqës artistik Ministria e Kulturës e bëri brenda 24 orëve prej hapjes së konkursit për drejtor të përgjithshëm. Do të jetë i hapur deri më 12 nëntor e datat e aplikimit prej 13 deri më 27 nëntor. Detyrat e përgjegjësitë janë të njëjta me konkurset “historike” për këtë pozitë, njashtu si kriteret.

E njëjtë është pothuajse edhe “historia” e konkurseve për të dyja pozitat udhëheqëse në institucionin më të lartë teatror.

Ka më shumë se një vit e gjysmë prejse TKK-ja nuk ka drejtor të përgjithshëm. Kanë kaluar dy vjet kur ky institucion nuk ka as udhëheqës artistik.

Në janar të vitit 2020, ish-drejtori i TKK-së, regjisori Agim Sopi, ishte pensionuar. Pasi u bë ushtrues drejtore, Naser Shatrolli qe zgjedhur drejtor në fillim të këtij viti. Por fiks në ditën që ka bërë dy muaj si i zgjedhur drejtor, më 11 maj Ministria e Kulturës kishte vendosur që Shatrolli ta linte këtë pozitë. E kishte anuluar konkursin, nëpërmjet të cilit ai ishte vënë në krye të udhëheqjes ekzekutive të institucionit teatror. Vendimi i MKRS-së kishte ardhur pesë ditë pasi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte shkarkuar ish-përbërjen e Këshillit Drejtues të TKK-së për të emëruar shtatë anëtarë të rinj, përfshirë edhe bashkëpartiakë.

Në qershor të vitit 2019, TKK-ja kishte mbetur pa udhëheqës artistik pasi i kishte skaduar mandati katërvjeçar regjisorit Agon Myftaraj. Në vend të tij ishte zgjedhur regjisori Fatos Berisha. I njëjti pa e pranuar detyrën fare e kishte refuzuar këtë pozitë në tetor të atij viti. Në dhjetor të vitit të kaluar MKRS-ja kishte hapur një konkurs për këtë pozitë. Por emërimin e kishte bërë në bazë të legjislacionit të vjetër pasi kishte bërë shpallje publike për “drejtor artistik”. Pas reagimeve, MKRS-ja e kishte anuluar konkursin. Në fillim të marsit ishte hapur një tjetër konkurs. Kësaj radhe titulli ishte shkruar në bazë të Ligjit për teatro që është në fuqi prej vitit 2012, “udhëheqës artistik”.