Kulturë

Teatri në grevë, 31 aktorë për 4 vende në ansambël rezident

Teatri në grevë, 31 aktorë për 4 vende në ansambël rezident

Konkursit të hapur më 22 tetor ia kanë mësyrë 46 veta. Pas shqyrtimit të dokumentacionit për të parë se sa prej tyre i plotësojnë kriteret e procedurës që titullohet “verifikim paraprak”, 31 dosje kanë dalë të plota dhe në përputhje me kërkesat e Ministrisë së Kulturës. Për 15 të tjerë s’ka audicion

Përderisa Teatri Kombëtar i Kosovës po hyn në muajin e parë të grevës, 31 aktorë ia kanë mësyrë katër vendeve në ansamblin rezident. Tash e sa kohë, TKK-ja kërkon ta plotësojë vendin me tetë aktorë për ta kompletuar ansamblin ashtu siç i është përcaktuar me ligj. Përgjigja e Ministrisë së Kulturës – s’ka vende të reja në listë pagash. Pikërisht pagat janë shkaku i grevës së TKK-së

Teatri Kombëtar i Kosovës nuk realizon drama veç në skenë. Kur greva e aktorëve të këtij institucioni po i ofrohet muajit, TKK-ja do të mbajë audicion për të punësuar në ansamblin rezident katër aktorë të rinj. Ata që janë në grevë e as ata që prej javës tjetër pritet të jenë pjesë e institucionit më të lartë teatror në vend nuk e dinë se kur do të mund të dalin në skenë. Këtë nuk e di as punëdhënësi, Ministria e Kulturës. Por në vend të shfaqjeve në skenë, TKK-ja po vazhdon me “drama” të tjera. 

Institucioni që sipas Ligjit për Teatro e Statutit duhet të ketë së paku 30 aktorë në ansambël rezident, aktualisht numëron 22. TKK-ja ka kohë që i është drejtuar MKRS-së me kërkesa për konkurs për të plotësuar vendet boshe. Sivjet MKRS-ja ka mundësuar konkurs për katër pozita. Për të tjerat, s’ka vende të lira në listë të pagave. 

Kësisoj, të premten dhe të shtunën e kësaj jave 31 aktorë do të kenë në dispozicion nga gjysmë ore që para një jurie me anëtarë vendës e ndërkombëtarë të tregojnë shkathtësitë e tyre. Konkursit të hapur më 22 tetor ia kanë mësyrë 46 veta. Pas shqyrtimit të dokumentacionit për të parë se sa prej tyre i plotësojnë kriteret e procedurës që titullohet “verifikim paraprak”, 31 dosje kanë dalë të plota dhe në përputhje me kërkesat e Ministrisë së Kulturës. Për 15 të tjerë s’ka audicion. 

Teatri Kombëtar i Kosovës do ta kishte më të rrugës që sivjet dhe nëpërmjet një konkursi të plotësonte pozitat boshe në ansamblin rezident. 

“Është kërkesa që e kemi bërë dy vjet rresht, shpresojmë që edhe për katër pozita të tjera të hapet konkursi vitin e ardhshëm”, ka thënë drejtori i përgjithshëm, Kushtrim Sheremeti. 

Procesi i përzgjedhjes së aktorëve të ansamblit rezident është krejtësisht në dorë të udhëheqësit artistik. Kushtrim Mehmeti, që mban këtë pozitë, sipas Rregullores për themelimin dhe funksionimin e ansamblit rezident, është ai që kryeson jurinë. Njëkohësisht ai edhe ka propozuar tetë emra para Këshillit Drejtues. Prej tyre janë zgjedhur katër. Emrat me insistimin e Mehmetit nuk do të dihen deri në audicion. Në anën tjetër, ai nëpërmjet postës elektronike ka kërkuar nga mediat që mbulojnë punën e TKK-së që të monitorojnë krejt procesin. 

“Në juri janë dy emra ndërkombëtarë dhe dy shqiptarë. Nuk ka qenë ky vullneti im, por kam komunikuar me mbi  35 veta, përfshirë profesorë e artistë që kanë refuzuar të jenë pjesë e jurisë”, ka thënë Mehmeti. Në raste të tilla, artistët vendës s’kanë guxim të vlerësojnë. Udhëheqësi artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti,  ka thënë se do të mundohet në maksimum që procesi të jetë sa më i drejtë e po ashtu sa më transparent në raport me publikun. 

“Procesi do të jetë shumë korrekt dhe shumë i pastër. Nëse vërej parregullsi do të reagoj vetë. Jemi të interesuar që të vijnë katër aktorët më të mirë që janë në listë. Dhe kështu besoj se do të jetë”, ka thënë ai. 

Ka sqaruar se në 30 minuta aktorët do të interpretojnë poezi, monolog dhe këngë e po ashtu do t’iu përgjigjen pyetje të jurisë. Edhe Mehmeti ka thënë se do të insistojnë edhe për katër pozita të tjera. 

Sipas konkursit të mbyllur në ditën e 20-të të muajit të kaluar, aktorët e pranuar do të jenë përgjegjës për pranim të çdo roli të besuar nga ana e regjisorit, të jenë bashkëpunues me regjisorin, të përgjegjshëm në prova, të punojnë në avancim profesional e konsistent gjatë shfaqjeve. Por ashtu, në përgjegjësi të tyre bie edhe të marrin pjesë në aktivitete promovuese të TKK-së, të mirëmbajnë shëndetin e t’iu përshtaten politikave e disiplinës së institucionet. Diploma në aktrim në nivelin e studimeve bazike e tre vjet përvojë punë janë midis kritereve. 

Aktorët që do të pranohen me këtë konkurs do të kenë koeficient page 6.5. Shkaku i rangimit të koeficienteve aktorët aktual të ansamblit rezident janë në grevë. 

Në ditën e shpalljes së grevës, më 17 nëntor, aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë. Konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe kërkojnë “asgjë më shumë se kthim ku kanë qenë të ranguar”.  Këtë kërkesë e kanë pasur edhe kur kishte nisur aplikimi i këtij ligji para 19 muajsh. Koeficienti i tyre ishte përcaktuar të jetë 8, kurse kërkesat qenë për 11. Në grevë aktorët kanë  hyrë pas paralajmërimit të parë në mes të shtatorit, kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë. Gjatë periudhës së grevës, dy herë kanë bërë aksione para Ministrisë së Kulturës. Kurse MKRS-ja të paktën deri tash duket të jetë e painteresuar në raport me grevën. 

Pos bllokimit të punës së institucionit më të lartë teatror në vend, greva ka bërë që edicioni i tretë i festivalit të teatrit shqiptar “Moisiu” të anulohet. Do të niste në ditën e 20-të të muajit të kaluar. Po ashtu është anuluar edhe premiera e shfaqjes “Emira”, me të cilën do të hapej Festivali. Nëse nuk ka ndonjë ndërhyrje për t’u marrë vesh, duket se ministri i ri i Kulturës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në ditën e parë të punës do të përballet me grevën e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Lista e kandidatëve për aktorë në ansamblin rezident të TKK-së

Alban Goranci, Anita Muriqi, Artan Geca, Afrim Muçaj, Fiona Gllavica,  Edlir Gashi, Allmir Suhodolli, Qëndrese Jashari, Sunaj Raça, Uratë Shabani, Avdi Gërvalla, Ardiana Zekolli, Vigan Nuza, Tristan Halilaj, Shpëtim Selmani, Blerta Syla – Surroi, Flamur Vranja, Zhaneta Xhemajli, Qëndresa Loki, Nëntor Fetiu, Donikë Ahmeti, Verona Koxha, Anisa lsmaili, Valina Muçolli, Valmir Krasniqi, Rajmonda Ahmetaj, Rabije Kryeziu, Arta Muçaj – Berisha, Armend Ballazhi, Kreshnik Malushaj dhe Fatlume Bunjaku.