Vitin 2023 Teatri Kombëtar i Kosovës e ka shënuar me 6 premiera, 3 prej të cilave bashkëprodhime rajonale e evropiane. Mbi 140 repriza e me sallën plot, janë disa mes sukseseve që rendit TKK-ja. Sfiduese mbesin kushtet në objektin ku është qiraxhi, përderisa objekti i TKK-së ende nuk është afër nisjes së punimeve restauruese. Por, ky institucion pret edhe investimet në objektin ku vepron prej shtatorit të vitit 2022, në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve
Ka qenë “Fausti”, nën regji të Fadil Hysajt, shfaqja me të cilën Teatri Kombëtar i Kosovës në janarin e vjetëm hapi serinë e premierave pasuar edhe me 5 të tjera për vitin 2023. Në mesin e tyre gjysma vijnë si bashkëprodhime me teatro të rajonit dhe më gjerë në Evropë. Gjatë vitit që shkoi TKK-ja ka qenë pjesë e shfaqjes “The Best Europian Show” në bashkëprodhim me Teatrin Kombëtar Slloven, Teatrin Kombëtar të Maltës, “Teatro Due” në Parma të Italisë edhe me “JK Teatro” në Opole të Polonisë. “The Best Europian Show” është një komedi satirike për një juri eklektike evropiane që duhet të përcaktojë fituesit e festivalit të fundit teatror përpara se teatri t'ia lërë më në fund vendin digjitalizimit të vazhdueshëm dhe të tërhiqet në librat e historisë. Projekti me të cilin është përmbyllur viti e që ka qenë pjesë edhe e edicionit të dytë të Festivalit “Moisiu” ka qenë “Shpia e zotit”, nën regji të Ilir Bokshit.
Ndërmjet këtyre bashkëprodhimeve TKK ka shënuar edhe tri premiera të tjera: “Udhëtimi i gjatë drejt natës”, nën regji të Iliriana Arifit, “Ditë vere”, nën regji të Kaltërim Balajt dhe “1984”, nën regji të Igor Mendjiskyt, regjisor nga Franca.
Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, është shprehur i kënaqur me vitin 2023, krahas rrethanave që mund ta kenë bërë më sfiduese punën gjatë 365 ditëve.
“Pak të relaksuar, pak të zbrazët, për shkak se ka qenë një vit jo i rëndomtë dhe jo i lehtë. I kemi pasur gjashtë premiera, prej tyre edhe tri koproduksione të mëdha. Njëri në fillim të vitit me Teatrin e Qytetit të Gjilanit dhe me Teatrin e Qytetit të Prizrenit e këto koproduksionet nuk janë shumë të lehta për t’i menaxhuar dhe për t’i realizuar. Përpos këtyre, shumë punë, shumë aktivitete të tjera e shumë repriza”, ka thënë Sheremeti, drejtor i TKK-së prej shkurtit të vitit 2022.
Krahas premierave të shënuara janë mbajtur edhe mbi 140 repriza të shfaqjeve, ka bërë të ditur Sheremeti. Ka thënë se pjesë e krejt rrugëtimit ka qenë edhe fluksi i madh i publikut që ka pasur.
“Shumë repriza, menaxhim të numrit të madh të publikut, me hapësirën jo më të lehtë në botë për të punuar, siç është ajo e Amfiteatrit të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve e, mbi të gjitha, këto të tjerat edhe me një sektor të veçantë që më ka prirë prej fillimit të mandatit tim: me u marrë me arkitektë, me punëtorë, me ndërtues për realizim të projektit të shtëpisë sonë të Teatrit Kombëtar të Kosovës”, ka bërë të ditur Sheremeti.
Në mesin e shfaqjeve e ngjarjeve të shumta Sheremeti ka përmendur edhe bashkorganizimin e edicionit të dytë të Festivalit “Moisiu” në Tiranë.
“Shumë punë. Shumë rezultate të mira. Plot gabime nga të cilat jemi munduar të mësojmë, por që ka qenë një punë e jashtëzakonshme e gjithë stafit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, gjithë aktorëve, pavarësisht pakënaqësive që kemi mundur t’i kemi në momente të caktuara për shkak vlugut të madh të punës, nuk jemi dorëzuar dhe kjo na ka mbajtur edhe në Teatër Kombëtar të Kosovës. Nuk dorëzohemi dhe besoj që kemi pasur shfaqje shumë cilësore, edhe një numër jashtëzakonisht të mirë, të kënaqshëm të publikut, shumicën e herëve biletat kanë qenë të shitura në tërësi. Turne nëpër Evropë, turne nëpër Kosovë e rajon”, ka thënë Sheremeti.

Fundi i vitit 2023 ka qenë me i qetë sa i përket punës në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Sheremti ka bërë të ditur se janë në pritje të adaptimit të investimeve të reja që Ministria e Kulturës është duke i bërë në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë ku, sipas tij, nuk ka qenë e lehtë të punohet. Ulëset aty janë mbi 40 vjet të vjetra dhe ai ka treguar se janë të mbrojtura në Trashëgimi Kulturore. Në mënyrë që mos të ndalet hapi, është kërkuar leje prej Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve që të ketë dislokim të përkohshëm të tyre. Me alarmin se paraqet rrezik, objekti i TKK-së u mbyll në qershorin e vitit 2022. Prej shtatorit të atij viti institucioni u zhvendos me qira në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve, ku është edhe aktualisht.
“Po ndihemi të zbrazët për shkak se na ka rënë fluksi i punës derisa të na përfundoje adaptimi i investimeve të reja që Ministria e Kulturës është duke i bërë në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, dhe në të njëjtën kohë reflektim për mësimet që i kemi marrë prej vitit të kaluar. Puna në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë ka qenë shumë sfiduese për shumë arsye. Ka qenë sfiduese edhe për publikun që të vijë në ato ulëse, të cilat jemi munduar t’i rregullojmë, por janë ulëse të para 40 e kusur vjetëve. Prej publikut që e ka sfiduar veten që të vijë dhe t’i shohë shfaqjet e deri te punëtorët e aktorët, të cilët kanë mbajtur prova me orë të tëra në atë ambient, edhe ne jemi sfiduar”, ka thënë Sheremeti.
Sheremeti ka folur edhe sa i përket rinovimit të objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Si proces e ka vlerësuar të ngadalshëm. Ka thënë se në fund të vitit 2023, rreth muajit tetor, ka përfunduar cikli i projektit ideor nga ana e profesorëve të Fakulteti të Arkitekturës dhe fakulteteve të tjera teknike dhe se është duke u punuar në realizimin e projektit final, i cili ia hap rrugën Ministrisë së Kulturës për tenderim dhe për fillim të punimeve.
“Personalisht mendoj që ka shkuar më ngadalë sesa që duhet, kjo për shumë arsye dhe besoj shumë që pavarësisht kohës së gjatë është bërë një punë e mirë në projektim. Salla do të jetë ajo që ka qenë, nuk do t’i rritet kapaciteti, përpos që do të modernizohet”, ka përfunduar Sheremeti.
Në vitin 2023 kanë nisur edhe parapërgatitjet për edicionin e tretë të Festivalit “Moisiu”, që do të mbahet në nëntor të këtij viti në Prishtinë.