Krenare Luta-Radoniqi tashmë ka nisur punën si drejtoreshë e teatrit “Istref Begolli” por njëra prej kandidateve për këtë pozitë pretendon se konkursi e procedurat janë manipuluar. “Manipulimi është bërë te pikët”, është njëra prej akuzave të saj. I është adresuar Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës por ende ka ndonjë vendim. Autoritetet komunale mohojnë akuzat
Pejë, 21 janar – Kanë kaluar gati pesë vjet që teatri i qytetit të Pejës, “Istref Begolli” ka funksionuar pa drejtor të rregullt dhe kryesisht është drejtuar nga ushtrues detyre të drejtorit. E para disa ditësh Krenare Luta-Radoniqi është emëruar drejtoreshë e re e këtij institucioni, e përzgjedhur me konkursin e rregullt që ishte shpallur në mesin e muajit nëntor të vitit të kaluar.
Por ky emërim është duke u kontestuar nga Hateme Krasniqi-Bytyqi, njëra prej kandidateve që ka konkurruar për këtë pozitë. Ajo pohon se ky konkurs është manipuluar.
“Manipulimi është bërë te pikët. Gjatë intervistës që ka qenë më 8 dhjetor e kam marr notën e mirë në përgjigje. Këshilli i teatrit ‘Istref Begolli’, i përbërë nga Ilire Zajmi-Rugova, Tasim Dajci, Venera Berisha, Memli Kelmendi dhe Aver Husaj, kanë shtruar 16 pyetje dhe jam përgjigjur në mënyrën më të mirë. Menjëherë disa prej tyre i kanë fshirë pikët, i kanë përshkëlli. Kur ka ardhur fundi me i mbledh pikët, është bërë një matematikë. Janë në dokumente, nëse nuk i kanë heq tash kur u ka shkuar ankesa me përdorë faqet e pastra. Tash kush nga kush kanë pasë trysni unë nuk e di. Të gjitha kushtet i kam plotësuar, me Akademi të Aktrimit, me provojë pune...”, ka thënë Krasniqi-Bytyqi. Sipas saj, përzgjedhja e drejtorit është bërë madje edhe pa rekomandim të Këshillit të Teatrit.
“Nuk zgjidhet drejtori pa rekomandim. Procesverbali kur është lëshuar nuk ka rekomanduar asnjërën nga kandidatet. Fjala është për Krenare Luta-Radoniqin dhe për mua. Këshilli në proces verbal na çon me pikë 20.1 për Krenaren dhe 19.9 për mua, dhe thotë se pavarësisht përgjigjeve nuk janë bindëse dhe Këshilli nuk ka marrë përgjegjësi për dokumentacion. Pra, bie ndesh procesverbali me aktvendim e përzgjedhjes së drejtoreshës”, ka thënë Krasniqi-Bytyqi.
KOHA ka kontaktuar njërin prej anëtarëve të këtij këshilli, Aver Husajn, i cili është edhe shef i Sektorit për Kulturë në Drejtorinë Komunale për Kulturë, Rini dhe Sport. Ai ka mohuar të ketë pasur manipulime apo fshirje të qëllimshme të pikëve të vlerësimit të kandidatëve. Sipas tij, secili anëtar i Këshillit, derisa ta japë nënshkrimin përfundimtar, ka të drejtë t’i shkruajë vlerësimet pas çdo përgjigjeje dhe në fund i mbledh dhe e jep notën përfundimtare.
“Anëtarët e Këshillit të Teatrit në përbërje të plotë i kanë intervistuar kandidatët konkurrentë dhe kanë vlerësuar në bazë të përvojës së tyre dhe në bazë të vlerësimit të tyre individual. Sipas meje, çdo gjë ka shkuar sipas procedurës”, ka thënë Husaj.
Mirëpo, për shkak se kandidatja Hateme Krasniqi-Bytyqi është e bindur se ky konkurs është manipuluar, ajo brenda afatit 30 ditësh për ankesë është ankuar më 30 nëntor në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), i cili këshill i ka konfirmuar KOHËS për pranimin e ankesës së saj.
“Ju njoftojmë që lidhur me rastin kemi ankesë të parashtruar në Këshill dhe Këshilli brenda afatit të përcaktuar ligjor do të vendosë”, thuhet në përgjigjen e KPMShCK-së dërguar KOHËS. Kontestuesja e këtij konkursi, Hateme Krasniqi-Bytyqi, më 5 janar i ka drejtuar ankesë edhe shefit të personelit të Komunës. KOHA ka kërkuar në Zyrën e Personelit të Komunës së Pejës, e cila ka shpallur këtë konkurs, që të ketë qasje në dokumentacionin e këtij konkursi, por, sipas shefit të kësaj zyre, Edmond Shala, i tërë dokumentacioni gjendet aktualisht në KPMShCK.
“Një kandidate ka bërë ankesë dhe KPMShCK-ja ka kërkuar prej Komunës komplet dokumentacionin e konkursit, procesverbalin, vendimin e Këshillit të Teatrit, me intervista... krejt çka ka pasur lidhje me këtë konkurs ia kemi dërguar atij Këshilli. Tash ai Këshill e ka të gjithë dokumentacionin dhe tash jemi në pritje të vendimit nga KPMShCK-ja”, ka thënë për KOHËN shefi i personelit në Komunën e Pejës, Edmond Shala. Ka treguar se ai si shef i personelit e ka obligim ta bëjë shpalljen e konkursit dhe pastaj me procedurat e rekrutimit është marrë Këshilli i Teatrit.
“Ne si zyrë nuk jemi marrë me atë konkurs. Vendimi është bërë në bazë të propozimit të Këshillit të Teatrit, sipas të cilit drejtoresha e zgjedhur ka qenë më e mira në intervistë dhe në bazë të vendimit është marrë edhe vendimi i kryetarit për emërimin e drejtoreshës së Teatrit”, ka thënë Shala.
Kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, aktvendimin për emërimin e Krenare Luta-Radoniqit drejtoreshë të teatrit “Istref Begolli” e ka marrë më 9 dhjetor, ende pa përfunduar afati 30 ditësh për ankesë dhe pa pritur vendimin e KPMShCK-së.
KOHA ka kontaktuar Muhaxherin, i cili ka pohuar se kur e ka lëshuar atë vendim nuk ka qenë i njoftuar dhe nuk pasur njohuri për ndonjë ankesë në këtë konkurs.
“Unë në bazë të vendimit të Këshillit e kam lëshuar vendimin për emërimin e drejtoreshës. Nuk e kam ditur që ka pasur ankesë. Se me e pasë ditë që është ankuar, e kishim shtyrë edhe ndonjë ditë. Ajo ka të drejtë të ankohet, komisioni ka të drejtë me ia vlerësu. Nëse KPMShCK-ja e pranon ankesën e saj, e rishpallim konkursin, e nëse nuk i pranohet ankesa, kjo që është emëruar shpallet drejtoreshë”, ka thënë Muhaxheri për KOHËN. E ky vendim i kryetarit për emërimin e drejtoreshës, siç thotë një burim brenda Komunës, nuk është dashur të merrej fare, jo vetëm pse KPMShCK-ja ende nuk ka marrë vendim, por që konkursi është dashur më herët të anulohej.
“Pesë veta kanë konkurruar dhe tre prej tyre janë ftuar në intervistë. Por njëri prej të treve nuk i ka plotësuar kushtet të ftohet në intervistë dhe në këtë pikë është dashur të anulohej konkursi”, ka thënë ky burim. Pastaj, sipas këtij burimi, në përzgjedhjen e drejtorit janë shikuar pikët e jo klauzola e Këshillit të Teatrit, i cili nuk ka rekomanduar asnjërin kandidat për drejtor të teatrit. “Procedura është që të vendosen pikët sa kanë fituar kandidatët, si dhe klauzola e Këshillit. E klauzola e Këshillit të Teatrit thotë se asnjëri prej kandidatëve nuk ka treguar aftësi bindëse që mund ta udhëheqë Teatrin. Ky vendimi i Këshillit me pikë dhe klauzolë i është dërguar kryetarit dhe Zyrës së Personelit. Dhe bazuar në këtë klauzolë ishte dashur të anulohej konkursi e jo të emërohej drejtori. Por në fund i kanë shikuar pikët e jo klauzolën e Këshillit”, ka thënë ky burim, sipas të cilit, drejtoresha e përzgjedhur nuk ka pasur të drejtë të dalë në punë, por ajo e ka bërë këtë. Po ky burim ka thënë se asaj i është thënë që të mos krijojë efekte juridike, duke nënshkruar ndonjë dokument zyrtar si drejtoreshë. Në faqen e Komunës së Pejës në rrjetin social Facebook, më 11 janar, janë postuar deklarata e kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, dhe e drejtoreshës së Kulturës, Xhenet Syka-Kelmendi, që i urojnë mirëseardhje drejtoreshës së re, si dhe disa fotografi nga zyra e drejtoreshës në Teatër, ku shihen bashkë drejtoresha e Teatrit, kryetari i Komunës dhe tre drejtorë komunalë.
