Kulturë

Teatri i Kosovës mbërthen skenën norvegjeze

Skenë nga shfaqja “Negotiating Peace”

Skenë nga shfaqja “Negotiating Peace”

Shfaqja “The Negotiating Peace” e “Qendrës Multimedia” është vetëm njëra prej veprave që çon skenën teatrore të Kosovës në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Oslo. Asaj i parapriu edhe produksioni norvegjez “The Handke Project” por teatri i Kosovës në këtë ngjarje madhore nuk prezantohet vetëm nëpërmjet këtyre shfaqjeve. Do të organizohet edhe një bisedë ndërmjet dramaturgut Jeton Neziraj dhe kritikes së teatrit Natasha Tripneyt, një lexim skenik i dramës “Citycide” të antropologes kosovare Eli Krasniqi, që përcillet me bisedë me autoren si dhe një ndejë e quajtur ‘Mbrëmja e Kosovës”

Teatri i Kosovës po hap një kapitull të veçantë në skenën norvegjeze, duke qenë kryefjalë e njërit prej festivaleve më të mëdha në këtë shtet. Shfaqja “Negotiating Peace” e “Qendrës Multimedia” është pjesë e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Oslo, i cili tashmë ka hapur edicionin e 13-të. E enjtja dhe e premtja janë rezervuar për këtë shfaqje në skenën e “Black Box Teater” në Oslo, por nuk përfundon me kaq përderisa ka edhe një tjetër kapitull para kësaj pjesëmarrjeje të shfaqjes me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt. 

“Rrënjët dhe Rikthimet: Teatri në Udhëkryqin e Perandorisë dhe Identitetit” kuruar nga Mart Meos, Allan Kaldoja dhe Marius Ivaskevicius – ekip që organizon Festivalin e Lirisë në Narva të Estonisë – është tema e sivjetme e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Oslo. Detaje si këto, janë dhënë edhe nëpërmjet një komunikate për media të “Qendrës Multimedia”. Aty shkruhet se pyetjet që lidhen me identitetin, lirinë, demokracinë dhe traumat kolektive e individuale karakterizojnë shfaqjet në programin e sivjetmë të festivalit. 

“Këtë vit, festivali do të jetë nikoqir i artistëve e shfaqjeve nga Ukraina, Estonia, Bjellorusia, Kirgistani, Taxhikistani dhe Kosova. Të gjitha këto vende që kanë qenë – dhe në disa raste ende janë – nën regjime autoritare. Paralelisht, festivali do të ketë një program tematik me ligjërata dhe diskutime”, shkruhet në njoftim. Për më tepër, sipas “Multimedias”, një program i tërë që pikënisje ka shfaqjen

“Negotiating Peace” do të qendërzohet rreth Kosovës në këtë edicion të festivalit. “Përpos shfaqjes, do të organizohet një bisedë ndërmjet Jeton Nezirajt dhe kritikes së teatrit Natasha Tripneyt, një lexim skenik i dramës ‘Citycide’ të antropologes kosovare Eli Krasniqi, botuar nga ‘Qendra Multimedia’. Ky lexim do të përcillet me një bisedë me autoren si dhe një ndejë e quajtur ‘Mbrëmja e Kosovës”’, shkruhet në komunikatë. 

Po në këtë festival prezantohet edhe produksioni norvegjez i dramës “The Handke Project” të Jeton Nezirajt, në regji të Blerta Nezirajt, produksion i Akademisë Norvegjeze të Teatrit (NTA) në bashkëpunim me “Qendrën Multimedia” që u dha premierë më 15 mars në Fredrikstad. “The Handke Project”, e cila mbi të gjitha godet nobelistin austriak mohues të gjenocidit e mik të Sllobodan Millosheviqit në versionin norvegjez kishte edhe tjetër peshë për Akademinë, e cila po i jep fund misionit. Pikërisht shkaqet të cilat çuan në mbylljen e saj vijnë si plotësime në këtë version.

“Kam bërë disa ndryshime e ndërhyrje të vogla për të komentuar edhe mbi situatën politike në Norvegji, pas masave dramatike të shtetit (paradoksalisht, më të pasurit në botë), për të shkurtuar buxhetin për kulturë”, kishte thënë dramaturgu Jeton Neziraj për KOHËN në fund të shkurtit, në kohën kur shfaqja po merrte formë në Norvegji. 

“Është produksion i ri i dramës ‘The Handke Project’. Aktorët janë pjesë e Akademisë Teatrore Norvegjeze (NTA) dhe kjo është shfaqje e tyre e diplomës. Aktorët vijnë nga vende të ndryshme të globit, duke përfshirë edhe nga Meksika, Pakistani, Finlanda, Suedia, Norvegjia e të tjerë. Gjithsej, janë 18 performues në skenë. Kjo llojllojshmëri e bën unik këtë produksion. Me ta është duke punuar Blerta, tash e rreth tri javë”, ka thënë Neziraj. Pos premierës, “The Handke...” kishte pasur edhe dy repriza në Akademinë e Teatrit Norvegjez e cila e kishte konsideruar unike e historike për institucionin, pasi shënon edhe prodhimin e fundit. 

“Akademia e Teatrit Norvegjez është krenare të prezantojë një performancë që shënon kulmin e historisë institucionale: prodhimi përfundimtar i drejtuar nga niveli Bachelor i prezantuar nga Akademia përpara mbylljes së saj. Studentët tanë aktualë në Bachelor në aktrim dhe Bachelor në skenografi, së bashku me Jeton Nezirajn dhe Blerta Nezirajn nga ‘Qendra Multimedia’, ju mirëpresin në ‘The Handke Project’”, shkruhej në njoftimin e Akademisë e cila bënte të ditur se pas 30 vjetësh vizion, bordi i kolegjit universitar “Østfold” ku Akademia ka vepruar deri më tash, ka vendosur ta mbyllë këtë institucion edukativ. 

E, “Negotiating Peace” e bën njëfarë zhveshje të negociatorëve, hipokrizisë në emër të paqes e demonëve që e pengojnë atë. Nënshtresat e saj bëjnë thirrje për tjetër qasje. Për paqe të plotë. Madje vetë procesi i punës për shfaqje, ekipi ndërkombëtar, bashkëprodhuesit ndërkombëtarë janë njëfarë konference paqeje. U dha premierë në Prishtinë në tetorin e vitit 2023. 

“’Negotiating Peace’ vjen si shfaqje pikërisht në momentin e duhur. Kosova dhe Serbia gjenden në një moment kritik të negocimit të paqes. Lufta në Ukrainë i është afruar vitit të tretë e nga Izraeli dhe Palestina çdo ditë vijnë lajme për qindra të vdekur. Diplomatët janë vënë në aksion. Në aksion janë diplomatët edhe në shfaqje. Krejt në fillim një gjeneral në mot të vranët e me korba që sillen sipër, vihet në kërkim të eshtrave të ushtarëve të vdekur. Është ai gjenerali i moçëm, personazh i Ismail Kadaresë te ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Aty eshtrat janë thjesht mbetje mortore që pas luftës shkëmbehen me diçka. Jepet një numër i caktuar kufomash në shkëmbim. Me skenografi të thjeshtë, shfaqja merr hov me negociatat që zhvillohen midis dy vendeve: Unmikistanit dhe Banovinës. Që të dyja kanë kontekst vendor, por edhe ndërkombëtar”, kishte shkruar KOHA pas premierës.