Kulturë

Teatri “Dodona” në “dramën” e institucioneve pa drejtor

Megjithëse “Dodona” prej 19 shtatorit është pa udhëheqës, pasi dramaturgut Visar Krusha i ka përfunduar mandati 4-vjeçar, Komuna e Prishtinës ende nuk ka hapur konkurs për këtë pozitë. Kësisoj, “Dodona” funksionon me ushtrues detyre sikurse Galeria Kombëtare e Kosovës, ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”, Qendra Kinematografike e Kosovës. Edhe pozita e udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës vazhdon të jetë me ushtrues detyre

Teatri i qytetit në Prishtinë “Dodona” u është bashkuar institucioneve të kulturës që janë pa drejtor. Megjithëse “Dodona” prej 19 shtatorit është pa udhëheqës, pasi dramaturgut Visar Krusha i ka përfunduar mandati 4-vjeçar, Komuna e Prishtinës ende nuk ka hapur konkurs për këtë pozitë. Kësisoj, “Dodona” funksionon me ushtrues detyre sikurse Galeria Kombëtare e Kosovës, ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”, Qendra Kinematografike e Kosovës. Edhe pozita e udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës vazhdon të jetë me ushtrues detyre.

Dramaturgu Visar Krusha ka thënë se disa muaj para se t’i përfundojë mandati ua ka rikujtuar në Drejtori të Kulturës se duhet të shpallet konkursi.

“Në korrik të këtij viti u kam shkruar Burimeve Njerëzore dhe Drejtorisë për të njëjtën çështje, por, megjithatë, konkursi për drejtor të ‘Dodonës’ ende nuk është shpallur. Unë nuk e kuptoj pse Komuna e Prishtinës nuk po e shpall këtë konkurs, kur dihet që edhe buxheti, edhe përshkrimi i detyrave për këtë pozitë ekzistojnë”, ka thënë ai.

Sipas Krushës, ushtruesi i detyrës udhëheqëse të institucionit emërohet kur personat të cilët kanë qenë në ato pozita udhëheqëse të institucionit përkatës largohen në mënyrë të papritur për çfarëdo arsye, dhe në këtë rast ushtruesi i detyrës emërohet për ta mirëmbajtur udhëheqjen e institucionit gjatë transicionit deri në emërimin e udhëheqësit të ri.

“Por nëse pozita udhëheqëse është me mandat dhe dihet data e skadimit të mandatit që në ditën e emërimit, atëherë nuk shoh arsye pse të pritet që atij udhëheqësi t’i skadojë mandati, e pastaj të emërohet ushtrues detyre, në vend se të dalë konkursi me kohë, para se t’i kalojë mandati udhëheqësit”, ka thënë ai. Ka shpjeguar se në anën tjetër, në sektorin publik në Kosovë, ushtruesi i detyrës duhet të jetë shërbyes civil, staf i brendshëm i institucionit, do të thotë dikush që tashmë e ka një pozitë në atë institucion.

“Ai apo ajo duhet të bëjë punë të dyfishtë edhe jo domosdoshmërisht i plotëson kriteret që kërkohen për atë pozitë udhëheqëse, e pos kësaj në mjedisin burokratik të Kosovës ka kërkesa e çështje të institucionit që kërkohet t’i miratojë vetëm udhëheqësi, në këtë rast drejtori, e jo ushtruesi i detyrës, prandaj çdo vonesë e përzgjedhjes së udhëheqësit të ri të institucionit vetëm se e dëmton atë institucion”, ka thënë Krusha. Ka treguar se nuk do të kandidojë më për pozitën e drejtorit në “Dodonë”.

Komuna e Prishtinës nuk iu është përgjigjur pyetjeve sa i përket udhëheqësit të Tetarit që është nën varësi të Komunës.

“Dodona” ka hyrë në “dramën” e institucioneve pa udhëheqës.

Pas më shumë se tre vjetësh pa udhëheqës artistik janë pesë konkurrentë që ia kanë mësyrë për ta zënë këtë pozitë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Në konkursin e pestë me radhë duket se interesi është i madh, pasi kanë konkurruar edhe artistë që mbajnë pozita menaxhuese në institucione publike e në organizata kulturore.

Regjisorët Sokol Plakolli, Donjeta Hyseni, Kushtrim Mehmeti e Zana Hoxha janë midis konkurrentëve bashkë me aktoren Arta Muçaj. Besim Ugzmajli, i cili është udhëheqës artistik i teatrit “Adriana” në Ferizaj, ishte tërhequr pas konkurrimit.

Historia e mbetjes së institucionit pa udhëheqës artistik nis qysh në qershor të vitit 2019, kur regjisorit Agon Myftari i përfundoi mandati katërvjeçar në këtë pozitë. Asokohe nëpërmjet një konkursi në këtë pozitë qe zgjedhur regjisori Fatos Berisha. Nuk e kishte pranuar detyrën fare për disa muaj e më pas kishte njoftuar se nuk do ta pranonte fare.

TKK-ja kishte qëndruar dy vjet pa drejtor të përgjithshëm e ishte përcjellë me një sagë konkursesh deri në shkurt të këtij viti, kur aktori Kushtrim Sheremeti u zgjodh në këtë pozitë. Por TKK-ja nuk është i vetmi institucion qendror i kulturës që i mungojnë udhëheqësit.

Qysh prej gushtit të vitit 2020, Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht zëvendësues i drejtorit të GKK-së është Naim Spahiu.

Në dhjetor të vitit 2021, Arben Zharku qe shkarkuar nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës pas një procesi të gjatë me pezullime e kthime.

Kurse prej 17 korrikut ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” është pa drejtor. Shefqet Gjocajt i kishte përfunduar mandati i dytë. Megjithëse ishte hapur konkursi, ai ishte anuluar gjatë procesit, pasi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte shkarkuar përbërjen e Këshillit Drejtues të “Shotës”. Konkursi për këtë pozitë është hapur prapë.