Kulturë

Teatri bëhet me udhëheqës artistik, paralajmërohet “epilogu në gjykatë”

Pas sagës mbi trevjeçare, Teatri Kombëtar i Kosovës është bërë me udhëheqës artistik. Zyrtarisht këtë pozitë pritet ta mbajë regjisori Kushtrim Mehmeti, por janë dy kundërkandidatë që në ditën kur emri i tij u bë publik, kanë përsëritur se procesi ende nuk ka përfunduar dhe se “epilogun do ta ketë në gjykatë”. Mehmeti para Këshillit Drejtues ka dalë me një platformë prej 32 faqesh dhe ka pasur përgjigje edhe për ankesat e kundërkandidatëve të tij. Ka marrë 74.65 pikë. Pesë vjet më parë kishte kandiduar edhe në politikë kur kishte marrë vetëm 48 vota si kandidat për këshilltar i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Skënderajt

Pas tre vjet e gjysmë prejse pozita mbeti me zëvendësues e pas konkursit të pestë që u kontestua nga konkurrentët dhe një anëtare e Këshillit Drejtues, është zgjedhur udhëheqësi artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Regjisori Kushtrim Mehmeti do ta mbajë këtë pozitë për katër vjet, të paktën siç e përcakton Ligji për Teatrot. Emri i tij është publikuar nga Ministria e Kulturës si kandidat i suksesshëm dhe do ta marrë pozitën pas afatit të ankesave, nëse procesi nuk kthehet prapa.

Në anën tjetër, dy kundërkandidatë kanë paralajmëruar se epilogu i krejt procesit do të përfundojë në gjykatë.

Me 74.65 pikë të marra nga testi me shkrim dhe intervista, regjisori Kushtrim Mehmeti ka rezultuar i pari në konkurs. Pasohet nga kolegu Sokol Plakolli me 54.73 pikë. Ky rezultat është nxjerrë nga testimi i dytë pasi i pari u anulua.

Mehmeti ka hartuar një platformë prej 32 faqesh me të cilën ka dalë para Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Plotësimi i ansamblit rezident, orari mujor i provave, laboratori teatror, prezantimi në qytetet e tjera të Kosovës, revista vjetore, monografi, kritika vjetore të shfaqjeve e simpoziumet teatrore, janë pjesë të platformës së tij. Për ata që e njohin funksionimin e TKK-së, programi i Mehmetit del të jetë goxha ambicioz. I tillë, Mehmeti ka qenë edhe në politikë dhe atë me partinë tash në pushtet. Më 2017 ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvendin Komunal të Skenderajt. Kishte marrë gjithsej 48 vota.

Ende pa përfunduar dita e enjte kanë nisur të dalin në pah pakënaqësitë e paralajmërimet për ankesa e konteste gjyqësore. “Drama” e konkursit të fundit nisi në fund të tetorit.

Më 26 tetor ishte mbajtur testi me shkrim. Regjisori Besim Ugzmajli ishte tërhequr nga gara paraprakisht. Në garë kishin mbetur regjisorët Sokol Plakolli, Donjeta Hyseni, Kushtrim Mehmeti e Zana Hoxha, bashkë me aktoren Arta Muçaj. Telashet kishin filluar menjëherë pas testimit. Sipas procesverbalit të asaj dite, anëtarja e Këshillit Drejtues të TKK-së, Gresa Pallaska, kishte shprehur dyshimet për parregullsi. Ishte bazuar në faktin se përgjigjet e kandidatit Kushtrim Mehmeti ishin të ngjashme me çelësin e testit dhe për këtë arsye Pallaska ishte tërhequr nga vlerësimi i testit me shkrim.

Pas kësaj zallamahie, regjisori Sokol Plakolli ishte ankuar në MKRS. Komisioni i Ankesave ka gjetur se në mungesë të një anëtari “Këshilli nuk ka pasur të drejtë ligjore të vazhdojë me vlerësimin e testeve me shkrim”. Sipas Komisionit të Ankesave, mungesa e një anëtari ndikon direkt në vlerësim, ngase shumica e pyetjeve vlerësohen me pikë të ndara nga secili anëtar. Në këtë rast Komisioni kishte vendosur që të mbahej ritestimi.

Në dhjetor në ritestim kishin shkuar vetëm regjisorët Sokol Plakolli dhe Kushtrim Mehmeti.

Regjisorja Zana Hoxha kishte refuzuar të shkonte. Ajo kishte thënë se ky ishte një vendim i marrë në bashkërendim me avokaten e saj, duke pasur parasysh procesin e testit fillestar dhe dyshimet për rrjedhjen e testit. E pyetur nëse do të bëjë ankesë, Hoxha kishte thënë se do ta shfrytëzojë këtë mundësi. Të enjten ka thënë se procesi nuk ka përfunduar.

“Ky proces ende nuk ka përfunduar dhe epilogun do ta ketë në gjykatë”, ka thënë Hoxha, e cila udhëheq organizatën “Artpolis”. Se krejt çështja do të përfundojë në gjykatë, ka paralajmëruar edhe kandidati i përhershëm për këtë pozitë, Sokol Plakolli.

Por Kushtrim Mehmeti, i cili është zgjedhur në pozitën e udhëheqësit artistik, ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet që kontestojnë procesin.

“I bëj thirrje personit në fjalë t’u drejtohet organeve gjegjëse lidhur me ato pretendime denigruese dhe tërësisht të pabaza. Përndryshe, testin e parë e kam kaluar me 67.51 pikë, për shkak të pretendimeve për manipulim tërhiqet personi në fjalë dhe pas vendimit të komisionit është kthyer në ritestim gjithë testi, e në të cilin nuk kishte pretendime për manipulim, personi në fjalë mori pjesë dhe unë mora 67.74 pikë. Vetë rezultati i ngjashëm tregon që nuk ka asgjë të vërtetë në ato pretendime”, ka thënë ai.

Historia e mbetjes së institucionit pa udhëheqës artistik nis qysh në qershor të vitit 2019, kur regjisorit Agon Myftari i përfundoi mandati katërvjeçar në këtë pozitë. Asokohe nëpërmjet një konkursi në këtë pozitë qe zgjedhur regjisori Fatos Berisha. Nuk e kishte pranuar detyrën për disa muaj e më pas kishte njoftuar se nuk do ta pranonte fare.

Në konkursin e hapur në nëntor të vitit të kaluar, i treti me radhë, kishin konkurruar katër kandidatë. Arta Muçaj, Sokol Plakolli, Albana Muja-Deliu e Agush Mulliqi ia kishin mësyrë kësaj pozite. Aktorja Muçaj doli se nuk e kishte diplomën e nostrifikuar. Ajo ka studiuar në Shqipëri. E Mulliqi nuk e plotësonte kushtin e përvojës së punës. Kërkohen pesë vjet përvojë pune pas diplomimit. Konkursi qe anuluar.

Më pas, në konkursin e shkurtit të këtij viti, Sokol Plakolli, Arta Muçaj, Erson Zymberi, Saranda Elshani, Elhame Kutllovci e Dea Venhari-Dragaj ishin në konkurrencë për udhëheqës artistik të TKK-së. Sipas verifikimit që ka bërë MKRS-ja, Venhari-Dragaj nuk i plotësonte kushtet për ta vazhduar procesin pasi nuk ka dëshmuar se u përgjigjet krejt kritereve të konkursit.

Në fund të procesit vetëm regjisori Erson Zymberi ishte kualifikuar për të shkuar në intervistë. Paraprakisht për një mandat kishte shërbyer si drejtor i përgjithshëm i Teatrit të Gjilanit. Por në ditën e intervistës, më 23 prill, Zymberi nuk kishte shkuar. Me arsyetimin se është tërhequr “për arsye personale”, ai kishte hequr dorë nga gara për pozitën e udhëheqësit artistik të TKK-së. Është rizgjedhur drejtor i Teatrit të Gjilanit.

Atë proces e kishte nxjerrë me telashe edhe MKRS-ja. Sokol Plakolli kishte bërë ankesë se nuk i janë vlerësuar drejt përgjigjet që kishte dhënë në testin me shkrim. Komisioni i Ankesave në MKKS kishte vlerësuar se Plakolli në disa raste kishte të drejtë. Prej atëherë Plakolli në baza ditore qëndron para Qeverisë në një lloj proteste kundër ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, e Këshillit Drejtues të TKK-së. Zëshëm kërkon nga kryeministri Albin Kurti që ta marrë situatën në dorë.

Udhëheqësi artistik propozon politikat artistike të TKK-së, bën propozimin e repertorit, udhëheq punën kreative të ansamblit rezident, bën recension për veprat skenike, është përgjegjës për realizimin e repertorit e përcakton regjisorët.

TKK-ja kishte qëndruar dy vjet pa drejtor të përgjithshëm e ishte përcjellë me një sagë konkursesh deri në shkurt të vitit të kaluar, kur aktori Kushtrim Sheremeti u zgjodh në këtë pozitë. Por TKK-ja nuk është i vetmi institucion qendror i kulturës me telashe sa u përket drejtuesve.

Qysh prej gushtit të vitit 2020, Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht zëvendësuese e drejtorit të GKK-së është Alisa Gojani.

Në dhjetor të vitit 2021, Arben Zharku qe shkarkuar nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës pas një procesi të gjatë me pezullime e kthime. Kurse prej 17 korrikut të vjetshëm ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” është pa drejtor. Shefqet Gjocajt i kishte përfunduar mandati i dytë. Megjithëse ishte hapur konkursi, ai ishte anuluar gjatë procesit pasi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte shkarkuar përbërjen e Këshillit Drejtues të “Shotës”.