Kulturë

Teatri 100 ditë në grevë, akuza për kërcënime e nënshtrim nga Ministria

Në ditën e shpalljes së grevës më 17 nëntor të vitit 2024, aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë

Në ditën e shpalljes së grevës më 17 nëntor të vitit 2024, aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë

Të martën Teatri Kombëtar i Kosovës ka shënuar ditën e 100-të në grevë, teksa nuk shihet zgjidhje në horizont. Përkundrazi, janë bërë më të zëshme akuzat në adresë të ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku, e Ministrisë së Kulturës. “Konsideroj që kjo është shumë e ulët që përmes ‘postierëve’ të na kërcënojë me ndalje të pagës, dënime e të tjera”, ka thënë anëtari i Kryesisë së Shoqatës Sindikale të Aktorëve të TKK-së, aktori Shkëlzen Veseli. Një tentim ndërmjetësimi ka dështuar e MKRS-ja vazhdon të heshtë

Urimet për 28 Nëntor, Krishtlindje, Vit të Ri e përvjetor të Pavarësisë nëpërmjet rrjeteve sociale kanë qenë aktivitetet e vetme të Teatrit Kombëtar të Kosovës tash e tre muaj. Prej mesit të nëntorit ky institucion është krejtësisht jofunksional.

Të martën janë bërë 100 ditë prej kur në skenën e institucionit më të lartë teatror në vend s’është dhënë asnjë shfaqje, s’është mbajtur asnjë provë e shkaku i grevës aty s’kanë gjetur vend as aktivitetet e jashtme.

Publikisht nuk ka shenja të ndonjë zgjidhjeje. Aktorët kërkojnë kualifikim tjetër sa u përket koeficienteve të pagës, pasi rangimin aktual e konsiderojnë qasje të padinjitetshme në raport me ta. Ditëve të fundit i janë drejtuar me një letër ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Sindikata e Aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës në këtë letër ka shkruar se gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, për të mos u bërë pjesë e debateve politike dhe për të shmangur keqpërdorimin e kauzës për qëllime elektorale, kanë vendosur të mbajnë heshtje publike.

“Meqenëse edhe pas propozimit tonë për ndërmjetësim përmes ndërmjetësit Yll Zeka, avokat, nuk ka pasur asnjë rezultat konkret, përveç një takimi me sekretarin e Ministrisë, zyrtarisht mandati i ndërmjetësimit fatkeqësisht ka kaluar. Kjo forme ligjore që parashihet me Ligjin e grevave, e propozuar nga ne, prapë fatkeqësisht ka dështuar”, shkruhet në letër.

Kanë kërkuar si shoqatë sindikale të informohen “se ku ka arritur procesi”. Kanë përmendur se janë bërë tre muaj grevë e paraprakisht tre të tjerë me paralajmërime.

“Tani në situatën ku jemi pas 6 muajve, duam ta dimë se ku ka arritur procesi dhe se a ka një datë kur ky proces do të përfundohet dhe procesi i miratimit të rregullores do të marrë fund ashtu siç keni deklaruar”, shkruhet në letër. Aty bëhet e ditur se ata mbeten të përkushtuar për një zgjidhje të drejtë dhe institucionale, “duke shmangur tensionet e panevojshme”.

“Për këtë arsye ju lusim të na informoni zyrtarisht për hapat që planifikoni të ndërmerrni dhe për afatin kohor të trajtimit të kësaj çështjeje. Presim përgjigjen tuaj sa më parë që të jetë e mundur dhe jemi të gatshëm për një takim për të diskutuar më tej mbi këtë çështje”, shkruhet në letër.

Komunikimi midis Këshillit Grevist e Ministrisë së Kulturës nuk ekziston. MKRS-ja vazhdimisht ka injoruar grevën prej nisjes së saj. Ministri në detyrë i Kulturës, Hjarulla Çeku, një ditë para grevës kishte provuar të bindë aktorët që të mos e nisin këtë aktivitet sindikal. Personalisht kishte angazhuar dikë që bota amerikane e njeh si “special envoy” e në Kosovë shpesh quhet sekser. Kishte zgjedhur bashkëshortin e një anëtareje të ansamblit rezident për të negociuar me aktorët. Por Këshilli Grevist nuk ishte zmbrapsur.

Të hënën e kësaj jave ministri i Kulturës në detyrë, Çeku, ka pritur në takim Këshillin Drejtues të Tetarit Kombëtar të Kosovës. Krejt aktivitetet e tjera të asaj dite janë bërë publike pos këtij takimi. Nga dy burime brenda takimit KOHA ka marrë vesh se ministri Çeku ka folur me përbuzje për grevistët dhe ka thënë se për dy-tri javë do të zgjidhet kjo çështje. Synimet janë që nëpërmjet një rregulloreje për sistematizim të vendeve të punës të bëhet ngitje e pagës për aktorët. Por, KOHA ka mësuar se nëpërmjet një akti nënligjor është e vështirë të ngrihen koeficientet që janë nga 8 e sipër.

“Për koeficientet deri në 8 mund të gjenden zgjedhje nëpërmjet rregullores. Por ata mbi 8 në bazë të juridiksionit që rregullon pagat te ne është vështirë e mundshme. E në këtë rast kërkesat janë për rritje të koeficienteve mbi 8”, ka thënë një jurist, që ka qenë i përfshirë në procesin e Ligjit për pagat në sektorin publik. MKRS-ja nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS sa i përket grevës.

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës Sindikale, aktori Shkëlzen Veseli, të martën vonë ka thënë se tashmë i kanë kaluar 100 ditë në grevë në TKK e të cilat janë  pak për MKRS-në, por shumë për ata si artistë dhe akoma më shumë për publikun që si rezultat i neglizhencës së Ministrisë po vazhdon t’u mohohet përcjellja e repertorit të TKK-së.

“Gjatë kësaj kohe është konfirmuar një e vërtetë e hidhur: që Ministri(a) na ka gënjyer edhe neve privatisht edhe publikun publikisht duke thënë – para 6 muajsh – ‘jemi duke punuar fort’. Pra, si epilog jemi në pikën zero. Përveçqë nuk po punohet për zgjidhjen e këtij problemi edhe komunikimi me ne është shkëputur. Sa për kujtesë, takimi i fundit me ne ishte para  më shumë se dy muaj e gjysmë”, ka thënë ai. Sipas Veselit,  kohëve të fundit në vend se të punojnë për zgjidhjen e problemit MKRS-ja ka zgjedhur që përmes njerëzve luajalë të saj t’i kërcënojë.  “E po ashtu kanë tentuar të na përçajnë e nënshtrojnë. Konsideroj që kjo është shumë e ulët që përmes ‘postierëve’ të na kërcënojë me ndalje të pagës, dënime e të tjera”, ka thënë ai.

Ka pasur një këshillë për ministrin e Ministrinë e Kulturës: të shpenzojnë energjinë në zgjidhjen “e këtij telashi banal që e ka krijuar vetë MKRS-ja” e jo “në nënshtrimin e kërcënimin” e tyre. Sipas tij, artistët e TKK-së nuk nënshtrohen e degradohen pasi janë kështjellë që nuk e thyen dot ministri e as Ministria e Kulturës. Ka thënë se kanë disa propozime konkrete që ndihmojnë në daljen nga kjo gjendje pasi po pësojnë si artistë e po ashtu edhe publiku.

“E kam një frikë – e qofsha i gabuar – që MKRS-ja më e interesuar është që të na nënshtrojë sesa t’i realizojë kërkesat tona.  E nëse kjo del të jetë e vërtetë jemi në një qorrsokak, sepse Sindikata e Aktorëve është e pathyeshme dhe këtë e kemi dëshmuar para çdo pushteti e jo vetëm para atij të tanishmit”, ka thënë Veseli.

Aktorët kishin mbajtur dy aksione para Ministrisë së Kulturës gjatë vitit të kaluar.

Në ditën e shpalljes së grevës më 17 nëntor, aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë. Konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe kërkojnë “asgjë më shumë se kthim ku kanë qenë të ranguar”. Këtë kërkesë e kanë pasur edhe kur kishte nisur aplikimi i këtij ligji para 22 muajsh. Koeficienti i tyre ishte përcaktuar të jetë 8, kurse kërkesat qenë për 11. Përkthyer në shuma: paga e aktorit me koeficient 8 është 880 bruto.

Deri te greva aktorët kanë ardhur pas paralajmërimit të parë në mes të shtatorit, kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë.

Para 22 muajsh, kur ishin ngritur pagat me zbatimin e Ligjit për paga në sektorin publik, pakënaqësitë ishin shfaqur në disa institucione, duke filluar nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Në kërkesën e Shoqatës Sindikale, të dërguar ende pa u aprovuar ligji, renditen edhe koeficientet e propozuara për pozitën e dramaturgut, mjeshtrit të dritave, organizatorit e deri te punëtorët tekniko-artistikë.

Kërkesa për rangime të tjera ka gjithandej institucioneve qendrore të kulturës.

Asokohe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, u kishte premtuar se koeficientet do të rishqyrtoheshin.