Kulturë

“Të vdekurit mbajnë zi për Atdheun” midis miteve që s’njohin kohë

Është një udhëtim teatror me shfaqje brenda shfaqjes e me teatër brenda teatrit. Aty ku e tashmja dhe e kaluara mitike pikëprehen aq natyrshëm, gjithëfarësoj personazhesh të folklorit shqiptar si shtriga e zana mali, kalorës të vdekur, dasmorë gazmorë, dhëndurë të çuditshëm, mbretër gjakatarë e pretendentë fronesh revolucionarë, parakalojnë bashkërisht duke i bërë jehonë një bote të tërë legjendash

Në një nga baladat më të dhimbshme arbëreshe, te kënga e Dhoqinës, Konstandinit që ngrihet nga varri “rrasa iu bë kalë, balta iu bë shalë”.

Në letërsinë e dramaturgjinë shqipe nuk janë të shpeshta përpjekjet që pikëtakojnë personazhet dhe motivet e rrëfenjave mitike me të tashmen. Pa u shkëputur nga nënshtrati homerik, Kadare dikur i kishte bërë ushtarët akeas, të strofulluar në barkun e kalit të drunjtë, të transformoheshin sikur ishin në një autobus të ndryshkur në Shqipërinë e izoluar të moteve të komunizmit.

Kosa e murtajës shfarosëse, nëntë bijë të kallur nën dhé, kalorës të përtejbotshëm, orë e zana mali me zëra trillanë, pikëtakimi surreal mes të vdekurit dhe të gjallës janë veçse disa nga motivet e folklorit shqiptar që përthyhen edhe si mesazhe për të tashmen.

Nën regji të Erson Zymberit, shfaqja “Të vdekurit mbajnë zi për Atdheun”, mbrëmjen e së hënës në TKK ka sjellë një parakalim personazhesh mitike shqiptare që bëjnë të mundur një reflektim mbi historinë.

E sëndërgjuar nga vetë regjisori si një “strukturë e re dramatike”, publiku nëpërmjet shfaqjes është kredhur në një udhëtim teatror në dramaturgjinë e shkrimtarit Beqir Musliu (1945-1996), përkatësisht përmbledhjen e katër dramave “Shtrigani i Gjel-Hanit”.

Meqë në tekstin e adaptuar nga dramaturgu Jeton Neziraj, “toposi” i mitikes dhe të tashmes nuk ka një vijë të thekshme ndarëse, skena në sallën e madhe të TKK-së ishte sajuar asisoj që të shtrihej edhe në një pjesë të madhe të ulëseve. Kështu, publiku ishte më i pranishëm në vajin pranë varreve, ashtu sikurse edhe legjendat e besëtytnitë më të dëgjueshme e të përjetueshme për ta.

Munxët e mallkimet e personazheve mitike e moderne janë një nisje bukur intriguese për botën e çudirave të mitologjisë shqiptare: “Të biftë bari mbi kokë”, “T’u thaftë gjuha”, “të këndoftë shpendkeqi”, “t’u nxiftë kufoma”, etj.

Për rreth një orë e gjysmë interpretim, kasti prej shtatë aktorësh – Ermal Sadiku, Majlinda Kasumoviq, Semira Latifi, Shengyl Ismaili, Arta Selimi, Afrim Muçaj, Shpetim Kastrati – kanë ngjitur në skenë syzhetë e dy legjendave të trishta: asaj të vëllait të vdekur që ngrihet nga varri për të mbajtur besën dhe tjetrës për dhëndrin fatkeq që vdes ditën e martesës.

Image

Halil Garria (i interpretuar nga Afrim Muçaj) dhe Rexha (Ermal Sadiku) që vdes nga shqelmat e kalit, janë dy personazhet që shpalosin tragjizmën e jetës që këputet në mes nga vdekja.

Te miti i parë, murtaja e luftërat herrin nëntë vëllezërit e Doruntinës; kjo e fundit është martuar në dhé të largët sepse i vëllai i saj i vogël, Konstandini, ia kishte dhënë besën nënës se do t’ia sillte të bijën. Nëpërmjet një loje të ndërlikuar, me ndërfutje dramatike muzikore, i vdekuri të cilit “rrasa iu bë kalë, balta iu bë shalë” metamorfizohet edhe me pamje nga e tashmja, për të dhënë një botë ku e kaluara dhe e tashmja bashkëjetojnë natyrshëm.

Te miti i dytë, teksa dëgjohet kënga e dhimbshme e Rexhës, zë vend djali fatkeq të cilin kali e vret me shqelma pak para se të bëhet dhëndër. Zemërplasura nënë nuk do t’ua ngrijë buzëqeshjen në fytyrë krushqve të ftuar në dasmë, ndaj edhe nuk i lajmëron për të birin e vdekur.

Pak para fillimit të shfaqjes, regjisori Erson Zymberi ka thënë se e gjithë përpjekja ka qenë për të krijuar një strukturë të re dramatike në mitet kryesore të veprës së shkrimtarit Beqir Musliu.

“Ka qenë një dëshirë e kamotshme për të trajtuar një nga veprat e Musliut”, ka treguar Zymberi për KOHËN. “Në përmbledhjen e tij dramaturgjike ka personazhe që janë si trupë që bëjnë shfaqje brenda shfaqjeve e teatër brenda teatrit”.

I pranishëm në TKK ishte edhe aktori nga Maqedonia e Veriut, Xhevat Limani, i cili e ka vlerësuar si një shfaqje me shumë simbole. Ai ka kujtuar kur e njëjta shfaqje ishte dhënë edhe në Teatrin Shqiptar të Shkupit.

“Të them të drejtën, nëse e bëj një krahasim, shfaqja në Shkup ka pasur më shumë frymë të Beqir Musliut, më shumë fantazmagori të metafizikës, simbolikës dhe të konstruktivizmit të dramaturgjisë së Musliut”, ka thënë Limani.

Aktori nga Struga i ka vlerësuar si realizime të bukura interpretimet e aktorëve që, sipas tij, spikatën me mënyrën e një eksplorimi të ri teatror në aspektin e lëvizjeve skenike, këndimit dhe vallëzimit.

“Ky në fakt është aktori: një qenie komplete e jo vetëm për të thënë fjalë”, ka shtuar Limani teksa si vërejtje ka nënvizuar përsëritjet e shpeshta.

Dramaturgu Jeton Neziraj ka vlerësuar se dramaturgjia e Beqir Musliut është jashtëzakonisht e pasur me motive të shumta. Sipas tij, ajo është një dramaturgji tipike e viteve ’70 dhe ‘80 ku vërehet njëfarë hermetizmi dhe lundrimi nëpër mite shqiptare e universale.

“Përpjekja nuk ka qenë që të tregojmë shkathtësitë tona, por thjesht të ruajmë frymën dhe motivet kryesore të Beqir Musliut”, ka thënë Neziraj, i cili e ka quajtur tejet sfidues procesin që një material 600 faqesh të përmblidhej në një shfaqje me një tekst prej rreth 25 faqesh.

Dramaturgu i njohur ka vlerësuar se teatrot në vend duhet të inskenojnë shfaqje të bazuara në dramat e Musliut, që mund të aktualizohen edhe në kontekstin e sotëm.

“Musliu ishte një dramaturg i shkëlqyer, por që nuk është eksploruar sa duhet në teatrot shqiptare. Megjithatë, një shfaqje si kjo është një mundësi që t’i nxjerrë në pah vlerat e tij”, ka thënë Neziraj.

Me frymëmarrjen që ende i dihaste pas përfundimit të shfaqjes, aktori Afrim Muçaj ka thënë si me shaka që kjo dëshmon se të gjithë aktorët e kanë dhënë maksimumin.

“Të them të drejtën ka qenë një proces i lodhshëm, por kishim kolegë shumë të mirë e bashkëpunues. Kjo ka bërë që të jemi kompakt e t’i servojmë publikut një shfaqje të mirë”, ka thënë ai.

Duke evokuar procesin e provave, Muçaj ka vlerësuar se ai ka qenë paksa i rrëmujshëm, por megjithatë kasti është mobilizuar për të dhënë më të mirën.

Duke e quajtur shfaqjen si një përvojë të re, aktorja Semira Latifi ka vlerësuar se bashkë me kolegët në prova ka pasur progres të vazhdueshëm.

“Procesi ka qenë paksa i mundimshëm, sepse janë trajtuar disi më ndryshe mitet që veç janë të njohura për publikun”, ka thënë Latifi, e cila ka interpretuar rolin e Doruntinës.

Në të vërtetë, provat për shfaqjen “Të vdekurit mbajnë zi për Atdheun” kishin nisur në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar. Por infektimi i dy aktorëve me koronavirus kishte bërë që provat të ndërpriteshin për pak kohë.

Pos regjisorit Zymberi, në shfaqje janë angazhuar edhe Natyra Kallaba si asistente regjie; Bekim Korça si skenograf; Yllka Brada si kostumografe; Gjergj Prevazi si koreograf, si dhe Irena Popoviq për muzikë.