Si njeri i besimit islam paragjykohet shumë, e për t’u përshtatur noton. Pjesë e notimit është edhe ndërrimi i mbiemrit. Por këtu është filli i përshtatjes që vë në lojë edhe fenë, edhe identitetin. “Të turpëruarit” me tekst të Ayad Akhtar nën regj të Altin Bashës, hap debatin i cili është përherë aktual midis lindjes e perëndimit: të pranuarit e tjetrit ose zhveshja nga identiteti
Brenda shtëpisë së një çifti relativisht të ri jetojnë dy botë: kultura lindore dhe ajo perëndimore. E dyta është më shumë përshtatje e maskim. Përderisa bashkëshortja Emily, një piktore goxha e njohur është dhënë pas paraqitjes së artit lindor në tablotë e saj, bashkëshorti Amiri është avokat që luan me identitetin.
Si njeri i besimit islam paragjykohet shumë, e për t’u përshtatur noton. Pjesë e notimit është edhe ndërrimi i mbiemrit në Kapoor për të ngjarë më shumë me ndonjë mbiemër indian. Jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përshtatjen e kanë stil jete.
E gjithë ngjarja zhvillohet në shtëpinë e këtij çifti që portretizohet nga Blerta Syla-Surroi dhe Ardian Morina. Drama “Të turpëruarit” e dramaturgut amerikan me prejardhje pakistaneze, Ayad Akhtar, nën regji të Altin Bashës, e kthen teatrin në korniza më tradicionale. Shfaqja që pas Tiranës, të martën ka ardhur mysafire në Teatrin Kombëtar të Kosovës s’është prej atyre pamfleteve që bëjnë me gisht te një telash ose denoncojnë një pikë të caktuar. “Të turpëruarit” dramën njerëzore nuk e kthen në spektakël por gërmon që të nxjerrë në pah anën emocionale të një debati të kahershëm mbi identitetin, sidomos atë fetar. Botëkuptimet aty përplasen me të madhe dhe barra e fshehjes së identitetit del të jetë vrastare nga disa perspektiva.

Përderisa Emily pikturat i ka njëfarë homazhi për botën islame, Amiri synon varrosjen e çdo gjëje që e lidh me atë. Si avokat punon në një studio ligjore hebraike. Pjesë e lojës është edhe Isaac (Kushtrim Sheremeti) që vjen si kurator. Edhe ai hebraik. Tok me bashkëshorten (Aurita Agushi) kanë njëfarë shoqërie me familjen Kapoor. Isaac shfrytëzon rastin më shumë ta shohë si femër piktoren sesa si një artiste. E ajo duket sikur ka njëfarë nënshtrimi shkaku i rëndesës dhe paragjykimeve që bota amerikane ka për njerëzit me prejardhje lindore. Amiri madje flet keq për fenë islame, dhe nuk do as të merret vesh se ka ndonjë lidhje me të. Por nipi i tij, Hussein (Endrit Ahmetaj) është i futur thellë në praktikumin e fesë dhe është i rreshtuar nga ata që i urrejnë islamofobët. Për këtë edhe bëhet i dyshimtë në sytë e autoriteteve.
“Të turpëruarit”, drama për të cilën autori më 2013 ka marrë “Pulitzer”, zhvesh jetën e atyre që jetojnë të paragjykuar e ikin prej identiteti bashkë me paragjykimet që kanë perëndimi e lindja për njëra-tjetrën.
“Një dramë prekëse që përshkruan një avokat të suksesshëm i detyruar me dhimbje të marrë në konsideratë kamuflimin e trashëgimisë së tij myslimane pakistaneze”, shkruhet në motivacionin e ndarjes së çmimit “Pulitzer” për këtë dramë.
Debati që zhvillohet në shfaqje ka edhe përmasa filozofike. Teston dhe shpërfaq natyrën e brishtë të tolerancës. Luan me ndjesitë e dyfishta duke shpërfaqur se si Amiri ka përfaqësuar një imam të akuzuar për mbledhjen e fondeve për terrorizmin. Frika e tij kur kjo merret vesh është e madhe dhe e vë në pozitë të rëndë. Frikësohet se mund të shihet si njëri që ka pasur ndjenjë sadopak krenarie kur kanë rënë Kullat Binjake nga sulmi terrorist. Ashtu edhe shihet nga Isaac të cilin e pështyn në fytyrë dhe grushton gruan e tij pasi merr vesh se e kishte tradhtuar me kuratorin. Humb edhe vendin e punës.
Regjisori Altin Basha ka thënë se bëhet fjalë për një tekst të veçantë që pos vlerave të jashtëzakonshme që ka në kuptimin e karaktereve, dialogut, fjalorit të pasur, temave që trajton, prek edhe një lloj diskursi të vazhdueshëm që është në shoqëritë perëndimore mbi islamin, vlerat e tij, e dyshimin që është mbi të.
“Ky është një diskutim historik që bëhet edhe për fetë e tjera. Normalisht që në teatër nuk është i rrahur shpesh. Teatri duke pasur detyrën e vet që të provokojë e të nxisë diskutim, ta ndihmojë shoqërinë të jetë e shëndetshme me reflektimin mbi veten, e ka për detyrë t’i ketë edhe këto tema”, ka thënë Basha derisa ka numëruar arsyet e inskenimit të dramës.
“Brenda tekstit ka shumë detaje e diskutime filozofike të cilat mendoj se ndihmojnë publikun të krijojë një refleksion më të thellë mbi religjionin, diskutimet që ngjall e shumë elemente të tjera”, ka thënë ai.
Aktorja Blerta Syla-Surroi ka thënë se bëhet fjalë për shfaqje universale, e cila trajton krizën e identitetit. Sipas saj, shfaqja e shtyn audiencën të reflektojë mbi ndarjet kulturore dhe mënyrën se si perceptohen identitetet në shoqëri.
“Drama ngre pyetje të mëdha mbi natyrën se si individët e diasporës islame e përjetojnë dhe e menaxhojnë identitetin e tyre në Perëndim. Autori nuk ofron përgjigje të drejtpërdrejta, por sfidon audiencën të mendojë mbi hipokrizinë, integrimin dhe mënyrën se si shoqëria e trajton tjetrin, pra është një shfaqje e fuqishme dhe provokuese”, ka thënë Syla-Surroi. Si kënaqësi e veçantë dhe përvojë shumë e vlefshme ka thënë të jetë bashkëpunimi me regjisorin Altin Basha.
“Duke qenë se është një nga regjisorët më të njohur të teatrit dhe të televizionit në Shqipëri, pra bashkëpunimi me të është mundësi e madhe për çdo aktor që të zhvillohet në aspektin profesional dhe artistik, duke pasur kërkesa të larta profesionale për realizimin e shfaqjes”, ka thënë ajo.
Aktori Adrian Morina ka thënë se bëhet fjalë për një tekst të shkëlqyeshëm, dhe jo rastësisht fitues i çmimit më të madh për dramaturgji në Amerikë. Sipas tij është një që ec në teh të thikës.
“Në një moment është një tekst që është kundër islamit ose vlerave të lindjes dhe pastaj menjëherë në faqen tjetër të leximit e sheh si një tekst islamofobik. Është ndeshja e dy civilizimeve, perëndimit dhe lindjes, që vjen në mënyrë aq mjeshtërore nga autori e aq më shumë duke e ditur kontekstin kohor kur jetojmë e vendin tonë ku debatet e tilla janë çdo natë në secilën tavolinë tonën”, ka thënë ai. Sipas Morinës, duket tekst i thjeshtë në pamje të parë por është me vlera të larta dhe e pasuron skenën teatrore dhe e ngjall edhe debatin.
“Është tekst që flet për identitetin, atë që njerëzit e fshehin nganjëherë vetëm për t’u dukur më perëndimorë shpesh të kushtëzuar nga rrethanat e ndryshme. Kemi shumë shqiptarë të Shqipërisë që kanë ndërruar identitet në Greqi. Pastaj kemi shqiptarë të Kosovës nëpër vende të ndryshme që thonë se kemi piceri italiane. Kanë ndërruar identitet duke dashur që të prezantojnë vlerën e një civilizimi tjetër që nuk i takojmë”, ka thënë ai. Shfaqja tregon se një jetë e tillë me identitete të dyfishta që e urrejnë njëra-tjetrën e nuk e komplementojnë atë, sjell deri te një kolaps psikologjik. Identiteti në mjedis paragjykues nuk shihet si vlerë ose feja si një lloj fisnikërimi i shpirtit, por bëhet shkas për urrejtje.
E urrejtja, në shfaqje sikurse edhe në shembuj të panumërt historik sjell shkatërrim.