Rrëfime të hollësishme të persekutimit, luftës, dhunës, vrasjeve, torturimit, vuajtjes, urisë, burgosjes, izolimit e çka jo tjetër, janë përmbledhur në librin “Të burgosurit e ndërgjegjes: Memoare për politikën, burgun dhe torturën (1945-1999)”. Janë dhjetë heronj të shndërruar në zërat që nuk u dorëzuan për lirinë. Hasan Dërmaku, Selatin Novosella, Neriman Braha, Sherafedin Berisha, Ukë Thaçi, Teuta Hadri, Ibish Neziri, Shukrije Gashi, Dinore Cani-Hasanmetaj dhe Zahrie Podrimqaku-Subashi, janë “Të burgosurit e ndërgjegjes...”
Libri “Të burgosurit e ndërgjegjes: Memoare për politikën, burgun dhe torturën (1945-1999)” ka mbledhur në një botim narrativat e dhjetë ish-të burgosurve. Aty rrëfehen dhuna, shtypja e tortura ndaj shqiptarëve të Kosovës prej viteve ‘40 e deri në fundshekullin e kaluar. Libri i ndërtuar mbi historinë gojore konsiderohet aset i rëndësishëm i historiografisë, ndërsa literatura e kësaj natyre, e mangët.
Në qendrën “Barabar” në Prishtinë, ekranet janë ndezur për fotografitë e dhjetë ish-të burgosurve. Imazhet e tyre para a pas burgimit dhe ato të tanishme janë shpalosur në krejt hapësirën. I japin formë ekspozitës “Të burgosurit e ndërgjegjes: Kujtime të rezistencës dhe dinjitetit” e cila pasqyron vizualisht historitë në libër.
Figura e Hasan Dërmakut, Selatin Novosellës, Neriman Brahës, Sherafedin Berishës, Ukë Thaçit, Teuta Hadrit, Ibish Nezirit, Shukrije Gashit, Dinore Cani-Hasanmetajt dhe Zahrie Podrimqaku-Subashit janë aty. E krejt këta ia hapin publikut hapin “grilat” e burgut. Me rrëfimet e tyre jetësojnë e rrëfejnë përjetimet e rënda e të trishta.
Publiku që në fillim paralajmërohet se libri përmban përshkrime të hollësishme dhe grafike të persekutimit, luftës, dhunës, vrasjeve, torturimit, vuajtjes, urisë, burgosjes, izolimit e çka jo tjetër.
Drejtuesi i projektit për librin që është publikim i “ForumZFD” ka qenë Korab Krasniqi.
“Kam pasur kënaqësinë që gjatë vitit të kaluar dhe një vit më herët të bashkëpunoj me Shoqatën e të Burgosurve Politikë e me Qendrën Kosovare të Rehabilitimit të Torturës për të sjellë në jetë një libër, një përmbledhje, e cila fokusohet ekskluzivisht në historitë gojore të të persekutuarve politikë në ish-Jugosllavi dhe gjatë viteve ’90”, ka thënë ai.
Libri hapet me një thënie të Adem Demaçit të vitit 1989 nga Burgu i Stara Gradishkës.
“Burgu është vendi ku shkatërrohet trupi dhe vihet në sprovë shpirti. Që të dyja nuk të takojnë! Nëse e do trupin – harroje shpirtin. Nëse e do shpirtin – harroje trupin”, shkruhet aty.
Selatin Novosella, ish-i burgosur politik që e ka historinë e tij në libër, ka thënë se ky botim është libër referencë për historinë më të re të Kosovës. Ka thënë se një i tillë ka qenë mungesë.
“Është i munguar deri më sot në historiografinë dhe në publicistikën e Kosovës. Këtu janë të përfshira dhjetë intervista të veprimtarëve politikë të periudhës 60-vjeçare. Që nga viti 1964, si anëtarë të organizatës Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve të udhëhequr nga Adem Demaçi e deri këtu ku kemi të pranishëm nga brezi i vitit 1968, nga demonstratat e vitit 1981, nga lëvizja paqësore e viteve ’90 dhe nga Ushtria e lavdishme Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë ai.
E ka vlerësuar si model se si do duhej të kishte më shumë vëllime me tematikë dhe përmbajtje të ngjashme.

“Ky libër është model se si do duhej të kishim deri sot së paku nja 30 vëllime me këtë tematikë dhe këtë përmbajtje. Këto dhjetë intervista janë dëshmi se shqiptarët e Kosovës nuk u pajtuan asnjëherë me robërinë jugosllave dhe serbe, e veprimtarisë së këtyre të intervistuarve, se çfarë torturash u përdorën ndaj tyre gjatë hetimeve, se këta veprimtarë nuk pushuan asnjëherë, deri në çlirimin e Kosovës”, ka thënë ai.
Promovimi ka qenë edhe një panel me hulumtuesen Elife Krasniqi dhe historianin Durim Abdullahu, moderuar nga profesoresha e sociologjisë, Vjollca Krasniqi, e cila ka thënë se libri “Të burgosurit...” i shqyrton strategjitë shtetërore të përndjekjes e shtypjes politike.
“Libri përmbledh histori nga burra e gra, të cilët jetuan dhunën, shtypjen dhe torturën në burg. Këto intervista të thelluara dhe dokumentimi historik i këtij libri shqyrton strategjinë shtetërore të përndjekjes dhe shtypjes politike, përvojat e burgosjes, torturës dhe mbijetesës në izolim, si dhe rolin e rezistencës politike dhe aktivizmit për paqe dhe barazi, për kujtesën e desidencën nën ndikimin e saj në historinë bashkëkohore”, ka thënë ajo.
Hulumtuesja Elife Krasniqi e konsideron si kontribut të jashtëzakonshëm të rrëfimeve për ilegalen. Ka thënë se historia gojore si metodologji shpesh bazohet në atë se çfarë kujtojnë të intervistuarit.
“U takoj hulumtuesve që mendoj se është terreni dhe tema e cila e përcakton metodologjinë, përtej disiplinës. Sidomos nëse duam që një hulumtim të jetë më i nuancuar dhe kam frikë që ndonjëherë hulumtimi për ilegalen nuk është mjaftueshëm i nuancuar, atëherë metodologjia duhet të kombinohet”, ka thënë Krasniqi.
Sipas saj, dallimet gjinore shpesh ndikojnë në hulumtime.
“Përderisa historia gojore është jashtëzakonisht e rëndësishme, arkivat janë gjithashtu qenësore, mandej përpiqemi të gërmojmë më shumë në rolin e grave, atëherë i gjithë procesi komplikohet. Arsyeja qëndron për shkak të natyrës që ka pasur, por edhe për shkak të rendit patriarkal që fatkeqësisht vazhdon të jetë shumë prezent”, ka thënë ajo më tej.
Historiani Durim Abdullahu ka thënë se në Kosovë kjo metodologji është e vonshme.
“Kur institucionet publike në Kosovë kanë nisur të prodhonin mirëfilli historiografi pak a shumë prej viteve ’50 e tutje, kam përshtypjen që vetëm pas çlirimit historianët shqiptarë në një formë janë ndërgjegjësuar për rëndësinë e një kategorie të veçantë të burimeve historike, që janë burimet gojore. Historia gojore si metodologji së cilës i jemi referuar kaq shumë sonte”, ka thënë ai.
Sipas tij, “botimet e historiografisë shqiptare në Kosovë të para ‘99-s janë të pakta, studimet historike të cilat kanë përdorur histori gojore. Për më tepër është një metodologji krejt bazike së cilës më shumë u referohen në trajtë deklaratash sesa intervistash”.
Abdullahu ka thënë se kjo ka ardhur si rrjedhojë e shtypjes, nënpërfaqësimit e diskriminimit politik.
“Shqiptarët në ish-Jugosllavi kanë qenë një subjekt shumë i shtypur, i nënpërfaqësuar dhe politikisht i diskriminuar. Kanë përjetuar kaq gjatë dhe në mënyrë sistematike vuajtje, burgosje politike, kanë qenë pjesë e një gjenocidi krejt unik dhe të pashembullt të ushtruar në Evropë në fund të shekullit XX. Me sa duket kjo është një prej arsyeve që ka ndikuar që të jetë i pamundur aplikimi i historisë gojore në studimet historike në Kosovë”, ka thënë ai.
Në “Të burgosurit...” bëhet e ditur se të dhënat e Shoqatës së të Burgosurve Politikë në Prishtinë janë rreth 12 mijë shqiptarë të përndjekur e të burgosur për motive politike gjatë Jugosllavisë socialiste e më pas gjatë regjimit të dhunshëm të Millosheviqit.
“Persekutimi i intelektualeve opozitarë dhe disidentëve politikë në Jugosllavinë socialiste ka qenë I ushtruar si strategji shtetërore dhe fushatë sistematike, për t'i heshtur zërat politikë dhe për t’i zhveshur nga agjencia e subjektivitetit kulturor e politik”, shkruhet aty.