Kulturë

“Të bardhët” vjen si satirë për shoqërinë

Shfaqja "Të bardhët"

Shfaqja “Të bardhët” me tekst të dramaturgut amerikan Steven Leigh Morris, nën regji të Besim Ugzmajlit, do të jepet premierë sot (e premte) në teatrin “Oda”. Shfaqja, që vjen si produksion i qendrës “Multimedia”, përshkruhet si satirë sociale për një liberal të moshuar, një të ri progresiv dhe një populist. 

Në komunikatë bëhet e ditur se shfaqja ka në qendër Luisin, drejtor i kamotshëm artistik i teatrit në Oklahoma, i cili aktron dhe e bën regjinë e “Mbretit Lir” të Shekespeareit. Aty shpjegohet se është një dramë që i ngjan “Cinderellas”. 

“Teksa të gjithë provojnë skena nga drama, ngrihen dy çështje qendrore: e para, për shkak se për rolet e motrave dinake të Kordelias, Luis ka zgjedhur aktore me ngjyrë, ndërkohë që Kordelia e mirë është e bardhë, Luis kujtohet se shfaqja që do të mbetet si shenjë e punës së tij, shumë lehtë mund të interpretohet si racist. A mund ta zëvendësojë Priscillën me një aktore me ngjyrë, pa rrezikuar që teatri i tij të konsiderohet si ‘i këndellur’ në mes të një Shteti të Kuq. Dhe, si ballafaqohet Priscilla me mundësinë që të zëvendësohet nga një aktore tjetër për arsye plotësisht racore?”, janë pyetjet që shtrohen në komunikatë.

Në shfaqje luajnë Shpëtim Selmani, Verona Koxha dhe Bujar Ahmeti. Për “Të bardhët” shkruhet se çështjet racore e gjinore janë të vendosura në kontekst tjetër dhe se reflektojnë në dinamikat shoqërore e politikat gjinore në vend.

“Kjo shfaqje vjen në një kohë kur, në një ambient konservator e tradicionalist si ky i yni, diversiteti dhe konceptet e reja gjinore e seksuale janë duke u kuptuar e mbjellë me frikë, e ku racizmi, i nxitur nga masmedia e rrjetet sociale, ka gjetur akoma më shumë terren për t'u forcuar e marrë hov. 'Drama amerikane e Oklahomës së largët, publikut te ne në Kosovë, në Evropë, veç të tjerash, ia shtron edhe një pyetje sfiduese: në konkursin e radhës për drejtor të një teatri publik konkurron edhe një rom që ka shkollim superior dhe ka portofolin më impresiv sesa dy kandidatët e tjerë 'evropianë të bardhë'. Çfarë shansesh ka kandidati rom në këtë garë?”, shkruhet në komunikatën për media të qendrës “Multimedia”. 

Drejtor artistik i produksionit është Mentor Berisha, kostumet janë punuar nga Njomza Luci, ndërsa muzika nga kompozitori Memli Kelmendi. Drama është përkthyer nga Qerim Ondozi.