Ylli amerikan i muzikës, Taylor Swift, ishte fituesja e madhe e edicionit të sivjetmë të ceremonisë “Grammy”, duke u bërë artistja e parë që fiton çmimin “Albumi më i mirë” për të katërtën herë.
Më herët ajo e kishte barazuar këtë arritje me emra të shquar të muzikës si Stevie Wonder, Paul Simon dhe Frank Sinatra.
Taylor e pranoi trofeun në skenë nga ikona, Celine Dion, e cila e bëri një paraqitje befasuese në ceremoni pothuajse një vit pasi u detyrua të anulonte të gjitha performancat “live”, si pasojë e diagnostikimit me një çrregullim të rrallë neurologjik. Këngëtarja u prit me duartrokitje të ngrohta kur doli në skenë.
“Kur ju them se jam e lumtur që jam këtu, e them me të vërtetë dhe nga thellësia e zëmrës”, deklaroi Dion para të pranishmëve në sallë.
Entuziazmi në publik shpërtheu dhe në momentin kur ajo e thirri emrin e Swiftit si fituese të çmimit “Albumi më i mirë”.
Kjo arritje historike e këngëtares 34-vjeçare është vetëm një prej sukseseve të shumta që ajo i ka përjetuar këto vitet e fundit. Për publikun Taylor deklaroi se do të dëshironte të thoshte se ky është një prej momenteve më të bukura të jetës së saj, por në fakt të njëjtin gëzim e përjeton sa herë që e finalizon një këngë apo bëhet gati për ndonjë koncert.
“Për mua, çmimet përfaqësojnë punën. Krejt çfarë dua është të kem mundësi ta bëjë këtë punë. E adhuroj muzikën dhe më bën shumë të lumtur. Po ashtu, jam e mahnitur për faktin se këngët e mia i bëjnë njerëzit e tjerë po aq të lumtur, përfshirë edhe ata që kanë votuar që unë ta fitoj këtë çmim”.
Këngëtarja gjithashtu e shfrytëzoi këtë ngjarje të rëndësishme në industrinë e muzikës për t’i njoftuar fansat se po sjell album të ri të titulluar “Tortured Poets Department”.
Ceremonia e së dielës u dominua nga gratë me artiste të tilla si, Miley Cyrus, Billie Eilish, SZA, Victoria Monét dhe grupi i vajzave “Boygenius”, duke i rrëmbyer disa prej çmimeve kryesore.
Gjatë mbrëmjes Eilish triumfoi me këngën “What Was I Made For?”, që shërbeu si kolonë zanore e filmit “Barbie”. Kështu e rrëmbeu çmimin “Kënga më e mirë”, duke i mundur koleget e saj mjaft të suksesshme si, Taylor Swift, SZA, Miley Cyrus dhe Olivia Rodrigo. Ky projekt gjithashtu triumfoi në kategorinë “Kënga më e mirë për media vizuale”.
Moment historik ishte edhe fitorja e Miley Cyrusit, e cila e rrëmbeu çmimin e parë “Grammy” në karrierën e saj. Ajo u shpall fituese në kategorinë “Performanca më e mirë vokale në zhanrin pop”, për hitin e saj të padiskutueshëm “Flowers”. Ajo u shfaq jashtëzakonisht e emocionuar me të dalë në skenë për ta pranuar çmimin nga diva e muzikës, Mariah Carey. Entuziazmin e shprehu edhe gjatë performancës, kur i ndryshoi disa fjalë të këngës dhe dukej sikur po këndonte dhe bashkëbisedonte njëkohësisht me publikun e pranishëm në sallë.
SZA ishte ajo e cila udhëhoqi me më së shumti nominime, nëntë sosh. Por arriti të triumfojë në tri kategori. Ajo gjithashtu performoi në ceremoni duke e sjellë një koreografi mjaft artistike.

Rikthim në “Grammy” shënoi edhe ylli australian, Kylie Minogue, e cila e fitoi çmimin e dytë “Grammy” në karrierën e saj atë “Kënga më e mirë pop/dance”, për hitin “Padam Padam”.
Këngëtarja afrikane, Tyla bëri histori duke e rrëmbyer çmimin e parë për performancën më të mirë afrikane. 22-vjeçarja fitoi famë ndërkombëtare me hitin “Water”, i cili përveç suksesit në top-listat muzikore e bëri atë virale edhe në platformën TikTok.
Nga artistët meshkuj ishte Killer Mike ai i cili triumfoi në disa prej kategorive kryesore, dukë i fituar tri çmime gjithsej, përfshirë këtu çmimet “Albumi më i mirë rep”, “Kënga më e mirë rep” dhe “Performanca më e mirë rep”. Por mbrëmja nuk shkoi mirë për artistin, i cili përfundoi në pranga të policisë. Ai u arrestua për shkak të një konflikti që kishte ndodhur në prapaskenë.
Çmimin “Albumi më i mirë i muzikës country” këtë vit e fitoi këngëtarja Lainey Wilson, për albumin “Bell Bottom Country”.
Jay-Z u nderua me çmimin special “Dr. Dre Global Impact Award”. Ai e shfrytëzoi fjalimin e tij për t’i përmendur disa prej artistëve më të shquar të hip-hopit si dhe për t’i kritikuar organizatorët e ceremonisë për disa çështje.
“Sa larg kemi arritur nga viti 1989 kur Will Smith e fitoi çmimin e parë ‘Grammy’ dhe më pas e bojkotoi ngjarjen për shkak se nuk shfaqej në televizion. Atë kohë nuk e kuptoja rëndësinë e asaj që kishte ndodhur. Por, në vitin 1998 unë u nominova në kategorinë ‘Albumi më i mirë rep’ kurse DMX, i cili kishte realizuar dy super albume, nuk u nominuar në asnjë kategori. Kështu unë vendosa ta bojkotojë ceremoninë dhe e ndoqa atë nga shtëpia. Ajo çfarë dua të them me këtë, është se duhet t’i rregulloni ca gjëra. Padyshim përzgjedhja e fituesve është subjektive, sepse bëhet fjalë për muzikë dhe gjithçka bazohet në opinionet dhe shijet individuale, por disa gjëra nuk janë të pranueshme. Nuk dua ta shqetësoj këtë grua dhe artiste të jashtëzakonshme, por Beyonce ka fituar më së shumti çmime ‘Grammy’ në historinë e muzikës, por asnjëherë nuk është vlerësuar në kategorinë ‘Albumi më i mirë’. Kjo nuk është e mundur. Mendojeni mirë. Fiton më së shumti ‘Grammy’, por nuk e fiton çmimin ‘Albumi më i mirë i vitit’. Kjo është e pamundur”.
E shquar si mbrëmja më e madhe e muzikës, çmimet “Grammy” janë më prestigjiozet në këtë industri.
Ylli me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa, ishte ajo e cila e hapi edicionin e 66-të të ngjarjes, me një performancë elektrizuese të disa prej hiteve më të pëlqyera nga publiku, përfshirë këtu edhe kolonën zanore të filmit “Barbie”, “Dance the Night”. Megjithëse me këtë këngë ishte nominuar në dy kategori të mbrëmjes, ajo nuk morri asnjë çmim. Megjithëkëtë, vëmendje të madhe mori për paraqitjen mbi qilim të kuq, dhe interpretimin në skena e shoqëruar nga valltarët e saj.
Në një deklaratë dhënë për “Associated Press” para fillimit të ceremonisë, Lipa u shpreh: “Pikë së pari, mendoj se është e mrekullueshme të shohësh kaq shumë gra të jashtëzakonshme të nominuara. Nuk e di. Mendoj se ajo çfarë duam është një vend i barabartë në industri dhe të na shikojnë në nivele të barabarta, jo vetëm në anën kreative por edhe në atë të biznesit. Prandaj shpresoj që barazia në industri do t’i nivelizojë pak gjërat. Mendoj se ende jemi duke i qartësuar gjërat, por po arrijmë atje ngadalë”.
Në mesin e artistëve të tjerë që performuar gjatë mbrëmjes ishin edhe, Olivia Rodrigo, Billie Eilish, Burna Boy dhe Travis Scott. Por paraqitjet e dy legjendave të muzikës eklipsuan yjet e rinj, e ata ishin Tracy Chapman dhe Luke Combs.
Chapman ka bërë paraqitje të rralla në publik prej kur u pensionua nga muzika në vitin 2009. Por të dielën ajo solli emocion në skenë kur e shoqëroi këngëtarin e muzikës country, Luke Combs, dhe së bashku e interpretuan hitin “Fast Car”.
Edicioni i 66-të i ceremonisë “Grammy” u mbajt në arenën “Crypto” në Los Angeles. Mbrëmja u drejtua nga aktori dhe komediani i njohur, Trevor Noah.
(Marrë nga BBC, përktheu Edona Binaku)