Kulturë

“Tasi i zbrazur” i jep formë qeramikës për artin e ndërgjegjësimit

“Tasi i zbrazur” i jep formë qeramikës për artin e ndërgjegjësimit

Shumë nga kompozicionet e qeramikës në ekspozitën “Empty Bowl” shpërfaqin botët unike të pikturuara nga ëndrrat, synimet e aspiratat e autorëve. Në njërën nga to portretizohet bota dhe kaosi i cili e karakterizon atë së fundi, aty gjëllin lufta për t’u dëgjuar

Laura Sllamniku - Kryeziu, nëpërmjet një versioni pak më ndryshe, me “Tasin e zbrazur” të saj i jep zë një “lufte” tjetër. Boshti i ekspozitës – e cila është iniciuar nga vetë artistja – është ofrimi i mundësive për njohjen me artin e qeramikës për grupe pjesëmarrëse nga organizatat joqeveritare “SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës”, “Handikos” dhe “Autizmi”. Në studion e saj “Ura” në kryeqytet, artistja për muaj me radhë mirëpriti 60 pjesëmarrës të cilët i angazhoi në një aktivitet që i njoftoi ata me qeramikën si dimension artistik

Në vitin 1990, John Harton, mësues i artit nga Michigan do të ndërmerrte një nismë krejt të veçantë. E titulli “Empty Bowl” (Tasi i zbrazur) dhe motivi kryesor i tij kishte qenë që nëpërmjet artit të ngrinte ndërgjegjësimin mbi urinë si problematikë ndër njerëz. Ky projekt do të realizohej bazuar në një proces i cili përfshin krijimin dhe dhurimin e tasave prej qeramike të punuara me dorë nga artistë dhe vullnetarë lokalë, të cilët më pas përdoren në një aktivitet komunitar i cili në qendër ka ushqimin.

Ndërkaq pjesëmarrësit në atë mblodhi kishin mundësinë që të merrnin me vete dhe vetë tasat nga të cilët ishin ushqyer, si shenjë për mbamendje për luftën e vazhdueshme kundër urisë. 

Pikërisht inspiruar nga kjo ide artistja e qeramikës Laura Sllamniku- Kryeziu, nëpërmjet një versioni pak më ndryshe, me “Tasin e zbrazur” të saj ajo i jep zë një “lufte” tjetër. Boshti i ekspozitës – e cila është iniciuar nga vetë artistja – është ofrimi i mundësive për njohjen me artin e qeramikës për grupe pjesëmarrëse nga organizatat joqeveritare “SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës”, “Handikos” dhe “Autizmi”.  Në studion e saj “Ura” në kryeqytet, artistja për muaj me radhë mirëpriti 60 pjesëmarrës të cilët i angazhoi në një aktivitet që i njoftoi ata me qeramikën si dimension artistik. 

Aftësimi dhe inkuadrimi i pjesëmarrësve nga grupet e këtyre organizata në artin e qeramikës, kishte qenë qëllimi kryesor i projektit. Ndërkaq kjo eksperiencë e parë do të jetë dhe si cytje për ta që në të ardhmen të zgjerohen dhe më tutje në këtë veprimtari. 

Studioja e artistes Sllamniku-Kryeziu këtë radhë krahas krijimeve të saja, pjesën më të madhe ekspozuese e kanë zënë kompozicionet e murit, tasat, filxhanët, enët dhe krijimet e tjera nga pjesëmarrësit në projektin “Empty Bowl”. Motivet: secili më unike se tjetri, secila botë më vete.

Pasqyronte emocionet dhe përvojën personale të secilit autor. Edhe pse dallojnë shumë nga stilet duke filluar nga lulet, kafshët, objektet e detajet e ndryshme të personalizuara, ato në bashkohen në një mesazh – sensibilizmin e shoqërisë në përkrahje të tyre. 

Hapjes zyrtare të ekspozitës i kanë paraprirë fjalimet.  

Nezahat Ramadani-Salihu, drejtoreshë nacionale e “SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë”, ka shprehur mirënjohjen për këtë iniciativë teksa ka bërë thirrje për mbështetje.

“Përmes këtij aktiviteti jo që janë zhvilluar shkathtësitë e fëmijëve, por u ka ndihmuar dhe në shëndetin e tyre mendor dhe aftësimin e tyre për të krijuar diçka të bukur. Ne shpresojmë që përmes këtyre punimeve në të ardhmen njerëzit të kenë mundësinë t’i blejnë ato dhe t’i ndihmojnë fëmijët që kanë nevojë”, ka thënë ajo. 

Mimoza Bytyqi-Rrahmani, drejtoreshë e HANDIKOS-it ka thënë se ky aktivitet risjell në mendje realitetin që këta njerëz e jetojnë dhe nevojën për sensibilizimin e masës. 

“Ky aktivitet përveçse me dhanë dije dhe mundësi me shpreh kreativitetin, ka qenë dhe mënyrë e mirë për relaksim, me pasë një terapi e cila në vazhdimësi po tregohet që është njëra prej mënyrave më të mira që njerëzit me e gjetë veten. Këto punime shfaqen si shumë intime, tregojnë se si akoma ne nuk po mundemi me u shkëputë nga realiteti i brendshëm”, ka thënë Bytyqi-Rrahmani. 

Iniciativat që përdorin artin si një mjet për rritjen e ndërgjegjësimit për grupet e margjinalizuara nuk janë vetëm përpjekje, në fakt ato shërbejnë si dëshmi e një aktivizmi i cili shkon përtej “gjërave të thëna” 

Shumë nga kompozicionet e qeramaikës në ekspozitën “Empty Bowl” shpërfaqin botët unike të pikturuara nga ëndrrat, synimet e aspiratat e autorëve. Në njërën nga to portretizohet bota dhe kaosi i cili e karakterizon atë së fundi, aty gjëllin lufta për t’u dëgjuar. Në të tjerat zënë vend dhe detaje nga hobi të ndryshme si fusha e futbollit e horizontet plot shpresë. Të gjitha këto evidentojnë dhe fuqinë shprehëse që ka arti. Me të duar brendia e individit zë fill e artikulohet lehtazi, del burimore dhe përçon mesazhe të sinqerta. 

Për Mjellma Lumën, specialiste e monitorimit dhe evaluimit në “SOS Fshatrat e Kosovës”, në ekspozitë kjo fuqi e artit pasqyrohet me qartësi.

“Arti është një mjet i fuqishëm që shërben në integrimin social, është njëra prej formave më të mira dhe më të fuqishme që ekziston sepse përmes tij, fëmijët dhe të rinjtë, por dhe të tjerë që ndihen të margjinalizuar mund t’i japin zë dhe forcë vetës së tyre. Dhe në anën tjetër arti mundet të ndikojë që ata ta fitojnë ndjenjën e përkatësisë. Jam shumë e lumtur që fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë dhe marrin shërbime nga SOS Fshatrat e Fëmijëve, kishin mundësinë që të jenë pjesë e këtij projekti”, ka thënë Luma në një prononcim për KOHËN.  

Për vetë iniciatoren prapa kësaj ideje, artisten Laura Sllamniku-Kryeziun ky projekt, i cili kishte zgjatur disa muaj kishte shfaqur talentin e shumë pjesëmarrësve. E kjo ekspozitë synohet të jetë vetëm shkalla e parë e rrugëtimit të tyre me qeramikën. 

“Si nga grupi prej SOS Fshatrave ashtu edhe nga grupi i HANDIKOS-it kemi zbuluar shumë persona kreativë dhe të zotë në shprehje, andaj më vjen shumë mirë që ata kanë arritur sukses. Dëshmia e kreativitetit të tyre shihet në punët e tyre, ata e kanë ndërtuar këtë ekspozitë”, ka thënë ajo. 

Ekspozita “Empty Bowl” vjen si projekt i financuar nga kompani vendore ndërkaq ka marrë dhe miratimin nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Iniciativat që përdorin artin si një mjet për rritjen e ndërgjegjësimit për grupet e margjinalizuara, nuk janë vetëm përpjekje, në fakt ato shërbejnë si dëshmi e një aktivizmi i cili shkon përtej “gjërave të thëna”. 

Nëpërmjet optikës së artit, këto iniciativa shpërbëjnë barrierat e keqkuptimit dhe indiferencës, gërshetojnë disa narrativa që rezonojnë thellë me njerëzimin. Thërrasin zëshëm se çdo individ, pavarësisht nga rrethanat apo kushtet, meriton të jetë i dukshëm, të kuptohet dhe të jetë pjesë e të përbashkëtës. Hapin rrugë për një botë ku pranimi dhe mbështetja janë normë, jo vetëm përpjekje, mëtojnë të ndezin ndërgjegjen kolektive që kumbon përtej ngjyrave e motiveve në qeramikë.