Takimi me të mrekullueshmen nuk është gjithherë as i lehtë e as i rastësishëm. I tillë është edhe takimi me diellin, nga Maja e Lybetenit, në mëngjesin e 2 gushtit. Një mrekulli që përsëritet çdo vit si fenomen natyror, e që ka mijëra vjet që është kthyer në ritual. Rituali në Lybeten lidhet me festën tradicionale të Aligjynit, që merret si mesi i verës, shkruan sot Koha Ditore.
E dëgjonim me qejf profesorin Shemsi Krasniqi tek na fliste në tavolinë, në Prishtinë, nën shoqërinë e ndonjë espressoje a limonade, për udhëtimet e tij observuese drejt Lybetenit. Kishim kënaqësi edhe kur e dëgjonim në ndonjë ligjëratë të tij, kur lexonim ndonjë punim shkencor apo kur shihnim fotografitë që sillte nga këto ekspozita, disa prej të cilave do t’i prezantonte edhe në ekspozitën “ArTerren”, që qe hapur në Prishtinë e ka shëtitur gjithandej. Aktualisht rri e hapur në Paris, në ambientet e Ambasadës së Kosovës atje.
Kishim bërë llaf që do t’i bashkoheshim në ndonjërën prej herëve, por ishte prej atyre llafeve “sa mirë do të ishte sikur të ndodhte”. Mbyllej bashkë me harxhimin e kafesë në filxhan.
Në një ndejë të zakonshme në njërën prej kafeneve poshtë Fakultetit Filozofik, në një ditë me diell fundkorriku, profesori Krasniqi e hapi sërish muhabetin e Lybetenit. Na tregoi se sa e rëndësishme për të është ngjitja e këtij viti, që do të ishte e dhjeta herë e tij, derisa do të përthekonte, siç thotë ai, dytriadën e fotografimit të lindjes së diellit: 2007-2017, 2008-2018 dhe 2009-2019. Krahas observimit etnologjik që i bën profesori kësaj feste dhe këtij rituali, ai ka edhe pasionin artistik. Fotografitë artistike të cilat ia ka bërë çastit të lindjes së diellit prej atje, në ditën e njëjtë nëpër vite të ndryshme, faktikisht edhe në dekada të ndryshme, paraqesin një vlerë dhe kuriozitet të veçantë. Prandaj, na e tha edhe se sa dëshirë do të kishte që t’i bashkoheshim, sigurisht sa për të bërë edhe një muhabet rutine të kafenesë. Por nuk do të ishte njësoj. Hasnije Ilazi, Bekim Baliqi, Arsim Canolli, Ardian Gola, Adem Beha, Albert Mecini dhe unë, të gjithë kolegë nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, do të thoshim “po”, që do të na obligonte t’i qëndronim prapa. Më nuk flitej nëse do të shkonim, por si do shkonim, çfarë duhej marrë me vete e si të organizoheshim.
Pasditen e 1 gushtit, dy vetura pak më të larta, të përshtatshme për terrenin e vështirë në një pjesë të rrugës do të duhej të jenë gati në parkingun e Fakultetit. Rreth orës 17:00 nisemi drejt jugut, nëpër tollovinë mbytëse të Prishtinës, për të dalë në autostradat milionëshe.
Me pushime për kafe e ushqim të përshtatshëm për ecje në bjeshkë, me debate serioze e me humor i japim lamtumirën diellit që e shohim tek perëndon, për t’u rishfaqur madhërishëm mëngjesin e nesërm.
(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)