Duke rrëmihur në koleksionet e galerive simotra, në Tiranë e Prishtinë, dhjetëra vepra janë përzgjedhur për të shkoqitur trajektoren e arteve pamore në botën shqiptare, prej pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot. Ekspozita “Synime” – me kuratore Adela Demetjen dhe Erëmirë Krasniqin – përmes 48 veprave shqyrton nga afër regjimet estetike që diktuan prodhimin dhe shprehjet artistike si dhe vendin e gruas në to. “Ekspozita ‘Synime’ ka si qëllim të japë një kontribut në diskutimet feministe lokale, në vend që të shërbejë si një qëllim në vete”, thuhet në tekstin kuratorial që ka shoqëruar ekspozitën
Me qindra mund të kenë qenë portretimet e punëtoreve të santifikuara si heroina në moralin komunist. Megjithatë, një tablo me përmasat 111.5 x 66.3 centimetra, e quajtur “Aksionistja”, bën një shkëputje në dukje të pavërejtshme nga uniformiteti i artit socrealist. Lumturi Blloshmi, artistja e dalë nga liceu “Jordan Misja”, do ta bënte një lloj “selfie” të kohës. Me prapavijën e një shpati që lëshohej pingul në det, me tarracat si orizore kineze, Blloshmi pikturoi veten si aksioniste me shaminë lidhur krahëqafë dhe me lopatën në dorë.
E nxjerrë nga Fondi Artistik i Galerisë Kombëtare të Kosovës, kjo është vetëm një nga 48 veprat e vargisura në ekspozitën “Synime”, një tribut për krijueset femra, nën kurimin e Adela Demetjes dhe Erëmirë Krasniqit.
E hapur në paraditen e së premtes në mjediset e GKK-së, si fryt i bashkëpunimit me Galerinë simotër në Tiranë, ashtu sikundër edhe ministrive të Kulturës, ky shpalim veprash vë në pah pozicionet artistike dhe metodologjitë individuale të grave artiste në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.
Siç është emfazuar në tekstin kuratorial, me synimin për të zgjeruar historitë e grave në art, ekspozita shqyrton terrene të reja kritike për të ripërvetësuar dhe ripërfytyruar subjektivitetin e grave në historinë e artit.
Dy artistet kuratore, Adela Demetja dhe Erëmirë Krasniqi, janë shprehur të vetëdijshme për vendndodhjet e shumta në të cilat agjencia e grave është formuar, si dhe kontekstin politik dhe kulturor në të cilin punët e tyre janë kuptimësuar.
“Të vetëdijshme që esencializmat gjinorë shpërndajnë dhe fiksojnë koncepte kulturore, duke përcaktuar çfarë gratë janë dhe çfarë ato mund të arrijnë, jemi në kërkim të rrëfimeve jo-njësuese të grave, metodologjive individuale, dhe pozicionimeve artistike që zbërthejnë, por edhe i ripërfshijnë ato në narrativet historike të arteve pamore”, thuhet në përshkrimin kuratorial.
E mbështetur në një hulumtim të thelluar mbi artin dhe kulturën në koleksionet e dy galerive në Prishtinë dhe Tiranë, në hapësiën dykatëshe janë shpalosur vepra nga artistet Silva Agostini, Brigita Antoni, Alma Bakiaj, Lumturi Blloshmi, Lirije Buliqi, Liljana Çefa, Donika Çina, Flaka Haliti, Blerta Hoçia, Majlinda Hoxha, Shpresa Faqi, Fitore Isufi – Koja, Ledia Kostandini, Edona Kryeziu, Hyrije Krypa, Iva Lulashi, Diana Miziri, Silvi Naçi, Matilda Odobashi, Greta Pllana, Edit Pula, Nurhan Qehaja, Alketa Ramaj, Miradije Ramiqi, Anila Rubiku, Merita Selimi, Marina Sula, Eli Xoxa, Alije Vokshi, Alketa Xhafa-Mripa, Rudina Xhaferi, Violeta Xhaferi, Sofia Zengo Papadhimitri, Androniqi Zengo Antoniu dhe Valbona Zherka.
Mes kohëve e konteksteve

I veçantë, në mesin e veprave artistike, qëndronte edhe instilacioni i artistes tiranase, Donika Çina, i përbërë nga 45 zarfe të llakuar, po aq objekte, letra A4, fotografi dhe 23 shënimthe. Kjo vepër, e titulluar “Ana A”, ishte konceptuar për t’i dhënë secilit personazh fizikalitet dhe palëvizshmëri, ndërkohë që imazhi lëvizës lundron midis historisë e të dhënave zyrtare dhe asaj që është kujtesa dhe shënimet personale.
Bri saj ngacmonin vëmendje edhe katër fotografitë e Majlinda Hoxhës “N’tandem”. Të bëra më 2012, fotografitë paraqesin peizazhe, monumente, bunkerë e tenda, nga veriu në jug, mes të cilëve ndërhyjnë trupa lakuriq femrash “që sjellin më pranë një të kaluar të neglizhuar që i mungojnë citatet fizike”.
Në një mënyrë krejt të përkundërt nga ana përmbajtjesore qëndronte edhe vepra e vitit 1974 “Fatosat në muze” e piktores Liljana Çefa. Plot tre muaj kishte punuar artistja shkodrane për krijimin e kësaj vepre ku paraqiten vocërrakë të klasës së parë që vizitojnë pavionin e asaj që njihej si “luftë nacionalçlirimtare”.
“Tabloja paraqet një moment interesant në përballjen me historinë dhe mënyrën se si ajo përcillet dhe në të njëjtën kohë i shërben krijimit të kujtesës kolektive”, thuhet në tekstin kuratorial të veprave të ekspozitës.
Duke shëtitur nga vepra në vepër edhe ajo e artistes Alketa Xhafa-Mripa ngacmonte vëmendje. E bërë më 2013, “Mum, Am I Barbarian” është një fotografi me ngjyra që paraqet një grua që i jep gji fëmijës së vet. Artistja e kishte projektuar veten në qendër të një hapësire tradicionalisht mashkullore ku bashkëveprojnë një sërë rolesh të mundshme të standardizuara.
“Kjo sfidë vizuale paraqitet përballë një kornize të deritanishme historike të konceptit të barbarisë, duke lënë të kuptohet atë që një imazh i tillë dhe konotacionet e tij e reflektojnë kur vendosen në konceptin e sotëm”.
Krasniqi: “Që të prodhohen më shumë ide”
Kuratorja Erëmirë Krasniqi, ka treguar për rrugëtimin njëvjeçar të ekspozitës, e cila kishte nisur pas një ftese të Erzen Shkolollit, drejtor i Galerisë Kombëtare në Tiranë, për të hulumtuar se sa përfaqësohen kulturalisht gratë nëpër ekspozita.
“Është e rëndësishme që secila artiste të shpalosë punën e saj, por të mos jetë vetëm prezantim. Ideja është për të krijuar më shumë ide”, ka thënë kuratorja Krasniqi në një prononcim për KOHËN.
Me mëtimin për të dhënë kontribut në diskutimet lokale për feminizmin, “Synime” është shkoqitur në katër struktura konceptuale: “Arkivat e trupit”, “Gramatika e kujtesës”, “Anakronizma të vullnetshëm” dhe “Përmbledhje poetike”.
Me këtë rast, kuratorja Krasniqi është ndalur edhe te “Aksionistja” e Lumturi Blloshmit që, sipas saj, jep një anë tjetër të jetës nën komunizëm.
“Asokohe bëhej propagandë për të qenit punëtor, madje propagandë e fortë, por në terren nuk është se kishte shumë emancipim për gruan”, ka thënë Krasniqi.
Demetja: “Nxitje për kuratorë e artistë”
Kuratorja tjetër, Adela Demetja, ka folur edhe për ato vepra që reflektojnë një anë të artit dhe jetës socialiste në Shqipërinë e para viteve ’90. Sipas saj, koncepti paraprak i ekspozitës nuk e ka pasur synimin përqendrimin në këtë dimension.
“Meqë punuam në koleksionet e të dyja galerive tona, atëherë deshëm që pjesë e ekspozitës të jenë edhe vepra të artit socialist në Shqipëri”, ka thënë Demetja.
Duke folur për ekspozitën në tërësi, ajo ka vlerësuar se veprat paraqesin gra në realitete të ndryshme, por në të njëjtën kohë edhe shpalosen me qëllime për të nxitur më shumë debate për gratë artiste.
“Ekspozita paraqet punë kërkimore dhe këtë e shohim si hap të parë që të ndërmerren nisma nga kuratorë e artistë për të sjellë variante të këtyre realiteteve”, ka shtuar Demetja.
Rinegocim konstruktesh gjinore
Ndryshe ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 30 qershor në GKK, po vlerësohet si mundësi për diskutim të veprave të prodhura nga gratë dhe kontekstet e pas Luftës së Dytë Botërore.
Sipas kuratoreve, ekspozita shqyrton nga afër kushtet dhe regjimet estetike që kanë diktuar prodhimin dhe shprehjet artistike si dhe vendin e gruas në të.
“‘Synime” paraqet pamje të praktikave të ndërthurura e të mbivendosura dhe diskutime mjaft të ndërlikuara për t’iu përmbajtur një narrative lineare. Për të evituar grackën e historizimit linear, ekspozita nuk ndjek një rend kronologjik. Në vend të kësaj, rrëfimi ndjek rrjedhën jolineare të praktikave të artit të grave. Synimi individual ishe një ndër strukturat kryesore që mbështeti gratë, dhe i pozicionoi ato brenda botës së artit. Ndërkohë që përpjekja e tyre ndihmoi në hapjen e fushë së artit dhe kulturës për praktikuese të tjera”, thuhet në tekstin kuratorial.
Gjithnjë sipas autoreve, jo të gjitha punimet e përzgjedhura rrjedhin nga një kontekst feminist, porse shumë sosh ndërthuren me mendimin feminist duke problematizuar rendin patriarkal. “Përmes një praktike fleksible dhe të vetëdijshme, ato tregojnë përkushtim për të rinegociuar konstruktet gjinore shoqërore dhe paraqesin mundësi të shumta për të ardhmet e grave në art”.