Kulturë

“Symptoms of Society” adreson në Kinë pyetje për historinë dhe artin e Ballkanit

Pyetje mbi shoqërinë bashkëkohore të Ballkanit janë ngritur përmes veprave të artistëve prej gjeneratave, shteteve dhe mediumeve të ndryshme, duke u fokusuar në historitë, sistemin dhe zhvillimet urbanistike.

Vepra nga 30 artistë janë bërë së bashku në një ekspozitë kolektive. Në mesin e tyre janë përfshirë edhe pesë artistë shqiptarë. “Symptoms of Society” është titulli i ekspozitës së hapur në qytetin Hanzhou të Kinës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Muzeu “Zhejiang Art Museum” është bërë nikoqir i një game të madhe të veprave bashkëkohore, nga disa prej artistëve më të njohur të shteteve të rajonit, por edhe të artistëve që janë në ngritje. Sislej Xhafa, Flaka Haliti, Anri Sala, Adrian Paci dhe Alban Muja janë pesë artistët, veprat e të cilëve janë ekspozuar krahas atyre të Marina Abramoviqit dhe Ulayit, Maja Bajeviqit, Luchezar Boyadjievit, Jasmina Cibicit, Nemanja Cvijanoviqit, Lana Çmajçaninit, Braco Dimitrijeviqit, Milica Tomiqit e të tjerë. Kuratore e kësaj ekspozite është Alekna Gregoriq.

Ekspozita, e cila prezanton më shumë se 30 artistë nga rajoni, është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Republikës së Sllovenisë dhe Ambasadës së Sllovenisë në Pekin”, shkruhet në përshkrimin e kuratores për ekspozitën e cila po qëndron e hapur në muzeun “Zhejiang Art Museum”. Ky muze ka 14 salla të ekspozimit me madhësi të ndryshme, duke përfshirë edhe 6 të tjera me kushte atmosferike specifike për lloje të ndryshme të ekspozitave.

Sipas Alban Mujës, pjesëmarrja në këtë ekspozitë është shumë e rëndësishme, për faktin se mbledh artistë të mëdhenj në një vend... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.