Kulturë

“Sunny Hill” me 16.9 hektarë për 99 vjet në Bërnicë, zotohet për 6 milionë investim

Dhënia e tokës për 99 vjet në Bërnicë të Poshtme për festivalin “Sunny Hill”, që nxiti përplasje midis pushtetit lokal e qendror, ka mbetur e pandryshuar në kontratën midis Komunës së Prishtinë dhe “Sunny Hill sh.p.k.”. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka nënshkruar kontratën bazuar në vendimin që nuk e ka kaluar shqyrtimin e ligjshmërisë. Punimet kanë nisur, datat e festivalit janë caktuar e ata që dy vjet më parë e kundërshtuan veçmas për 99-vjetëshin nuk dinë gjë

Ekskavatorët janë duke e bërë gati hapësirën që në fund të korrikut pret të mbushet me mijëra adhurues të muzikës. Pas një viti pauzë festivali “Sunny Hill” do të kthehet, por tash në tjetër lokacion: në Bërnicë të Poshtme, fshat në periferi të kryeqytetit. Kompanisë “Sunny Hill sh.p.k.” këtë ia ka mundësuar një kontratë e lidhur me Komunën e Prishtinës. Shfrytëzim deri në 99 vjet të 16.9 hektarëve, investim prej 6.6 milionë eurosh në pesë vjet nga kompania e mundësia që Komuna ta shfrytëzojë hapësirën jokomercialisht deri në 60 ditë në vit janë pikat kryesore të marrëveshjes.

Kontrata që ka mbyllur një histori të gjatë negociatash e përplasjesh është lidhur midis kryetarit të Komunës, Përparim Rama, dhe Dukagjin Lipës, si përfaqësues i kompanisë “Sunny Hill sh.p.k”.

Por kjo marrëveshje është bërë pa shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit Komunal ku edhe bazohet. 99-vjetëshi i dhënies së parcelave ka mbetur i pandryshuar ani pse pikërisht për këtë pikë qe bërë bujë dy vjet më parë. Pikërisht për këtë asokohe s’e kaloi ligjshmërinë. Tash, edhe ata që e kundërshtuan nuk dinë gjë për detajet e kontratës.

Pikat e përplasjeve, sërish në kontratë

Janë dy parcela me nga 14 dhe 2.9 hektarë pronë e Komunës së Prishtinës që i janë dhënë në shfrytëzim për 99 vjet kompanisë, e cila organizon festivalin “Sunny Hill”. Me qasje shumë të lehtë në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, hapësira është duke u bërë gati për edicionin e sivjetmë që në fundjavë u paralajmërua se do të mbahet në fund të korrikut. Sipas kontratës për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës, kompania si vlerë minimale të investimit për pesë vjet do të ketë shumën prej 6 milionë e 691 mijë eurosh. Sipas kontratës së protokolluar më 15 shkurt të vitit të kaluar “Sunny Hill sh.p.k” përveç organizimit të festivalit mund të zhvillojë edhe aktivitete të tjera brenda pronës.

“’The Sunny Hill sh.p.k’ është e obliguar që gjatë një viti kalendarik, deri në 60 ditë, t’ia lërë në dispozicion Komunës së Prishtinës pronën e paluajtshme të dhënë në shfrytëzim për të organizimin e eventeve...”, shkruhet në nenin 5 të kontratës. Sipas këtij dokumenti që KOHA e ka siguruar nëpërmjet qasjes në dokumente publike, primar është kalendari i aktiviteteve të kompanisë, i cili duhet të bëhet publik deri më 31 janar dhe aktivitetet e Komunës nuk mund të mbahen 40 ditë para dhe 20 ditë pas festivalit. Komuna nuk ka të drejtë që të ketë bileta në organizimet e saja dhe ngjarjet nuk mund të kenë mbi 3 mijë veta. Po ashtu Komuna mund të organizojë ngjarje të muzikës klasike, asaj jazz dhe jo festivale që mund t’i bëjnë konkurrencë festivalit “Suny Hill”.

“Tridhjetë (30%) e profitit nga të hyrat e aktiviteteve të tjera të organizuara nga ‘The Sunny Hill sh.p.k’ do t’i takojnë Komunës së Prishtinës”, shkruhet në kontratë. Sipas marrëveshjes, nëse festivali nuk organizohet tre vjet rresht, prona i kthehet në shfrytëzim Komunës. Po ashtu në marrëveshje është cekur se kontrata obligativisht do të vlerësohet në pajtim me strategjinë e zhvillimit të kryeqytetit dhe e njëjta mund të ripërtërihet çdo 25 vjet. Sipas kësaj ujdie, kompania që ka pronën në shfrytëzim i raporton Komunës dy herë në vit përderisa nuk mund ta vendosë në hipotekë pronën e paluajtshme të Komunës. Për shumicën prej këtyre pikave, kur festivali u anulua më 2022 për t’u rikthyer disa ditë më pas, kishte përplasje.

Nënshkrim pa miratimin e ligjshmërisë

Në vitin 2022 qe bërë zhurmë e madhe kur organizatorët e festivalit shkaku i mosmarrëveshjes me institucionin paralajmëruan mosmbajtjen e edicionit të atij viti e edhe zhvendosjen në Tiranë. Pushteti lokal me atë qendror qenë akuzuar mes vete shkaku i ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit të Komunës për dhënien e pronës në shfrytëzim. Më pas festivali po atë vit mbajti edicionin në Gërmi sikurse në vitet paraprake. Po ashtu një tjetër edicion në Tiranë. Kurse vjet “Sunny Hill” njoftoi se nuk do të ketë edicion pasi po bëhen gati për vitin 2024.

Por, telashet midis pushtetit qendror dhe atij lokal mbesin të njëjtat. Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, vendimet e Kuvendit të komunave i dërgohen Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për shqyrtimin e ligjshmërisë. Vendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës i 15 majit të vitit 2022 nuk e kishte kaluar shqyrtimin e ligjshmërisë nga MAPL-ja. Ministria kishte kërkuar të dhëna shtesë. Për pasojë nuk ishte lidhur kontrata për shfrytëzim të pronës. Por më 2023, bazuar në po të njëjtin vendim të Kuvendit Komunal, të cilit nuk i është miratuar ligjshmëria, kryetari Përparim Rama ka nënshkruar kontratën me “Sunny Hill sh.p.k”.

MAPL: “Kryetari i Komunës së Prishtinës nuk i është përgjigjur shkresës së ministrit”

KOHA për këtë çështje ka kërkuar sqarim nga MAPL-ja. Sipas këtij institucioni, ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, përmes shkresës së 10.6.2022, i është drejtuar kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ku ka kërkuar që të rishqyrtohet afati për dhënien e pronës së Komunës për “The Sunny Hill” SHPK, por nuk kanë pranuar ndonjë përgjigje nga Komuna e Prishtinës.

“Duke pasur parasysh se kryetari i Komunës së Prishtinës nuk i është përgjigjur shkresës së ministrit dhe nga deklarimi publik është kuptuar se ‘The Sunny Hill’ SHPK është tërhequr nga festivali, ne si Ministri e kemi pezulluar procesin sa i përket vlerësimit të ligjshmërisë së vendimit nr. 01-463/01-104027/22, të datës 15.5.2022”, shkruhet në përgjigjen e MAPL-së.

Kur kishin shpërthyer akuzat midis pushtetit dhe opozitës në Komunë, njëri prej më të zëshmëve ishte shefi i këshilltarëve të Vetëvendosjes në Kuvendin e Komunës, Gëzim Sveçla.

Ai ka thënë se nuk janë në dijeni që kryetari Rama ka arritur një marrëveshje për shkak se vlerësojnë se kjo çështje akoma ka mbetur midis MAPL-së dhe Komunës së Prishtinës.

“Nuk e ka kaluar ligjshmërinë dhe kjo është arsyeja se atë vit që është marrë vendim në Kuvend, festivali është mbajtur në ‘Gërmi’. Vitin e kaluar nuk është mbajtur fare. Ne mendojmë se kjo çështje akoma nuk i ka kaluar çështjet ligjore dhe mbetet të diskutohet ndërmjet institucioneve të nivelit qendror, konkretisht MAPL-së dhe Komunës së Prishtinës”, ka thënë Sveçla. Sipas tij, nënshkrimi i kontratës është vazhdimësi e një qeverisjeje jo të mirë në kryeqytet.

“Kjo i bie vazhdimësi e veprimeve të kësaj qeverisjeje në krye me zotin Rama, që nuk qan kokën fort për vendimet e nivelit qendror e vendime të nivelit të drejtësisë. Do të thotë se ai punon krye më vete dhe shpërfaq më së miri mendësinë e cila qeveris në Komunën e Prishtinës”, ka thënë ai. Më 2022, në debatin publik për këtë çështje ishte përfshirë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Ai ka thënë se në atë kohë ka qenë vetëm një përpjekje e përbashkët dhe ai ka qenë njëri nga ata që është munduar ta siguronte vazhdimësinë e “Sunny Hill” në Prishtinë dhe për këtë synim të arritur është i lumtur.

“Por, nuk kemi ndonjë komunikim as ndonjë informacion në lidhje me edicionin e ardhshëm dhe nuk mund të komentoj pasi nuk e di çfarë marrëveshjeje është lidhur midis ‘Sunny Hill’ dhe Komunës së Prishtinës”, ka thënë ai.

Komuna e Prishtinës nuk është përgjigjur rreth asaj se përse ka lidhur kontratë pa e kaluar shqyrtimin e ligjshmërisë dhe cili është interesi publik në lidhjen e kontratës.

Kurse vitin e kaluar stafi i “Sunny Hill”-it i kishte thënë KOHËS se pas përfundimit të festivalit kjo hapësirë do të shërbejë edhe si park publik i kryeqytetit për argëtim dhe rekreacion, gjatë gjithë vitit, për të gjithë qytetarët.

“Ky do të jetë investim i plotë i bërë nga ‘Sunny Hill’ në shërbim të qytetit tonë dhe vendbanim i përhershëm i festivalit”, shkruhet në përgjigje. Sipas stafit, marrëveshja ishte arritur “me autoritetet përkatëse dhe janë marrë parasysh të gjitha komentet dhe kërkesat e të gjitha palëve”.

“Festivali tashmë i ka finalizuar të gjitha planet për fillimin e punimeve dhe tani do të fillojnë punimet me dinamikë të shtuar për ta arritur edicionin e ri në një hapësirë të re dhe të gatshme për edicionin e ri dhe të jashtëzakonshëm të ‘Sunny Hill Festival 2024’”, shkruhet në përgjigje. Sipas tyre, tashmë të gjitha palët e kuptojnë dhe pajtohen që “Sunny Hill” e ka krijuar platformën më të rëndësishme të promovimit të turizmit kulturor në Kosovë, ka ndikim të jashtëzakonshëm në përmirësimin e imazhit të shtetit në botë, si dhe krijon dobi të drejtpërdrejtë ekonomike për kryeqytetin dhe vendin në përgjithësi.

“Prandaj, përveç tejkalimit të kundërshtimeve nga cilado palë, ne kemi nevojë për mbështetje edhe më të madhe, në mënyrë që ta arrijmë potencialin tonë të plotë – për t’u shndërruar në një ndër festivalet më të mëdha në Evropën Juglindore dhe për ta rikonfirmuar që ‘Sunny Hill Festival’ në Prishtinë është destinacioni që nuk duhet humbur gjatë verës së çdo viti”, shkruhet në përgjigje.

Javën e kaluar KOHA ka qenë te hapësira ku po bëhen punimet. Por, stafi ka thënë se aktualisht nuk kanë asgjë për të prezantuar dhe mbesin prapa asaj që kanë deklaruar vitin e kaluar. Ndërkohë ditë më pas janë bërë të ditura datat e edicionit të sivjetmë, që janë prej 25 deri më 28 korrik.