Për pak vjet, “Sunny Hill Festival” është bërë si një nga ngjarjet kryesore që Prishtinën dhe Kosovën e vendosin në kalendarin e eventeve të njohura kulturore në Evropë dhe botë. Ajo çka nisi si dashuri për Prishtinën nga pop-këngëtarja shqiptare në Britani të Madhe, Dua Lipa, dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, tashmë po krijon edhe identitetin e vet. Si një hap drejt kësaj është vlerësuar edhe vendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës i cili të hënën votoi propozim-vendimin për ndarjen e pronës për shfrytëzim nga “Sunny Hill”. Para se të hidhej në votim, Dukagjin Lipa, në emër të “Sunny Hill Foundation”, ka shpalosur planet e ambiciet për hapësirën e re që do të begatojë kulturalisht kryeqytetin
Me mëtimin që të jetë një prej festivaleve më të mëdha në Evropë, “Sunny Hill” tash e tutje nuk do ta ketë hall çështjen e hapësirës. Me 32 vota për, asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës të hënën kanë miratuar propozim-vendimin që këtij organizimi t’i ndahet prona komunale në Berrnicë të Poshtme afër zonës së panaireve në Shkabaj.
Para se të hidhej në votim në mbledhjen e pestë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, organizatori i Festivalit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa ka shpalosur, bashkë edhe me projeksione grafike, vizionin për zhvillimin e lokalitetit të ri.
Në fjalën e tij para asamblistëve, ai ka thënë se organizatorët po e vazhdojnë traditën e Festivalit i cili ka filluar me forca vetanake.
Duke iu referuar edicionit të parvjetshëm të këtij festivali, Lipa ka bërë me dije se asokohe “98 për qind e hoteleve të Prishtinës dhe të rrethit të saj kanë qenë të zëna”.
“Kjo do të thotë që kemi të hyra shumë të mëdha për gastronominë si dhe për shërbimet e tjera si supermarketet”, ka thënë Lipa, teksa ka përmendur një hulumtim i cili ka bërë me dije se janë sjellë të hyra për kryeqytetin dhe vendin nga 6 deri në 8 milionë euro.
Në vazhdim, përfaqësuesi i “Sunny Hill Foundation” ka folur edhe për çështjen e lokacionit të gjertanishëm të eventit të njohur. Parku Nacional “Gërmia”, sipas tij, është një vend idilik, por aty nuk mund të jenë më shumë se 20 mijë veta. E Bërnica e Poshtme “është një hapësirë që krijon mundësi për të bërë gjëra të mëdha”.
Ai në vijim, ka folur edhe për vizionin që kjo hapësirë të ketë vend për parking, liqen artificial si dhe mbi 300 drunj që do të mbillen brenda tre-katër vjetëve të ardhshme.
“Këtë duam t’ia dhurojmë Prishtinës, duam të kemi një shtëpi tonën, por kur nuk jemi ne aty, hapësira u takon qytetarëve që mund të shkojnë atje njësoj si në Gërmi”, ka shtuar Lipa.
Në minutat në vazhdim, kryesuesi i mbledhjes së Kuvendit Komunal ka vënë në diskutim pikën e dytë të rendit të ditës e që ishte propozim-vendimi për dhënien e pronës së paluajtshme komunale për Festivalin “Sunny Hill”.
Në diskutimin që i parapriu hedhjes në votim, Agim Gashi, në emër të asamblistëve të grupit të LDK-së, ka kërkuar që në marrëveshjen që do të arrihet të specifikohet që edhe Komuna të ketë mundësinë të zhvillojë aktivitete në këtë hapësirë.
“Drejtorisë së Kulturës, por edhe drejtorive të tjera, i mungon hapësira për aktivitete, ndaj do të duhej të merrej parasysh kjo gjatë nënshkrimit të marrëveshjes”, ka thënë asamblisti Gashi.
Në emër të grupit të Vetëvendosjes, asamblistja Nazlie Balaj, ka shprehur mbështetjen e kolegëve të saj për këtë nismë, siç ka thënë ajo, “me shpresën që të organizohen sa më shumë evente të këtij lloji” në Prishtinë.
“E përgëzoj Dukagjinin për donacionet e gjertanishme që po ndikojnë në zhvillimin ekonomik të qytetit tonë, e po ashtu kanë impakt pozitiv për kulturën”, ka shtuar Balaj.
Asambleistja e PSD-së, Vala Peshku ka vlerësuar se ky festival është një prej gjërave më të bukura që po i ndodhin Prishtinës.
“Ky organizim ka nisur në mënyrë vetanake e vetëm nga dashuria për Prishtinën, ndaj është privilegj që të votojmë për një vendim të tillë”.
Asamblisti tjetër nga po kjo parti, Drilon Pireva, teksa e ka cilësuar si projekt shumë të qëlluar, ka kërkuar nga Drejtoria e Pronës që të japë shpjegime për madhësinë e parcelës.
“Ne duhet të qartësohemi se për çka tjetër do të përdoret pjesa tjetër e kësaj hapësire”, ka thënë Pireva teksa ka përkujtuar se kur Komuna i kishte ndarë pronë Universitetit Amerikan, studentët prishtinas nuk kishin ndier ndonjë impakt, as në bursa nga ai vendim.
Asamblisti Sami Boroci, e ka cilësuar si privilegj votimin që “Sunny Hillit” po i jepet një hapësirë më e mirë për shfrytëzim.
“Ky festival është një prej eventeve më të mira që i ndodh vendit tonë, ndaj ne duhet të krijojmë kushte që ky event të bëhet tradicional”, ka thënë Boroci teksa ka përkujtuar se kur Komuna i kishte dhënë Federatës së Futbollit pronën në Hajvali ishte kërkuar që ekzekutivi ta shfrytëzonte këtë infrastrukturë për ekipin lokal.
Ndërkaq asamblistja e pavarur, Fitnete Bejta, ka thënë se i gëzohet faktit që ka njerëz nga Perëndimi që investojnë në kulturën dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Derisa jemi krenarë që po e votojmë një vendim si ky, unë sugjeroj që marrëveshja të jetë sa më e qartë dhe precize ashtu që të mos kemi probleme”.
Edhe drejtori për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, ka vlerësuar se “Sunny Hill” ndikon në imazhin e qytetit. Sipas tij, viteve të kaluara ka pasur për herë të parë artikuj pozitivë për kryeqytetin në media ndërkombëtare.
“Industria e turizmit është e dyta që ndikon në zhvillimin ekonomik të qytetit, ndaj përmes ‘Sunny Hill’ dhe festivaleve të tjera do të ofrojmë të rinj të ndryshëm”, ka thënë Berisha, teksa ka propozuar që të krijohet një grup punues që do të diskutojë saktësisht marrëveshjen me “Sunny Hill Foundation”.
Ndryshe, një marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe “Sunny Hill Festival”, e nënshkruar më 2 shtator të vitit 2019, kishte caktuar Qendrën e Panaireve në Bërnicë si hapësirën e re të festivalit që do të akomodonte mijëra njerëz më shumë nga vendi, rajoni dhe Evropa.
I organizuar nga pop-këngëtarja shqiptare në Britani të Madhe, Dua Lipa, dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, edicioni i parë më 10 gusht 2018, kishte nisur me qëllim të grumbullimit të parave për “Sunny Hill Foundation”.
Performancat e Dua Lipës, Action Bronsonit and Martin Garrixit shënuan historinë e festivalit që, një vit më vonë, do të vendoste Kosovën në hartën e eventeve të rëndësishme muzikore në botë. Sipas vlerësimeve të mediave të huaja, “Sunny Hill Festival” ka ofruar çmime të lira krahasuar me festivalet në botë, ku bileta e rregullt ka kushtuar 80 euro, ato në grup me çmime promocionale si dhe ato të VIP 200 euro.