Pasi në Prishtinë sjell yje botërore të muzikës gjatë festivalit “Sunny Hill”, tash ylli botëror Dua Lipa synon t’i drejtojë të rinjtë e talentuar nga ajo rrugë. Nëntë janë gjithsej dhe shkathtësitë e tyre do të zhvillohen në kompozim, krijim të këngëve e produksion muzikor në akademinë “Musikmakarna”, një prej më të shquarave dhe më të suksesshme në botë në fushën e muzikës.
Një pjesë e mirë e skenës muzikore në Evropë ndërtohet prej melodive e teksteve të krijuesve nga Suedia. Tradita muzikore është e kahershme, nga klasikja që jehon edhe sot qindra vjet pas, në rock bendin ikonik ABBA dhe deri në producentin e performuesin e muzikës elektronike me famë botërore, Avicii.
Nëntë të rinj, siç ka bërë të ditur fondacioni “Sunny Hill”, do të mund të gjurmojnë karrierën e këtyre emrave prej së afërmi.
“Studentët do të vizitojnë edhe muzetë e bendit legjendar ABBA, fondacionin e DJ-it të famshëm suedez Avicii dhe do të takojnë emra të rëndësishëm të muzikës dhe produksionit suedez”, shkruhet në komunikatën e “Sunny Hill” duke e listuar këtë si një prej fakteve me rëndësi.
Tjetri është që akademia e muzikës “Musikmakarna” është “e njohur si institucion nga i cili kanë dalë disa nga kompozitorët, krijuesit dhe producentët më të suksesshëm në Suedi dhe në mbarë botën”.
Siç është bërë e ditur në komunikatë, kampi do të jetë intensiv dhe do të zgjasë një javë, nga 19 deri më 24 gusht.
“Nëntë talentë të rinj të muzikës kosovare janë gati të zhvillojnë aftësitë e tyre në kompozim, krijim të këngëve dhe produksion muzikor në një nga akademitë më prestigjioze të muzikës në botë. Falë bashkëpunimit të suksesshëm midis fondacionit ‘Sunny Hill’ dhe akademisë ‘Musicmakarna’ në Suedi, këta të rinj do të marrin pjesë në një kamp intensiv njëjavor, ku do të mësojnë nga ekspertët më të mirë të industrisë dhe do të kenë rastin të krijojnë një rrjet të vlefshëm kontaktesh në botën e muzikës”, bën të ditur “Sunny Hill”.
Aty citohet themeluesi i këtij fondacioni, Dukagjin Lipa, duke e vlerësuar punëtorinë si platformë unike.
“Jemi të lumtur që po vazhdojmë të mbështesim talentët e rinj të vendit. Këto punëtori profesionale ofrojnë një platformë unike për të rinjtë tanë të shkëlqejnë dhe të realizojnë ëndrrat e tyre në fushën e muzikës”, citohet Lipa në komunikatë.
Aty shkruhet të ketë thënë se akademia e muzikës “Musikmakarna” njihet për emrat e njohur që i ka dhënë botës së muzikës.
“Së bashku synojmë të sjellim ndryshime në botën e muzikës dhe artit”, citohet Dukagjin Lipa.
Akademia e muzikës “Musikmakarna” është shkolla e parë suedeze e shkrimit të këngëve e themeluar në vitin 1998 nga Ulla Sjöström. Aty janë formuar shumë figura prej kompozitorësh, producentësh dhe artistësh në industrinë muzikore të Suedisë dhe mbarë botës.
Sjöström ka qenë pjesë e jurisë në edicionin e parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës.
“Sunny Hill” është një prej fondacioneve me të cilat akademia bashkëpunon. Ylli botëror Dua Lipa në vitin 2021 i ishte bashkuar kampanjës së “Musikmakarna” për mbështetjen e tekstshkruesve femra në Ditën e Tekstshkrueseve Femra që shënohet çdo 8 mars.
Në programin e punëtorisë e cila vlerësohet se ka për qëllim të ofrojë mundësi edukative e përvojë praktike për të rinjtë e pasionuar në muzikë, bëhet e ditur se aty do të mund të marrin mësime individuale dhe në grup për kompozim, krijim të këngëve dhe produksion muzikor. Bëhet e ditur se do të mund të shkruajnë tekste dhe të marrin komente të menjëhershme dhe se programi ofron lidhje me profesionistë të industrisë muzikore e cila iu hap rrugë për bashkëpunime në të ardhmen.
Sipas komunikatës, projekti ka për qëllim t’u ofrojë të rinjve të studiojnë në këtë akademi të njohur për cilësinë e lartë të edukimit muzikor dhe infrastrukturën e shkëlqyer, të krijojë platformë për shkëmbimin e përvojave dhe ideve midis të rinjve nga dy vendet dhe të ndihmojë rininë në vend të përmirësojë aftësitë muzikore.
“Kombinimi i mjedisit unik në ‘High Coast’, bashkëpunimi i ngushtë me industrinë e muzikës, grumbulli i një numri të madh krijuesish me mendje të ngjashme dhe aksesi në studiot 24/7 janë disa nga faktorët që krijojnë kushtet për sukseset e studentëve tanë”, shkruhet në prezantimin e akademisë muzikore.
Prestigjiozja “Forbes” në vitin 2021 e ka vlerësuar si “shkolla më e madhe e shkrimit të këngëve në Evropë”. Ajo ndodhet në qytetin Örnsköldsvik, që është i vendosur në zemër të trashëgimisë botërore të UNESCO-s , që njihet si Bregu i Lartë.
Duke ua mundësuar nëntë të rinjve punëtorinë atje, fondacioni shprehur i përkushtuar të mbështesë kulturën dhe artin në Kosovë.
“Duke ofruar mundësi të tilla, Fondacioni investon në të ardhmen e talentëve kosovarë të muzikës dhe hap rrugë për një brez të ri të artistëve të suksesshëm”, shkruan “Sunny Hill”.
Ky aktivitet vjen disa javë pas përfundimit të edicionit të katërt të “Sunny Hill Festival” në Prishtinë. Siç ishte paralajmëruar një megaspektakël, ashtu edhe kishte rezultuar edicioni i parë në shtëpinë e vet në Bërnicë të Poshtme si skenë botërore me yje që kanë prekur majat.