Mënyra e administrimit të thirrjes publike për subvencione në kulturë, rini e sport, sikurse edhe shpallja e rezultateve nga Komuna e Prizrenit kanë ngjallur reagime edhe në pjesën e dytë të vitit 2022. Aktivistët e shoqërisë civile insistojnë që ky proces duhet të jetë më transparent dhe në përputhje me standardet e qeverisjes së mirë. Zyrtarët komunalë pohojnë se kanë vepruar në përputhje me legjislacionin në fuqi
Ndarja e subvencioneve në pjesën e dytë të vitit nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prizrenit është cilësuar sërish si jotransparente nga monitorues të pushtetit lokal.
Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka vlerësuar se publikimi i listës përfundimtare të përfituesve të subvencioneve nga thirrja e kësaj drejtorie, në kategorinë e kulturës, me vetëm titujt e projekteve dhe emrat e organizatave, bie ndesh me parimet themelore të qeverisjes transparente.
Monitoruesit nga shoqëria civile kanë kërkuar që Komuna t’i bëjë publike edhe kriteret e vlerësimit, në bazë të të cilave janë përzgjedhur përfituesit e listës së anëtarëve të komisioneve.
“Ka vazhduar Komuna me shpalljet në mënyrë jotransparente, duke paraqitur vetëm emrin e organizatës fituese dhe titullin e projektit. Pra, ne si EC.... kemi kërkuar që të hyjmë më në detaje, pasi mendojmë se do ta rriste transparencën e Komunës, një premtim për të cilin janë zotuar”. ka thënë Eroll Shabani nga “EC Ma Ndryshe”.
Zyrtarët e Komunës së Prizrenit kanë deklaruar se janë respektuar dispozitat e legjislacionit në fuqi, që sipas tyre, parashohin publikimin e emrave të të gjithë përfituesve bashkë me emrin e projektit.
Zëdhënësja e kësaj komune, Jona Hoxhaj, ka theksuar se për të gjitha kërkesat e tjera, monitoruesit janë të mirëseardhur që të shfrytëzojnë të drejtën e qasjes në dokumente publike.
“Kështu që po besoj prapë çdo lloj institucioni, çdo individ dhe çdo organizatë që do të dijë më shumë rreth subvencioneve, dera e Drejtorisë është e hapur dhe po ashtu mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për qasje në dokumente”, ka thënë ajo.
Aktivistët e shoqërisë civile edhe në pjesën e parë të këtij viti patën reaguar lidhur me mungesën e transparencës në shpërndarjen e subvencioneve për OJQ-të dhe individët në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.