Kulturë

Stuhitë gjeopolitike tensionojnë “Berlinalen”

Kriza në Lindjen e Mesme, situata në Ukrainë dhe e djathta ekstreme kombinohen për të prishur festivalin e filmit në Berlin. Kryetarja e jurisë, Lupita Nyong’o, dhe kolegët e saj u përfshinë në një konferencë të tensionuar për media, teksa e shënuan hapjen zyrtare të festivalit me një histori angazhimi politik

Festivali më politik nga të gjitha festivalet ndërkombëtare të filmit po përgatitet për një edicion edhe më “pikant” se zakonisht, ka thënë kryetarja e jurisë së Berlinales, Lupita Nyong’o, ndërsa tensionet gjeopolitike dolën në sipërfaqe gjatë konferencës së parë për shtyp.

“Berlinale” tradicionalisht krenohet me statusin e si më argumentuesi nga tri festivalet e mëdha evropiane të filmit, por edicioni i sivjetmë i kësaj ngjarjeje po goditet nga stuhi të shumta. Gjakderdhja në Lindjen e Mesme, rritja e partive të djathta ekstreme në të gjithë Evropën, si dhe lufta në Ukrainë, që hyri në vitin e tretë, ishin tema të parashtruara me urgjencë në konferencën e mëngjesit të së enjtes, me ç’rast u prezantua juria e festivalit.

Shkrimtarja ukrainase, Oksana Zabuzhko, ka thënë se shpreson se gjatë festivalit dhjetëditor ajo do të mund ta “edukojë” anëtarin e tjetër të jurisë, Albert Serra, një regjisor katalonjas, i cili kohë më parë kishte shprehur magjepsjen e tij me politikanët që sfidojnë konsensusin, Donald Trump dhe Vladimir Putin.

Madje Serra u shfaq ngurrues për të tërhequr komentet e tij në skenë.

Një tjetër anëtar i jurisë së përbërë nga shtatë personalitete të fuqishme, autori gjerman Christian Petzold, vuri në pikëpyetje efikasitetin e vendimit të drejtorit të Festivalit në Berlin për të përjashtuar anëtarët e partisë “Alternative für Deutschland” (AfD) nga ceremonia e hapjes të enjten mbrëma, duke sugjeruar se zemërimi rreth pranisë së tyre në këtë ngjarje të rëndësishme kinematografike “i bën ata më të fortë”.

“Ne tashmë po bëjmë biseda të ashpra”, ka thënë Nyong’o, aktorja e shpërblyer me “Oscar” dhe e cila shquhet për rolet në filmat “12 Years a Slave” dhe “Black Panther”. “Që të gjithë kemi shumë përvoja dhe opinione të ndryshme. Ditët në vazhdim do të jenë interesante. Me siguri do të jenë gjithashtu pikante”.

Anëtarët e tjerë të jurisë, e cila do të zgjedhë fituesit në shtatë kategori nga 20 filma në konkurrim, janë: regjisorja nga Hong Kongu, Ann Hui, aktorja dhe regjisorja italiane, Jasmine Trinca dhe aktori e regjisori amerikan, Brady Corbet.

Zakonisht debatet politike janë shtylla kryesore e “Berlinales”. Vitin e kaluar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, u ftua t’i bëjë bashkë artistët dhe kineastët me një fjalim emocionues në natën e hapjes së festivalit. Gjithashtu në fillim të viteve 2010, organizatorët reaguan ndaj ngjarjeve të pranverës arabe duke krijuar një program të caktuar filmash nga rajoni.

Drejtorët aktualë të festivalit, Mariette Rissenbeek dhe Carlo Chatrian, të cilët e gëzojnë këtë rol për herë të pestë dhe të fundit, e kanë pohuar profilin serioz të ngjarjes, duke iu shmangur projekteve argëtuese të Hollywoodit. Filmi që sivjet e ndez projektorin e “Berlinales”, “Small Things Like These”, e rikthen publikun te skandali i abuzimit të vajzave dhe grave në qendra të trajnimit në Irlandë.

Në këto javët e fundit drejtorët e festivalit reaguan në favor të kineastëve iranianë, Maryam Moghaddam dhe Behtash Sanaeeha, kur u bë e qartë se ata nuk do të mund të merrnin pjesë në shfaqjen e filmit të tyre “My Favorite Cake”, për shkak të ndalimit të udhëtimit nga regjimi iranian. Kriza në Lindjen e Mesme gjithashtu peshon rëndë mbi festivalin. Ndërsa disa filma në program trajtojnë çështjet që fokusohen në themel të konfliktit, drejtorët e “Berlinales” janë kritikuar për mosmbajtjen e një qëndrimi më vendimtar.

Disa filma e ofrojnë një pikënisje për bisedë rreth luftës në Gaza dhe marrëdhënies së komplikuar të Gjermanisë me konfliktin. Në filmin “Treasure” të regjisores gjermane, Julia von Heinz, një gazetare e portretizuar nga aktorja Lena Dunham, dhe babai i saj i mbijetuar i Holokaustit, i sjellë në ekran nga Stephen Fry, përballen me të kaluarën e tij gjatë një udhëtimi në vendlindje, Poloni.

“No Other Land”, dokumentari i realizuar nga një kolektiv palestino-izraelit prej katër aktivistësh të rinj, dokumenton çrrënjosjen e fshatrave palestineze në Bregun Perëndimor, ndërsa filmi “Holy Week” i regjisorit rumun, Andrei Cohn, eksploron racizmin dhe antisemitizmin në fund të shekullit të 19-të.

Bisedat rreth çështjeve të tilla të tensionuara janë mirëpritur në mënyrë eksplicite nga Rissenbeek dhe Chatrian. Pranë tapetit të kuq të shtruar para teatrit “Berlinale Palast”, për disa ditë do të qëndrojë e vendosur një strukturë e ngjashme me një kabinë, ku njerëzit ftohen brenda që të diskutojnë për Izraelin dhe Palestinën.

Në muajt e fundit dy anëtarët e jurisë, Nyong’o dhe Petzold, kanë nënshkruar letra të hapura që bëjnë thirrje për armëpushim në Gaza. Të pyetur nëse prisnin që një festival filmi po aq politik sa “Berlinale” do të mbante një qëndrim më të fortë ndaj konfliktit, Petzold nuk pranoi të përgjigjej. Ai tha se detyra e jurisë nuk është ta komentojë Palestinën, Ukrainën apo partinë politike populiste të krahut të djathtë në Gjermani, por të debatojë filmat pjesëmarrës.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Edona Binaku